Maks Velo në një rrëfim për marrëdhëniet mes artistëve dhe komunizmit. Si e sheh ai botimin e kujtimeve mbi diktaturën, dhe plagjiaturën në letërsinë e burgut
Cili ka qenë roli i artistëve gjatë diktaturës në Shqipëri? Pas viteve 90-të një nga debatet më të mëdha përsos krimeve të komunizmit, është dhe roli i shkrimtarëve, piktorëve apo kineastëve në raport me regjimin. Shumë akuza janë hedhur në shtyp këto vite mbi protagonistë të kohës, ku artistë akuzojnë njëri tjetrin për marrëdhënie me regjimin…Maks Velo është një nga ata artistë që ka provuar mbi supe diktaturën me vite të tëra burgim. Gjithë diktaturën që ai njohu, gjithë shenjat që ajo la tek ai, Velo është përpjekur ndryshe nga të tjerë, ti hedhë në telajot e pikturave që ka krijuar këto vite apo ti shkruajë në letërsi. Tregimet e tij të burgut, janë një tablo e gjallë e asaj çfarë ka ndodhur, dhënë me një stil të thjeshtë e plot jetë.Por cfarë ka qënë diktatura për Maks Velon? Si i sheh ai sot personazhe të asaj kohe, dhe si e gjykon shkrimin e kujtimeve nga protagonistë të kohës?
Historia e artit dhe kulturës gjate regjimit komunist mbart ende shume mistere dhe pikëpyetje mbi protagonistë të kohës. Vitet e fundit janë botuar libra me kujtime, autobiografi apo studime mbi atë periudhë.. Si protagonist dhe një zë i njohur i kohës, sa objektive do ti vlerësoje këto përpjekje?
Nuk ka se si mund të ish ndryshe. Historia e Diktaturës në Shqipëri u ushqye dhe u mbajt gjallë edhe nga një masë e madhe shkrimtarësh dhe artistësh. Nuk ish i kotë dhe pa arsye zhgënjimi që bota perëndimore, pati nga vonesa dhe zgjatja e jetës së regjimit në prag të nëntëdhjetës. Të mësuar me zgjedhën e gjatë Osmane ishim çmësuar me lirinë. Varfëria dhe injoranca janë sindromat e zgjedhave. Enver Hoxha e pati disi të lehtë të krijojë mitin e tij. Ndihmuan shumë shkrimtarët dhe artistët.Lidhja ish organi i ngarkuar për këtë. Sidomos pas 1973 Dritëro Agolli si kryetar dhe Kujtim Buza si Sekretar bënë një punë të madhe për këtë. Tani të gjithë duan të lajnë duart. Prandaj botojnë kujtime. Këto kujtime kanë shumë pak objektivitet dhe vërtetësi. Më shumë janë si fiksione. Edhe një herë tregojnë veten. Por harrojnë se një ditë ( sado që të shtyhet kjo ditë) Dosjet do të hapen. Arti pa moral është anije e mbytur në liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral. Popujt Perëndimorë i ka edukuar feja dhe arti.
Duke qenë se ju jeni një ndër të atakuarit nga sistemi komunist. Si e keni parë raportin mes artit dhe politikës në atë periudhë, dhe si mund të lexohen sot veprat e krijuara në atë kohë?
Është një detyrë e vështirë. Gjithë problemi qëndron te gjenialiteti. Gjithmonë ka pasur gjeni që kanë koinciduar me periudha Diktatoriale. Gjenitë e zgjidhin në mënyrën e tyre. Po marr Shostakovicin dhe Kadarenë. Secili e ka zgjidhur ndryshe.Kam marë dhuratë të 15 Sinfonitë e tij dhe po i dëgjoj shpesh. Shostakovici ka në muzikën e tij një tragjizëm të panjohur dhe të paarritur asnjëherë më parë në muzikën sinfonike. Aty është tragjedia e Komunizmit Botëror. Kadareja ish shumë më i sofistikuar. “Pallati I Ëndrrave” është pallati i kongreseve të partisë, I pesëvjeçarëve, i delirit Socialist dhe i varfërisë ekstreme. Pallati është tërë kampi Socialist. Guximi i tij është për tu vlerësuar lart. Raporti që Dritëro Agolli mbajti në dënimin e librit, është fytyra e vërtetë e Dritëroit dhe jo shprehjet e tij babaxhane “ e mo..”. Përse nuk tha edhe aty ..” e mo se nuk ka bëre gjë Kadareja..një libër ka shkruar…” ?Kam një përçmim dhe përbuzje për artistët dhe shkrimtarët që shartohen në politikë.Kur vetë artisti ose shkrimtari bëhet politikan, “..territori i vogël i lirisë..”, kthehet në “territor i vogël diktatorial..”Këta shkrimtarë dhe artistë sëmuren nga sindroma e madhështisë dhe bëhen më të këqij se zyrtarët. Ata dinë të godasin më mirë shokët e tyre. Dritëroi nuk mund të jetë edhe shkrimtar edhe patriark i Partisë Socialiste. O njëra o tjetra. Këta shkrimtarë apo artistë politikanë bëjnë një lojë të dyfishtë. Publikut, kur nuk i u mjafton vlera artistike i imponohen me titujt politike. Dhe politikanëve u imponohen me vlerat e dyshimta artistike. Mjafton të thuash në Kuvend “ …Tanket mbi Vlorë…” dhe jeton 15 vjet ( bashkë me djemtë..).
