23.9 C
Prizren
E premte, 4 Korrik, 2025

Hapja e dosjeve “djeg” plot fytyra publike

Kuvendi i Republikës së Kosovës, edhe pas lirimit nga tutela e UNMIK-ut, tani në prag të 9-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, nuk po arrin të mobilizohet si spektër gjithëpërfshirës i përfaqësimit politik, që me një konsensus të gjerë të hapë debatin për çështjen e spiunëve të UDB-së, për aprovimin e Ligjit të lustracionit dhe lirimin e të gjitha institucioneve të shtetit nga mbeturinat e kaluara të atij regjimi. Mosgatishmëria e subjekteve politike deri tani më e paarsyetuar pse nuk niset një debat i tillë lë të pa përgjigje pyetjen që mund të shtrohet se deri kur do të vazhdojmë të kemi në institucionet e shtetit, në të gjitha nivelet, njerëz të UDB-së, të cilët mbahen në mend për një të kaluar shumë të dëmshme të veprimin në shërbim të regjimit serbosllav. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, këtë mosgatishmëri të Kuvendit për ta bërë temë debati çështjen e spiunëve të UDB-së dhe hapjen e dosjeve e sheh tek e gjithë klasa politike e Kosovës, që sipas tij nuk është e interesuar që të diskutohet dhe të iniciohet hapja e dosjeve, pikërisht nga fakti që akoma mund të ketë individë të tillë që nuk e kanë një të kaluar të pastër, madje duke marrë parasysh se mund të kenë qenë edhe bashkëpunëtorë të dikurshëm, e që të tillë janë edhe sot, pavarësisht se janë aktivë në politikë dhe në punën e institucioneve.

Serbia shantazhon bashkëpunëtorët në Kosovë

Salihaj thotë se edhe po u mor kurajë nga politika dhe të hapet një debat i tillë është e pabesueshme që pala serbe do të bindet për t’i dorëzuar shtetit të Kosovës dosjet besnike të njerëzve të UDB-së dhe faktet për të bërat e tyre. “Unë e kam thënë edhe në raste të tjera dhe prapë qëndroj në atë bindjen time, që do të thotë se nuk besoj aspak që edheUDB-ja serbe do pajtohet që t’ia dorë- zojë Kosovës këto dosje, sepse në këtë mënyrë jo vetëm që do t’i diskreditonte bashkëpunëtorët e saj, por përtej këtij veprimi shteti serb dhe UDB-ja do t’i dëmtonte edhe interesat e saj në Kosovë”, theksoi ai.”Tani është shumë e ditur që Serbia përmes këtyre dosjeve akoma i shantazhon ish-spiunët e saj në Kosovë, i mban aktiv dhe i realizon akoma disa interesa të saj. Sikur të hapej debati në Kuvend dhe të ishte e sigurt edhe mundësia e realizimit të qëllimit për hapjen e dosjeve të UDB-së, do të ishte veprim tepër i mirë për Kosovën, sepse kjo do ta pastronte politikën kosovare nga fundërrinat që kanë qenë, e me siguri janë edhe sot, bashkëpunëtorë të Serbisë dhe që vazhdojnë t’i shesin interesat e mëdha kombëtare të Kosovës për interesin e Serbisë. Por, nuk e di sa është kjo sot e realizueshme, duke marrë parasysh se kjo dosje ndoshta i ka marrë me vete Serbia. Por, edhe nëse si ka marrë, atëherë i kanë marrë komandantët e ndryshëm, për ta fshehur faktin se kanë qenë spiunë të Serbisë. Gjetja e këtij “thesari” do t’i demaskonte shumë fytyra publike, të cilat rrahin gjoks për luftë e për patriotizëm, e në fakt janë vetëm tradhtarë të kombit, të cilët për çdo ditë ia shesin interesat e Kosovës Serbisë”, theksoi më tutje ai.

Disa figura politike, me të kaluar të dyshimtë

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha për “Kosova Sot” se derisa nuk ndërrohet në substancë kjo klasë politike qeverisëse, nuk është aspak e pritshme që të diskutohet në Kuvend as që të merret seriozisht çështja e spiunëve të UDB-së dhe zbardhja e dosjeve të tyre – lustracioni. “Ky proces deri më tani është neglizhuar dhe prolonguar pikërisht nga fakti se shumë nga figurat të cilat janë në politikë, por edhe në pushtet, e kanë të kaluarën e tyre të dyshimtë, prandaj dhe është bllokuar çështja e lustracionit. Tani me këtë nomenklaturë politike është e vështirë që të hapet një debat dhe të bëhet një gjë e tillë, për shkak se që në fillim të pavarësimit të vendit kjo ka mundur të bëhet, por tani gjendja është komplikuar akoma më shumë, prandaj nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, megjithatë Kosova ka shumë nevojë që ta kryejë edhe këtë proces”, theksoi Isufi. Ish-ministri i mandatit të dytë në Qeverinë e Kosovës së pasluftës, ishdeputet në Kuvendin e Kosovës, Haki Shatri, thotë se debati për ish-spiunët e UDB-së dhe lustracioni mbeten një proces i bllokuar nga shumica e subjekteve ekzistuese politike, pasi që pothuajse të gjitha këto subjekte në radhët e tyre kanë të integruar individë të tillë dhe tani janë pajtuar që të bashkëjetojnë me ta, qoftë edhe duke u dhënë privilegje të larta në institucionet e shtetit.

Më Shumë

Malisheva miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2026–2028

Kuvendi i Komunës së Malishevës ka miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026–2028, gjatë mbledhjes së dytë të jashtëzakonshme të mbajtur më 30...

Elvis Rexhbeçaj do të vazhdojë rrugëtimin e tij me Augsburgun

Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj është shumë afër rinovimit të kontratës me Augsburgun. Përkundër ofertave të shumta nga Gjermania dhe disa kampionateve të tjera, Elvis...

Lajmet e Fundit