23.4 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025

Arratiset ish-drejtori i Ramadan Mujës

Është arratisur ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren, Nysret Durmishi. Ai nuk është dërguar në vuajtje të dënimit me burg, në bazë të vendimit të gjyqësorit. Policia nuk e di vendndodhjen e tij.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka thënë se kjo gjykatë i ka marrë të gjitha veprimet e duhura.

“Kemi lëshuar fletëarrest, por Policia ka deklaruar se i kërkuari nuk gjendet në territorin e Kosovës”, ka thënë Kicaj për Koha Ditore.

Ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren, Nysret Durmishi është dënuar me tetë muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prizren.

Ai është dënuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Pala kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit ka bërë ankesë në Gjykatën e Shkallës së Dyt, gjegjësisht në Gjykatën e Apelit, dhe e njëjta e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit”, pat thënë ditë më parë, Kicaj, për PrizrenPress.

Sipas saj, me kërkesën e palës lënda, lënda është dërguar në Gjykatën Supreme për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Nysret Durmishi ka qenë drejtor i Inspektoratit në mandatin e parë të Qeverisë së Ramadan Mujës.

Ai është dënuar për shkak të disa mbindërtimeve, që kanë ndodhur në kohën sa ka qenë drejtor.

Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Sylë Hoxha, në kohën kur është ngritur aktakuza, pat sqaruar se ish-drejtori, Durmishi dhe dy punonjësit e Drejtorisë së Inspektorateve, qenë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, për shkak të disa mbindërtimeve.

“Si persona përgjegjës në Drejtorinë e Inspektorateve kanë pasë për obligim që t’i përcjellin tejkalimet e shkeljet urbanistike. Për shkak të dyshimit të bazuar se nuk e kanë bërë këtë ndaj tyre është ngritur aktakuza dhe Gjykata pas shqyrtimit gjyqësor ka shpallur aktgjykimin”, pat deklaruar Hoxha.

Inspektorët e ndërtimit në Komunën e Prizrenit dhe drejtues të këtij dikasteri, vite më parë, i kanë mbyllur sytë përballë tejkalimeve pa leje në ndërtimin e objekteve shumëbanesore, gjë që është konstatuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, në tri aktgjykime të ndara.

Kësisoj janë shqiptuar tri aktgjykime fajësuese ndaj një punonjësi, një ish-punonjësi dhe një ish-drejtuesi të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit për shpërdorim të detyrës zyrtare gjatë mbikëqyrjes inspektuese në objekte shumëbanesore në lagje të ndryshme të qytetit. Në dy rastet e para punonjësi dhe ish-punonjësi i DI-së patën pranuar fajësinë dhe qenë gjobitur me nga 4 mijë euro.

Ndërsa në aktgjykimin ndaj Nysret Durmishit, Gjykata Themelore e Prizrenit pat theksuar se ai ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, sepse si drejtor i Inspektorateve gjatë viteve 2009-2010 nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë personi tjetër dobi pasurore dhe të shkelen të drejtat e personit tjetër, pasi që nuk i ka ushtruar autorizimet e tij rreth ndalimit të kryerjes së punëve ndërtimore pa leje ndërtimi, në një kompleks banesor në rrugën “Jeronim de Rada”, ashtu që investitori ndërton katin e tetë dhe të nëntë në kundërshtim me lejen ndërtimore të lëshuar nga DUPH-ja. Gjykata Themelore e pat dënuar Durmishin me tetë muaj burg, gjë që sipas zëdhënëses Kicaj është konfirmuar edhe me vendim të Apelit. Gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallën e parë, Durmishi pat mohuar fajësinë lidhur me këtë vepër penale.

Nysret Durmishi ka qenë drejtor i Inspektoratit në mandatin e parë të Qeverisë së Ramadan Mujës./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Hadis Durguti rikthehet te Grapelandi pas paraqitjeve të shkëlqyera me Kosovën U20

Pas një periudhe të suksesshme me përfaqësuesen e Kosovës U20, ku ka dhënë paraqitje të shkëlqyera, Hadis Durguti (HD11) është rikthyer te skuadra e...

Bashkimi kërkon lavdinë ndërkombëtare ndaj kampionëve polakë

Një duel i rëndësishëm na pret në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup, ku kampioni i Polonisë, Anwil Wloclawek, do të përballet me...

Lajmet e Fundit