Pse nuk kemi ende sot një histori në versionin zyrtar të asaj çfarë ka ndodhur me artin dhe kulturën gjatë komunizmit?
Nuk mund t’a kemi, nuk do t’a kemi edhe për 50 vjet akoma. Nuk e shihni se si duan të manipulojnë historinë tonë të dhimbshme nën sundimin Osman ? Tani tërë protagonistët janë gjallë. Dosjet nuk janë hapur. Dokumentet kryesore të Lidhjes nuk gjenden. Tërë këto kujtime duan të falsifikojnë. Është domethënëse një fakt. Në vitin 1994, piktorët Hasan Nallbani dhe Sotir Capo, shkojnë në Galerinë e Arteve në Berat, marrin portretet e Enver Hoxhës, bërë prej tyre , por të blera nga Shteti dhe i djegin. Në vitin 2000, i propozova Drejtorit të Galerisë, Abaz Hados dhe së bashku me studiuesen Suzana Varvarica ngritëm një muze në natyrë ( në kopshtin e Galerisë ) me vepra të vogla ( buste, torse, monumente ). U bë edhe ndriçimi. Reaksioni i autorëve ish i papritur për mua. Të gjithë nuk e donin, dhe bënë çmos deri sa e prishen. Nuk duan asnjë alibi. Por asnjëri deri më sot nuk ka dorëzuar titujt dhe dekoratat që ka marrë me ato vepra. Asnjë shkrimtar, kineast, piktor apo skulptor.Pastaj që të shkruhet Historia e Artit ose e Letërsisë, duhet të detektohen plagjiaturat. Ka shumë në muzikën e lehtë, atë atë simfonike, në skulpturë, pikturë, poezi etj. Këtë nuk ka historian dhe studiues që t’a bëjë. Arti duhet patjetër të jetë origjinal. Si vetë njeriu. Nuk ka njeri kopje. Kopja , plagjiatura nuk ka vlerë.Po si mund të mbrohet e drejta e autorit, kur shteti stimulon ndërtimet pa leje duke i legalizuar. Kemi 400.000 ndërtime pa leje. Ky është treguesi. Kjo është historia më e rëndë, po këtë kush do e shkruaj..? Përderisa ne sillemi me natyrën dhe territorin në këtë mënyrë , çfarë t’i thuash një artisti se vjedh një melodi dhe shkon në Eurovizion…?
Letërsia e burgut, ku ju jeni një ndër autorët që e ka levruar, është një tjetër temë shumë pak e prekur në letrat shqipe. Si e shihni këtë letërsi, dhe a është prekur ajo nga plagjiatura?
Kujtime për burgjet, kampet dhe qendrat e internimit të viteve 1945 – 1990, kanë shkruar rreth 30 autorë ish të burgosur apo të internuar. Letërsi kanë bërë pak. Janë katër ose pesë. Megjithatë nuk do t’a quaja një prurje të pakët. Po të shohim letërsinë e burgut në Rusi, emra të njohur botërisht janë po kaq. Dhe Rusia pati miliona të burgosur dhe të internuar. Dhimbja nguroset në pak duar. Më pëlqejnë Lek Tasi, Zef Pullumbi, Fatos Lubonja. Për mua nuk ka ditur të shkruajë Pjetër Arbnori, meqenëse përmendet shpesh. Më ka çuditur gjithmonë fakti që Kasem Trebeshina dhe Arshi Pipa nuk kanë shkruar për burgjet e tyre. Nuk di si t‘a shpjegoj. Kjo për më tepër se ka pak, shumë pak, për kampet e para, e kam fjalën për Maliqin. Mitrush Kutelin nuk e fajësoj dot se ish shumë i trembur. E mbaj mënd kur vinte në klubin e Lidhjes. Ulej me kujdes me një buzëqeshje plot mirësjellje që nuk i ndahej kurrë. Sikur i falej dhe falënderonte JETEN që e la të jetojë. Në qetësinë dhe heshtjen e tij shprehej tmerri që kish kaluar. Po Arshi Pipa iku, ish në Amerikë, ish i lire…përse nuk shkroi. Mos ish një nga pikat e paktit që pati me Sigurimin që e nxori jashtë…? Nuk bisedoj për librin me POEZI,..poezia nuk jep të vërtetën, është një aludim, një perde filtrimi, jo një dokument. Vetëm proza është dokument. Mbi Poezinë nuk betohesh, mbi Prozën duhet të betohesh. Jam nga të parët që fillova të shkruaj letërsi burgu që në 1991, nuk kisha as një shembull. Botova tregime të shkurtra. Tani gjithsej janë afro 80 tregime , skica dhe ese. Jam munduar të jem i drejtë, i vërtetë dhe i paanshëm, si me të burgosurit e ndershëm, si me spiunët dhe me operatorët e diktaturës. Se ka dhe diktaturë të falsitetit, të gënjeshtrës dhe të mburrjes pa meritë. Shembull unikal është Engjëll Coba, është i vetmi që, si ka dalë nga një burg i gjatë shkroi kujtimet, por gjatë kohës më të egër të diktaturës. Është shembull i rallë guximi dhe ndershmërie. Ata që përbuz janë falsifikatorët, se ka edhe të tillë, bile edhe të mirënjohur. I shkruajnë sot dhe thonë i kemi shkruar në burg me mend…. Çdo letërsi është e prekur nga plagjiatura. Sidomos kjo lloj letërsie. Se është i vështirë, kontrolli mbi të… E di si më tha një ish i burgosur shkrimtar kur i thashë se ke marrë nja 20 ngjarje nga libri im…”po dhe unë isha aty”, tha.Mjafton të qenit aty në kohën që ishe edhe ti, që atë ata justifikojë për ç’do gjë që merr megjithëse i kisha të botuara. Letërsia është gjetje, si gjetja e kryqit ditën e ujit të bekuar në lumë. Të tjerët mund vetëm t’a puthin kryqin.
