26.3 C
Prizren
E enjte, 17 Korrik, 2025

Triumfi letrar i Kadaresë

Romani “Muzgu i perëndive të stepës”, dy vite pas botimit në SHBA e Britani të Madhe dhe rreth 30 vjet pas botimit në Francë, ka arritur më në fund edhe në Gjermani. Ky është romani i 15-ë i Kadaresë që shtëpia botuese «Fischer Verlag e Frankfurt-it» i jep lexuesit gjerman në dorë. Deri më tani, në gjuhën gjermane, shtëpi të ndryshme botimi në Gjermani, Zvicër e Austri kanë botuar gjithsej 23 libra të shkrimtarit Ismail Kadare.

Njëri nga këto si “Vjedhja e gjumit mbretëror”, përmbledh disa vepra bashkë. Brenda kopertinave të tij janë tregime, novela e romane të shkurtra të Kadaresë si “Prometheu”, “Nata e sfinksit”, “Shtërgu”, “Qorrfermani”, “Shkaba”, “Përballë pasqyrës së një gruaje”, “Vajza e Agamemnonit”, etj. Si të gjithë romanet e tjera të Kadaresë kritika dhe lexuesi gjerman e ka pritur edhe romanin e fundit me një entuziazëm tepër të madh.

Ndërsa veprat e tjera të Kadaresë i janë prezantuar publikut përmes gazetave dhe periodikut gjerman, radios dhe televizionit dhe janë thënë për to fjalët më të mira, prezantimi i librit të fundit “Muzgu i perëndive të stepës” ka arritur kulmin, sepse është prezantuar në emisionin special për letërsinë “Das Literarische Quartett” të kanalit televiziv ZDF, i cili përbën Olimpin e medieve gjermane për sa i përket letërsisë.

Ky emision që arrin kuotën e 1,5 milion shkuesve është pa dyshim platforma më e mirë e mundshme për prezantimin e një vepre letrare. Moderatori i tij, gazetari i “DER SPIEGEL”-it Volker Weidermann, i cili njëkohësisht është edhe autor i shumë librave, në mesin e tyre edhe i bestsellerit “Ostende 1936, vera e një miqësie” me shkrimtarin tjetër dhe kolumnistin e të përjavshmes “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” Maxim Biller, moderatoren dhe shkrimtaren Christine Westermann dhe

një mysafir që zakonisht është një shkrimtar a studiues i letërsisë, zgjedhin për një edicion vetëm katër librat e botuar së fundi në gjermanisht. Kësaj here, i ftuari i magazinit televiziv ishte shkrimtari i njohur austriak Thomas Glavinic.

Maxim Biller, që e paraqiti romanin, tha se Ismail Kadare bashkë me Milan Kundera-n, Murakam-in dhe Philip Roth-in është njëri nga rrëfimtarët e mëdhenj të shekullit XX. Biller tha më tej se Kadareja de facto është fituesi i Nobelit dhe jo Bob Dylan, por se fati i tij i keq është se ai është vetëm një shkrimtar shqiptar. Duke folur për përmbajtjen e romanit “Muzgu i perëndive të stepës”, Biller tha se ngjarjet zhvillohen në Moskën e vitit 1958, në mesin e studentëve të letërsisë. Shumë prej tyre vijnë nga republikat sovjetike, disa nga vendet e huaja komuniste mike. Rrëfimtari, në vetën e parë njëjës, ka shumë tipare biografike të përbashkëta me Ismail Kadarenë, i cili në të njëjtën kohë si shqiptar ka studiuar në Moskë, por që pak kohë më vonë atij iu desh të largohet.

Mua ky libër më ka bërë pafundësisht të lumtur…! Gjithçka aty i ka shkuar për dore autorit, kjo gjuhë jashtëzakonisht melodike, kjo gjuhë pafundësisht melodike, kjo gjuhë poetike, konstruksionet fund e krye gracioze, por që janë megjithatë krejt të ndërgjegjshme, dramturgjia…

Sipas shkrimtarit gjerman ky libër është libër që duhet lexuar patjetër sot, sepse në këtë libër bëhet fjalë, si pothuajse në të gjitha romanet e Kadaresë, për njerëzit në sistemet totalitare dhe si ata nga frika, karrierizmi, vaniteti, bashkëpunojnë dhe kthehen kështu në maskarenj.

