Ish-gazetarja, Arbana Xharra, e cila ditë më parë iu bashkua partisë të cilën e kritikoi më së shumti, PDK-së, është rrahur mbrëmë brutalisht nga persona ende të panjohur.
Rasti kishte ndodhur mbrëmë pas mesnatës ndërsa në QKUK ishte dërguar nga bashkëpartikët e saj.
Ndërkaq, këtë rast e kanë dënuar shumë qytetarë të thjeshtë e njerëz të politikës.
Kryeministri në largim, Isa Mustafa, këtë sulm e ka quajtur akt të ulët dhe të turpshëm.
“Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Mustafa.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në Facebook, ka thënë se “me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë”.
“Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë”.
“Si shoqëri nuk bën të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë”.
“Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë”.
“Organet e rendit duhet ta zbardhin në tërësi rastin dhe t’i sjellin sulmuesit para drejtësisë”, ka komentuar Thaçi.
Enver Hoxhaj, ministri në largim i Punëve të Jashtme, është ndierë thellësisht i tronditur nga “sulmi qyqar ndaj Arbana Xharrës”.
“I shokuar nga ajo që mund ti ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktiviste të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar t’i thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon. Kemi dështuar të tërë që nuk kemi mbrojtur një grua e cila i thotë mendimet ndryshe. Jo toleranca jonë ndaj njerëzve që nuk pajtohemi me ta po na shtyn drejt këtyre ngjarjeve të papranueshme. Mjaft më! Të bashkëndjejmë të gjithë. Ta dënojmë të gjithë! Sulmuesit para drejtësisë. Arbana, shërim të shpejt”, thuhet në reagimin e Hoxhajt.
Sulmin e mbrëmshëm ndaj Arbana Xharrës e ka dënuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Sulmi ndaj Arbana Xharrës, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Aktet e tilla janë edhe kundër logjikës dhe traditës shqiptare. U kërkoj organeve të rendit që ta zbardhin këtë rast, dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kryesit e këtij akti të lig”, u shpreh Haradinaj.
Po ashtu, shërim të shpejtë dhe kapje të kriminelëve i ka uruar edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.
“E kam thënë edhe kur u sulmuan Dardani dhe Agroni se ata që sulmojnë prapa krahëve dhe në errësirë janë as më shumë dhe as më pak kriminel por mbi të gjitha frikacakë e qyqarë. Metodat e tilla, tashmë janë të njohura për ne! Moszbardhja e kërcënimeve dhe sulmit ndaj aktivisteve tanë, i ka inkurajuar sulmuesit e kriminelet, që për bindjen time janë nga e njëjta adresë, sepse janë metoda SHIK-iste! Uroj që kriminelët të identifikohen sa më parë dhe të dalin para drejtësisë! Arbanës, shërim të shpejt”, ka shkruar ajo.
Edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj Xharrës, duke thënë se dhuna nuk arsyetohet me kurrgjë, posaçërisht dhuna ndaj një gruaje, sado keqkuptime a inate që mundesh me pas me të në shpi, punë, apo thjesht, në rrugë.
“Arbanë, njajtë si për ty, qashtu edhe për plot gra që janë abuzue e vra prej burrave të tyne, edhe për plot aktivista që janë rrehë e vra për shkak të bindjeve të tyne politike, edhe për plot studenta e nxanësa që po rrahen e vriten nëpër oborre të shkollave, unë s’kam me u ndalë tuj lypë drejtësi. Qekjo shoqni, me qet sistem, po krijon bisha. Në mungesë të drejtësisë, këto bisha po e marrin lirinë me rrehë, dhunue e vra, pa frikë se kanë me u zanë. More, qoftë nga problemet familjare, politike apo fetare, ai që është i dhunshëm duhet me shkue n’burg. Pikë. Sinqerisht po shpresoj se ata që të sulmuen kanë me u gjetë edhe dënue sa më shpejt. Por edhe sinqerisht po shpresoj që kurrkush nuk ta (keq)përdorë këtë incident për përfitime politike, duke e dijtë se kujt iu ke bashkëngjitë. E as mos e përjashto mundësinë që pikërisht ata vetë kanë mujtë me ta ba këtë, tuj i njoftë çka janë në gjendje me ba, e qe ti henez ke me e kuptue. Të dëshiroj shërim të shpejtë, e të uroj angazhim të pashoq në luftën kundër dhunës, posaçërisht asaj ndaj grues. Qaty ku munden edhe rrugët me na u kryqye nganjëherë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Edhe ministri tjetër në largim, ai i Diasporës, Valon Murati, ka thënë se sulmi ndaj Xharrës, “edhe pse pa i pasur informatat e plota, po reflekton linçimin publik që iu bë veprimeve të saj të fundit politike”.
