33.8 C
Prizren
E martë, 22 Korrik, 2025

Kompletimi i Speciales shton drithërimat në Kosovë

Tani që ka nisur edhe kompletimi final i Odave të Gjykatës Speciale, me emërimet e stafit të gjykatësve, njohësit e fushës së drejtë- sisë dhe analistët politikë presin edhe ndonjë “tërmet” në skenën politike të Kosovës, me zbardhjen e aktakuzave të para dhe arrestimeve që mund të ndodhin. Zhvillimet dramatike në vend, me fillimin e punës së kësaj Gjykate, janë të pritshme sipas analistit të së drejtës Blerim Burjani.

“Po, është e mundshme dhe pritet një stuhi e furishme që të ndodhë shume shpejt, dhe madje tash thuhet që kjo të ndodhë gjatë muajit mars. Në këtë muaj pritet se do të ndodhin edhe ngritjet e aktakuzave të shumta, prandaj kuptohet se do të ketë ndikim të madh në politikën vendore, në veçanti për individë të shumtë të të dy taborëve politikë, pozitë dhe opozitë”, theksoi ai.

” PDK-ja pritet të ketë probleme më të mëdha, kjo do të shtyjë këtë subjekt të reformohet politikisht brenda strukturave politike, ngase ky subjekt deri më tash i ka rezistuar sistemit gjyqësor dhe shpeshherë thuhet se ky subjekt është anarkik dhe kontrollues i buxhetit dhe i posteve publike”, u shpreh Burjani. Sipas tij, mund të priten ndryshime të dukshme në skenën politike vendore, por e keqja është se ende s’ka një alternativë të re intelektuale që do të dilte për të bërë ndryshime. “Po duket sikur inteligjenca është shumë e heshtur, përderisa kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, është anarkike dhe përfituese nga buxheti i qytetarëve”, potencoi Burjani

Kokat mund të lihen në fund

Analisti Hidajet Ahmeti konsideron se themelimi i Gjykatës Speciale është një fyerje e luftës së drejtë të UÇK-së. Ai dyshon që paraprakisht është përgatitur edhe terreni që kjo Gjykatë të merret fillimisht me figura që kanë më pak ndikim në opinion dhe kështu koka politike e vendit të blejë kohë, duke sakrifikuar të vegjlit. “Emërimet e reja në Gjykatën Speciale janë një mesazh i qartë se shumë shpejt do të fillojë funksionalizimi i kësaj Gjykate. Gjykoj se me funksionalizimin e Gjykatës Speciale do të këtë një tronditje në skenën politike kosovare, por besoj se ngritja e akuzave do të fillojë nga bishti, duke filluar me njerëzit që kanë më pak ndikim në skenën politike kosovare . Edhe nëse në sirtarët e kësaj Gjykate janë dosjet e njerëzve me ndikim në skenën politike kosovare, Gjykata Speciale nuk do ta ketë guximin që të fillojë nga ata, pasi mund të ngrihen tensionet në opinionin publik, që potencialisht mund të shkaktojnë destabilitet brenda shtetësisë së brishtë të Kosovës. Kokat e dyshimta të krimit, për të cilat ka filluar Gjykata Speciale, do të mbeten për në fund, me qëllimin që të ruhet stabiliteti institucional e politik brenda Republikës së Kosovës”, u shpreh ai. Sipas tij, dihet botërisht se akuzat e eurodeputetit Dick Marty drejtonin gishtin te presidenti i tanishëm Hashim Thaçi .

“Të “vërtetat” e pathëna asnjëherë nuk tronditën opinionin publik kosovar. Kjo ishte baza që ka filluar hetimi për këto krime të supozuara, duke e sjellë Kosovën në një gjendje sikleti për ta pranuar një Gjykatë ndërkombëtare për të gjykuar krimet e supozuara të UÇK-së. Nuk ka dyshim se skena politike kosovare do të pësojë ndryshime radikale, ku do të këtë lëvizje elektorale’, tha analisti Hidajet Ahmeti.

Më Shumë

27 vjet nga Epopeja e Korrikut 1998 në Rahovec: Nderime për dëshmorët dhe martirët e lirisë

Sot, në kuadër të shënimit të “Epopesë së Korrikut 1998”, u zhvilluan një mori aktivitetesh në Rahovec për të nderuar dëshmorët dhe martirët e...

Prizren: 62-vjeçari dyshohet se kreu vetëvrasje me armë zjarri

Një person me inicialet A.P., 62 vjeçar është raportuar të ketë kryer vetëvrasje në Prizren. Ai është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku edhe...

Lajmet e Fundit