29.3 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025

Asnjë “peshk i madh” nuk bie në rrjetën e drejtësisë

Vazhdimi i kontrollit të ashpër politik mbi institucionet e sundimit të ligjit, edhe 9 vjet pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, sipas njohësve të kësaj fushe dhe analistëve politikë, po vazhdon të jetë një nga njollat më serioze, nga e cila edhe qytetarët kanë filluar ta humbin me të madhe besimin në këtë sistem. Kjo gjyqësi dhe prokurori nuk treguan rezultate në hetimin dhe ngritjen e aktakuzave për afera si ajo e “Prontos”, ku flitet hapur për lidhje të politikës me oligarkët, ngase, sipas njohësve, që të dyja sundojnë shtetin me metoda përfitimi.

Prof. Riza Smaka thotë se përderisa prokuroritë dhe gjykatat tona lëngojnë nga dobësi të shumta, ndër të tjera, nga jo pak raste juridike të parashkruara mbase qëllimisht, si dhe të pakryera dhe në të tjerat të cilat trajtohen sipas preferencave të personave pushtetarë ca më influentë, rrjedhimisht, edhe dyshimet e natyrave të caktuara rezultojnë vetvetishëm për ndikimin e politikës dhe grupeve kriminale të interesit.

“Në këtë kontekst shërbejnë jo pak situata skandaloze çfarë ishin ‘thyerjet e dyerve të dhomave të sigurisë së lartë’ në Prishtinë e në Pejë, për të cilat, së paku, aq sa dihet publikisht, nuk janë proceduar juridikisht dot. Siç dihet, po ashtu gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm të skandaleve abuzive të kryera nga pushtetarë të caktuar, po ashtu, virtualisht nuk procedohen dot. Së andejmi, implicite del se organet e sistemit të drejtësisë në vendin tonë janë të mbërthyera keq nga influencat politike e qeveritare në disfavorin e aplikimit të ligjit në fuqi e për aq në dëmin publik e të qytetarit”, tha Smaka, shkruan gazeta Kosova Sot.

Njerëzit e së kaluarës, në pikat kyçe

Edhe eksperti tjetër, Muhamet Kelmendi, konstaton po të njëjtën gjendje. Ai thotë se praktika e keqe e ndërtimit të sistemit të drejtësisë është një trashëgimi e bartur që nga koha e UNMIK-ut, edhe pas pavarësisë.

“UNMIKu i kishte vendosur në polici, në prokurori dhe në gjykata, madje edhe nëpër borde, si dhe në administratë njerëzit e ish- regjimit serbo-jugosllav. Këtë politikë e vazhdoi më pas edhe PDK-ja me Thaçin, madje shumë më ashpër dhe me sundim autokratik, duke vendosur njerëz të pakurriz, ishpunëtorët e regjimit, si dhe njerëzit pa virtyte në të gjitha institucionet e vendit. U vazhdua me përzgjedhjen e njerëzve me të kaluar të dyshimtë për t’i kontrolluar dhe për të mbajtur nën presion. U futën nëpër institucione vetëm militantët e regjimit, të cilët veprojnë vetëm nën diktat dhe e futën paranë si mjet të zgjidhjes së çështjeve dhe të vendosjes nëpër institucione të vendit”, tha prof.

Kelmendi. Ndërsa, sipas analistit politik Florim Zeqa, drejtësisë së sotme kosovare më së paku i shkon për shtati termi ‘drejtësi’. “Drejtësia kosovare ka vite që bashkëjeton me mafio-politikanët dhe mafio-oligarkët ekonomikë. Prokurorët dhe gjyqtarët ‘flenë’ mbi dosjet kriminale, heshtin para aferave korruptive dhe veprimeve kriminale. Arsyeja pse qytetarët nuk besojnë më në drejtësinë kosovare, është fakti se ajo është e kapur dhe e ngulfatur nga politika. Prokurorët, përveçse nuk e kanë guximin, u mungon edhe motivi për të luftuar veprat kriminale. Arsyeja pse prokurorët nuk treguan rezultate në hetimin dhe ngritjen e aktakuzave për afera korruptive dhe kriminale si ajo e “Prontos”, ku flitet ashiqare për lidhje të politikës me oligarkët, është se të dyja sundojnë shtetin së bashku me metoda përfitimi të ndërsjellë, andaj nisur nga logjika e thjeshtë, asnjë prokuror dhe gjyqtar nuk del kundër interesit të vet”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Më Shumë

Vetëvendosje shpall afatin për kandidim për Kuvendin Komunal në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! ka shpallur zyrtarisht hapjen e afatit për kandidim në zgjedhjet e brendshme për përzgjedhjen e kandidatëve për Kuvendin Komunal në Prizren. Në një...

Aktakuzë për veprën penale vrasja e rëndë në afërsi të fshatit Vërmicë në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.A., i  cili gjenden nën masën e paraburgimit nga data 15.10.2024...

Lajmet e Fundit