Derisa nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës, në të gjitha nivelet e tyre, po vazhdojnë të hidhen poshtë si të palejuara denoncimet individuale të qytetarëve dhe të bizneseve të ndryshme për krimet dhe dëmet që ka shkaktuar shteti serb në Kosovë në periudhën e luftës, Ministria e Drejtësisë dhe Gjykatat nuk po japin arsye bindëse, sipas së cilave do të shpjegohej kjo mënyrë e veprimit dhe e mosgjykimit të këtyre rasteve. Shifrat sillen diku në rreth 25 000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë, që janë adresuar për gjykim dhe kompensimin e dëmeve të luftës. Në pyetjen e gazetës drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, përgjigjja ka qenë refuzuese, duke udhëzuar gazetën që një përgjigje e tillë të kërkohet nga gjyqësori i Kosovës.
“Duke të falënderuar për bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, të njoftojmë se këto pyetje duhet t’ia drejtoni Këshillit Gjyqësor të Kosovës ose gjykatave që i kanë marrë vendimet përkatëse”, ka qenë përgjigjja e Zyrës për komunikim me medie nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës. Gazeta u është drejtuar me pyetjet përkatëse edhe të gjitha instancave të drejtësisë në Kosovë, duke filluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, që ka një numër të madh lëndësh të tilla, KGJK-së, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme të Kosovës.
Mungesë totale e transparencës
Përgjigje pa materie të plotë sqaruese i është dhënë gazetës nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga ajo e Apelit.
“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar edhe më herët, ju kemi njoftuar se Gjykata nuk mund të prezantojë të dhëna të sakta se sa është numri i rasteve të padive të qytetarëve që kanë dorëzuar padi në gjykatë për kompensime të dëmeve të luftës, sepse evidenca e padive mbahet sipas bazave të padisë, e jo arsyeve përse ushtrohet një padi. Është në kompetencë dhe detyrim të Gjykatës që të konstatojë se a është apo jo një padi e lejuar dhe të merret vendimi përkatës. Nëse Gjykata konsideron një padi si të palejuar, atëherë palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Se cila është baza ligjore për konsiderimin e padisë si të palejuar e gjeni të shkruar në aktvendimin e Gjykatës, me të cilin padia është konsideruar si e palejuar “, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Një përgjigje i është dhënë gazetës nga Gjykata e Apelit, e cila ka dërguar një vendim të kësaj gjykate lidhur me një prej këtyre rasteve të refuzuara, sipas të cilit thuhet se në rastin konkret kemi të bëjmë me shtet të huaj, gjegjësisht me Qeverinë e Republikës së Serbisë, e cila ka imunitet dhe ndaj saj nuk mund të zhvillohet procedura gjyqësore në gjykatat e Republikës së Kosovës, për kontestet e kësaj natyre.”Sipas të drejtës ndërkombëtare, shteti i huaj në rastet e ushtrimit të funksioneve publike, si bartës i sovranitetit të pushtetit publik, gëzon imunitet dhe është i përjashtuar nga juridiksioni i gjykatave të shtetit tonë. Çështja e imunitetit të shtetit ndaj proceseve gjyqësore në gjykatat e shtetit tjetër është e rregulluar edhe me konventa ndërkombëtare”, thuhet aty.
Shteti u shmanget përgjegjësive
Njohësit e fushës së drejtësisë, analistët dhe përfaqësues të subjekteve politike, këtë lloj të administrimit të këtyre padive nga gjykatat vendore e cilësojnë veprim skandaloz, që vjen si pasojë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga politika, një politikë qeverisëse në dëm të shtetit, që temën e dëmeve të luftës nuk po insiston ta futë për trajtim as në procesin e filluar të bisedimeve në Bruksel me palën serbe. Profesori i së drejtës, Riza Smaka, konsideron se me këtë veprim Gjyqësori i Kosovës po ik nga përgjegjësia ligjore e kushtetuese që ka para vetes dhe kjo është një padrejtësi e madhe që u bëhet qytetarëve të Kosovës të dëmtuar nga shteti serb. “Ius Rei Sitae është parim juridik ndërkombëtarisht valid, referuar aplikimit të ligjit të vendit në çështjet juridike kontestimore të natyrës civile, administrative e veçanërisht penale! Në rastin konkret, për dëmet materiale e morale më se të ndryshme e të shumta të kryera në vise të ndryshme të Kosovës (por edhe gjithandej) nga militarët e politarët e shtetit serb në dëmin e shqiptarëve të Kosovës ekskluzivisht nga lajtmotive antishqiptare, përkatësisht anticivilizuese , do të duhej që konform me parimin Ius Rei Sitae e në analogji juridike edhe me Ius Soli e Ius Sanguinis, çështjet juridike për rimbursime të dëmeve materiale e morale, konform me nenet 102- 111 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, t’i gjykonin organet e sistemit të drejtësisë së Kosovës”, ka thënë Smaka. Sipas tij, gjykatat vendore të Kosovës deri tani pothuajse apriori dhe për aq padrejtësisht kanë refuzuar dhjetëra-mijëra raste juridike përkitazi me kërkesat për rimbursimet e dëmeve materiale e morale të kryera kundër dhjetëra-mijëra qytetarëve kosovarë nga forcat militare e paramilitare serbe, veçanërisht gjatë viteve 1997-99. “Praktika e tillë juridikisht është e paprecedentë, e padrejtë dhe e paqëndrueshme. Edhe në këtë sferë, ndër të tjera, rezulton se prokuroritë dhe gjykatat e vendit tonë gjithnjë vuajnë nga interferencat e padrejta të strukturave qeveritare dhe për aq dalin të jenë të varura nga ekzekutivi”, deklaroi Smaka