“Liria e mendimit, shprehjes dhe e përcaktimit politik janë themelet e një shoqërie të lirë, vlera pa të cilat nuk mund të ndërtojmë demokracinë. Është obligim i gjithë nesh që t’i mbrojmë këto vlera, sepse nëse bëhemi opurtunistë, shumë lehtë mund të jemi viktima e radhës e intolerancës. Shpeshherë mund të mos na pëlqejnë mendimet e të tjerëve dhe shprehja e tyre publike, por përveç tolerancës, debatit publik apo edhe të padisë civile kur konsiderojmë se liria e shprehjes është keqpërdorur për të shpifur, rrugët e tjera na dërgojnë në anarki të dhunshme ose totalitarizëm. Sulmi i sotëm ndaj Arbanës, edhe pse pa i pasur informatat e plota, po reflekton linçimin publik që iu bë veprimeve të saj të fundit politike. Të gjithë duhet të solidarizohemi me të pa marrë parasysh a pajtohemi me atë që tha publikisht pardje apo atë që veproi politikisht dje. Të gjithë duhet ta shohim veten në sy sesa po i kontribuojmë këtij ambienti linçues. Në fund, organet e sigurisë dhe ato të zbatimit të ligjit duhet të jenë të pakompromis ndaj gjithë atyre që kërcënojnë sigurinë e jetës së njeriut për shkak të mendimit politik dhe shprehjes së lirë”, ka shkruar Murati.
“Nuk ka motiv që justifikon një sulm të tillë. Aktorët të përballen me drejtësi”, ka shkruar në Facebook, zyrtari i AAK-së, Avni Arifi.
Drejtoresha ekzekutive e “Grupit KOHA”, Flaka Surroi, ka thënë se sulmi ndaj Xharrës është i gabuar dhe kryesit e tij duhet dënuar.
“Kushdo dhe për çfarëdo motivi ta ketë sulmuar Arbanën, e ka gabim dhe duhet të dënohet. Mospajtimet, çfarëdo qofshin, duhet të zgjidhen me argumente e jo me dhunë”, ka shkruar Surroi.
Edhe redaktorja e politikës në “Kohën Ditore”, Brikenda Rexhepi, e ka dënuar aktin e dhunës së ushtruar ndaj Arbana Xharrës, duke thënë se “problemi nuk është te mungesa e lirisë së shprehjes, por te liria e krimit”.
“Arbana është viktimë e një prokurorie që nuk ndjek kriminelë, e një sistemi të drejtësisë që i mban të lirë dhe e një shteti që i ushqen ata”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.
Producenti dhe autori i emisionit “Rubikon” të KTV-së, Adriatik Kelmendi, sulmin ndaj Xharrës e ka lidhur me gjuhën e ndyrë të përdorur ndaj saj kohëve të fundit në rrjetet sociale.
“Si duket na kanë lënë bukur pasoja traumat e luftës! Se vështirë të shpjegohet ndryshe nevoja e ethshme për gjetjen e individëve, të cilëve duhet në korr t’i bëjmë linç publik – me mllef, sharje e mallkime – vetëm se nuk pajtohemi me qëndrimet personale të tyre, orientimin jetësor të tyre. Sulmi i ligë ndaj Arbana Xharrës është ndërsyer edhe nga gjuha e ndyrë e përdorur ndaj saj kohëve të fundit në rrjetet sociale. Ngjashëm ndodhi edhe para pak kohësh ndaj shoqëruesit të Dardan Molliqajt. Me këtë mendësi së shpejti do të shohim edhe viktima. E viktimat do të jemi ne, shqiptarët, që kemi filluar të mos e durojmë njëri-tjetrin. Deri në linç, publik e fizik”, ka shkruar Kelmendi.
Kolumnisti i rregullt i “Kohës Ditore”, njëherësh drejtor në Institutin RIINVEST, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mospajtimet politike s’mund të përfundojnë në dhunë fizike.
“Sidomos ndaj një nëne e një gruaje të pambrojtur. Sot, të sulmuar jemi të gjithë. Ngjarje e mjerë. Fatkeqësisht, shteti i kapur s’ka për të zbardhur as këtë rast ndonjëherë. Si tolerues të zakonshëm të dhunës, e shkaktarë të shpeshtë të saj, të njëjtit mbijetojnë mes frikës lehtë”, ka shkruar ai në faqen e tij në Facebook.
Analisti dhe opinionisti i rregullt i “Kohës Ditore”, Halil Matoshi, ka thënë se sulmi mbi Arbanën është sulm mbi themelet e lirisë së Kosovës.
“I pajetueshëm është ai vend ku sulmohen e rrihen lajmësit (gazetarët) dhe akecili qytetar. I shkretë është një komb që ngrihet n’mëngjes me lajme të tilla. I lig është ai njeri dhe ajo mendje kriminale që ngre dore mbi një grua e nënën! Republika ka me u rezistue barbarëve dhe ka me i mund ata. Jam i sigurt”, ka komentuar Matshoi.
Reagim ndaj këtij sulmi ka pasur edhe nga ish-deputetja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku, e cila ditë më parë lajmëroi se do të tërhiqet nga politika aktive.
Ajo thotë se për shkak të rastit të Arbanës “nuk duhet pushuar së kërkuari drejtësi e sundim të ligjit sepse në një vend ku behet “normale” me vra, me rreh e me kërcënuar, e ku askush kurrë nuk dënohet ose kur dënohet nuk e merr dënimin e merituar, kriminelët marrin krahë dhe fuqizohen”.
“Amnistinë ua jep edhe heshtja jone kolektive”, thotë Demaku.
“Arbana e kaloftë shpejtë këtë përjetim të tmerrshëm dhe qoftë viktima e fundit. Kushdo që e sulmoi e marrtë dënimin e merituar”, u shpreh ish-deputetja Demaku. /Koha.net