Zhvillimet e fundit, që po ndodhin në Kosovë dhe përreth saj, krijojnë shqetësim te qytetarët nga aspekti i sigurisë dhe stabilitetit të vendit, veçmas pas tensioneve për murin, rastin “Haradinaj”, dhe trenin rus me njoftimet e kërcënimeve të Beogradit që tensionojnë situatën. Por, pavarësisht kësaj, analistët dhe njohësit e proceseve të deritanishme nuk shohin ndonjë rrezik që Kosova të përballet nga përsëritja e një zhvillimi dramatik, sikur që e kishim para 13 vjetësh, në marsin e vitit 2004. Sipas tyre, krijimi i shumicës së mekanizmave të sigurisë së shtetit edhe atyre të veprimit në preventiv, sikur është AKIja, strukturat e specializuara të Policisë dhe FSK-ja e avancuar, edhe për detyra me aspektin e ruajtjes së sigurisë së shtetit në bashkëpunim me KFOR-in, bëjnë që sado që të ketë tendenca të brendshme dhe nga jashtë të destabilizimit të vendit, ato janë të përballueshme dhe mund të parandalohen dhe të neutralizohen. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, analisti Albinot Maloku thotë se sado që janë të reja të gjitha institucionet dhe mekanizmat e sigurisë së shtetit të Kosovës, niveli i konsolidimit të tyre dhe përgatitjes së dëshmuar deri më tani flet mjaftueshëm që situatat e trazirave dhe rrezikimit të sigurisë si në rastin e vitit 2004 mund të parandalohen dhe të menaxhohen me shumë sukses.
Serbia në panik nga humbjet në terren
Sipas Malokut, Kosova, pavarësisht kërcënimeve e inskenimeve që mund të bëjë Serbia, si destabilizuesi potencial i saj, tani është në gjendje shumë më të mirë për t’iu kundërvënë këtyre situatave.
“Sot, Kosova ka mekanizma të ndryshëm vendorë të sigurisë, nisur nga Policia, FSK-ja e AKI-ja. Ajo çfarë mund ta destabilizojë vendin është politika e paditur dhe e inateve e subjekteve politike dhe liderëve të tyre”, potencoi ai.
“Të gjitha këto inicime të Serbisë për destabilizimin dhe defunksionalizimin e Kosovës nuk janë asgjë e re dhe për mendimin tim nuk paraqesin asgjë për t’u marrë me frikë. Mua do të më trembte vetëm mosprofesionalizimi i organeve shtetërore dhe politizimi i çdo gjëje nga aktorët e politikës në vend, e që për këto gjëra janë shumë profesionalë”, tha analisti Albinot Maloku. Të tejkaluar mundësinë e përsëritjes së një skenari të tillë, qoftë nga veprimet brenda apo jashtë shtetit e sheh edhe eksperti i fushës së drejtësisë Blerim Burjani.
“Serbia po ndihet e kërcënuar, sepse zhvillimet që po vijnë tregojnë se ai shtet po humb kontrollin mbi veriun, paralajmërimi se do të rrëzohet muri deri me 31 janar, dhe pëlqimi qe do t’u jepet institucioneve të Kosovës nga qarqet perëndimore për rrëzimin e murit dhe zbatimin e pakusht të marrëveshjeve të deritashme, po e sjellin Serbinë në pozitë të humbësit të plotë në veri. Kjo duket ta ketë irrituar shumë shtetin serb, prandaj edhe ka vendosur për të ndërmarrë hapa provokues dhe kërcënues ndaj Kosovës”, vijoi më tutje Burjani. Strategjia e dështuar e serbëve Sipas Burjanit, Serbia edhe në këtë periudhë mund të jetë gjithnjë e më shumë agresive ndaj Kosovës, për shkak se duket nuk ka rrugë tjetër, përveç për ta dhënë pëlqimin e plotë për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër.
“Pra, në javët në vazhdim mund të pritet një tensionim i raporteve në mes dy vendeve, dhe me rëndësi është që serbët lokalë të tregohen të matur dhe të vetëdijshëm se ata janë pjesë e barabartë e të gjitha institucioneve, qytetarë të barabartë të shtetit të Kosovës, dhe se ata do të kenë garancinë e plotë të institucioneve ndërkombëtare dhe institucioneve shtetërore të Kosovës për një jetesë dinjitoze me të drejta maksimale njerëzore”, ka thënë ai.
“Pra, reaksionet e Serbisë mund të rriten për shkak edhe të ndryshimit të platformës së dialogut, sepse Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe duhet të zgjidhë çështjen e Demarkacionit me Kosovën, derisa edhe në qarqet ndërkombëtare tashmë flitet për një kushtëzim të plotë të Serbisë në rastin e Kosovës”, ka thënë më tutje Burjani. “Andaj, s’ka shumë alternativa për të zgjedhur Serbia, e që në fjalën popullore te ne njihet me shprehjen “ose hunin, ose tirqit”. Në këtë situatë që do të vijë, Serbinë nuk mund ta nxjerrë as Rusia prej kësaj çështjeje, sepse janë gabimet politike serbe të strategjisë së papërfunduar, e cila sillet në mes Perëndimit dhe Rusisë, që është strategji mesjetare serbe e jo e kësaj kohe.”, tha Blerim Burjani.