Duke u ndalur tek burgu. E kujtoni kohën kur ju arrestuan? Si mund ta përshkruani kaq vite më pas?
Po e kujtoj ekzaktësisht. Besoj se të gjithë që janë arrestuar njëherë e kujtojnë. Them NJEHERE, sepse të burgosurit e vjetër ( që ishin arrestuar dy ose tri herë) më thonin se me nuk të bën atë përshtypje si herën e parë. Më duket normale.Si puna e martesës. Kush është martuar për herë të dytë, nuk e ka pasur atë gëzim, si herën e parë. Kurse arrestimi i parë është shume tronditës. Është një ndarje me jetën me botën. Me atë botë dhe jetë që ke jetuar përpara. Marrin fund shumë gjëra, celen probleme të reja, një jetë krejt e panjohur. Dhe jo e lumtur. Nuk di ç’të pret. Komunizmi në përgjithësi ish sistemi i pasigurisë, i të papriturave. Por burgosja ish ekstremi i pasigurisë. Pastaj ajo që ish e veçantë në burgosjet komuniste, ish se Ti nuk përgjigjeshe vetëm për veten. Por për të tjerët. Do përgjigjeshe, për të afërmit e tu. Kjo ish më e rënda. Arrestimi ish një ndarje totale me të kaluarën, dhe një bashkim me një periudhe që do të vinte. Periudhë që do vazhdonte deri në vdekje. Një vdekje për së gjalli. Është si një vijë e drejtë me tush që mbyllet me një rreth. Pastaj do të jesh brenda rrethit. Përgjithmonë. Po tani që u bënë kaq kohë, e që ai arrestim është një film i largët, nganjëherë mendoj se pati edhe anë të mira. Më sakte mund të quhen të dobishme. Pati nga ata që lindën dhe vdiqën brenda komunizmit, si në një kuti kartoni. Nuk e kuptoja atëherë atë nënqeshje dinake që vijëzohej në fytyrat e tyre që kishin jetuar përpara në Evropë. Ata sikur na thonin, …”ju të mjerë nuk e dini ccështë lumturia…qofte edhe për një çast..”. E kuptova mbas vitit 1992 kur shkova për herë të parë në Paris në qytetin ku kisha lindur. E brezi jonë e kish një detyrë të madhe..por po të mos hyje në burg, këtë detyrë nuk mund ta realizoje plotësisht. Kjo detyrë ish të përshkruaje kuçedrën. Dhe në përrallat kuçedrën e njohin vetëm ata që futen te shpella e saj. Shpella e kuçedrës ish burgu. Mendoj se po të mos kisha bërë burgun nuk do kisha shkruar ato libra që kam botuar. As cikli i madh me VIZATIME MBI DIKTATUREN nuk mund të ish bërë. Jam i gëzuar që së fundi po vlerësohen në botë lart nga personalitete të shquara. Nuk mund të shpikesh dhimbjen as torturën as vuajtjen. Janë këto që krijojnë laboratorin e shenjave.
Bisedoi: A.Bardhyli
Pakoja e vogël
Maks Velo
Mbështjellë me beze
Një pako të vogël
Marr.
I dënuari
Maks Velo
Reparti 303
Spaç. Mirditë.
Hap kutinë.
Dy pako
100 gram kafe.
10 paketa.
“Partizani”
Dy shami bezeje.
Dy palë çorape të zeza.
Nuk kuptova dot domethënien…
Babai
Kish vdekur.
Kontrolli i fundit
Po lirohem
I plakur…
Sot hëngra supën
E fundit.
Bëra apelin
E fundit.
Kam edhe kontrollin
e fundit.
“Çfarë ke në thes”?
E zbraz.
Në tokë bien
Një palë rroba
me vija,
Mbathje të gjata
Me lidhëza,
Këmishë bezeje
E ashpër.
“Po këto ç\‘i do”?
“Për çdo rast
I ruaj në thes.
Janë rrobat e vdekjes”.
8 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)