Biller vazhdoi duke thënë se botuesi gjerman e ka gjetur momentin e duhur për botimin e këtij libri «kundër luftës», e cila edhe në kohën tonë përbën një rrezik imediat, prandaj ky libër duhet lexuar sot. Unë jam i gëzuar që shtëpia botuese Fischer Verlag tani e ka publikuar këtë libër dhe jo para tetë vitesh, sepse ndoshta atëherë edhe nuk do ta kishim kuptuar fare. Sot ai është një libër për të sotmen, ka thënë Biller.

Edhe Christine Westermann u ndal në disa pjesë të librit. Ajo tha: “Disa pjesë i kam lexuar me shumë kënaqësi. Si i krijon ai këto figura, si e rrëfen trishtimin e dimrit moskovit, si e rrëfen pasigurinë e njerëzve, si e rrëfen këtë historinë e Pasternak-ut, kjo është me të vërtetë madhështore. Këtu kam kuptuar shumë gjëra, por herë pas here nuk mund të mos i bëja pyetjen vetes: Pse Biller e ka zgjedhur pikërisht këtë libër?” Westermann tha se Biller-i e kishte zgjedhur këtë libër për ta prezantuar një ditë pas shpalljes së çmimit Nobel, sepse kishte pasur bindjen që Ismail Kadare do të ishte fituesi i këtij çmimi sivjet. Në fakt Maxim Biller që në fillim tha se Kadareja është nobelisti i sivjetmë dhe jo Bob Dylan dhe pastaj këtë konstatim e argumentoi me ato që u thanë më sipër.

Edhe moderatori Volker Weidermann foli si dy parafolësit: “Unë jam i entuziazmuar nga libri! Nga dhimbja universale nuk besoj se gjeta në

roman, por një dhimbje krejt konkrete dhe besoj se ajo është përshkruar në mënyrë tepër mjeshtërore. Së pari, nuk bëhet fjalë për jetën nën diktaturë, por para së gjithash bëhet fjalë për shkrimin nën një diktaturë. Ata jetojnë në një shtëpi pushimi, më vonë në një hotel, në institut dhe ky është një tubim masiv i shkrimtarëve, të cilët janë takuar në një lloj purgatori, ata të gjithë e kanë tradhtuar vetveten dhe artin e tyre. Është një lloj pakti ndryshe me djallin, janë pranuar kushtet që ka vënë djalli dhe prandaj nuk shkruhet gjithmonë ajo që do të duhej të shkruhej.

Dy vite më parë botimin e romanit “Piramida”, Hans-Jost Weyandt, në një recension të shkurtër në “Spiegel online”, e cilësonte si një triumf letrar. Në prag të shpalljes së Nobelit në mediat gjermane është lakuar edhe emri i Kadaresë, ndërsa gazeta “El Mundo” menjëherë pas shpalljes së emrit të nobelistit të ri për letërsi, botoi një shkrim me titullin “Nobeli i Kadaresë”, ku e kritikonte hapur Stockholm-in. Gazeta spanjolle shkruante se nëse dashamirët e letërsisë duan të lexojnë letërsi të mirëfilltë, atëherë ata duhet të lexojnë Kadarenë, librat e tij: “Daullet e shiut”, “Vitin e mbrapshtë”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Krushqit janë ngrirë”, “Koncerti”, etj. “Kjo është letërsi. Pjesa tjetër, si pothuajse gjithçka sot, është thjesht spektakël” përfundonte gazeta e Madridit, duke shprehur hapur pakënaqësinë që fituesi i sivjemë i Nobelit nuk quhej Kadare.

Më Shumë

Varroset sot në Rahovec 21-vjeçarja që humbi jetën aksidentalisht në Gjermani

Yllka Hoti, e cila vdiq pas një aksidenti në Gjermani, do të varroset sot në fshatin Hoçë e Vogël e Rahovecit. Ceremonia mortore do të...

Yll Hoxha zyrtarisht te Liria e Prizrenit: “Një kapitull i ri në zemrën bardhezi”

Liria e Prizrenit ka zyrtarizuar përforcimin më të ri për sezonin e ri garues, duke prezantuar mesfushorin me përvojë Yll Hoxha. https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/ Hoxha, i cili ka...

Lajmet e Fundit