Lidhja e papritur e koalicionit në mes të tri subjekteve politike, PDK-AAK-Nisma, që kishin një armiqësi të pashembullt në mes tyre gjatë së kaluarës së gjatë, nga analistët politikë po shihet edhe nga këndvështrimi i qëllimit të bashkimit në një bllok të përbashkët, si krah i luftës për shkak të Gjykatës Speciale për të provuar dhe për të mundur ta ndryshojnë ligjin e kësaj gjykate, meqë edhe në legjislaturën e fundit kishte disa nisma për ndryshimin e këtij ligji, por që nuk gjetën mbështetje të mjaftueshme. Tani se a do të mundet koalicioni i luftës, nëse i fiton zgjedhjet, të bëjë këto ndryshime kur nuk do ta ketë as përkrahjen ndërkombëtare dhe a do të rrezikojë t’i fusë në krizë këtë marrëdhënie me ndërkombëtarët, analistët thonë se mbetet një çështje që pritet të shihet në të ardhmen. Eksperti i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, thotë se ndikimi mund të jetë i madh dhe kapital, i rëndë dhe sfidues, kur dihet që nëse fiton krahu i luftës, që realisht e ndien veten të kërcënuar nga kjo gjykatë.
Prekja e Speciales, me efekte negative
Sipas Burjanit edhe veprimet mund të shkojnë në atë drejtim, pavarësisht se a do të mund t’i dilet me sukses dhe a do të pranohet një tendencë e tillë. “Janë grupuar në një koalicion të qëllimshëm që është tregues jo edhe i mirë, tregues tjetër është humbja e popullaritetit tek qytetarët, kur ata tentojnë që të gjithë së bashku ta rikthejnë pushtetin e tyre në mënyrë të fuqishme, duke mos hequr dorë nga pushteti me çdo kusht. E sprova më e madhe do të jetë për këtë koalicion kjo gjykatë”, u shpreh ai. “Unë konsideroj se, pavarësisht asaj që mund të synohet një ndryshim ligji, askush s’ka shpëtim veç vonim. Pra, ka procese të vështira për krahun e luftës, të cilët janë bërë bashkë mbase edhe për të shpëtuar më lehtë dhe për t’u përkrahur nga të tjerët. Pra, ka mjaft probleme të mëdha me këtë koalicion, ngase dihet mirëfilli që një shumicë e tyre janë në procedurë gjyqë- sore”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Mirëpo, ataku në Ligjin për Specialen, Sipas Burjanit, mund të japë efekte negative. “Ky koalicion edhe po të fitojë nuk do të mund ta rikthejë Ligjin për Gjykatën Speciale në rend dite për plotësim-ndryshim. Realisht përpjekjen mund ta bëjë, por do të ballafaqohet me probleme tjera të natyrave të izolimit, edhe të tyre si politikanë, por edhe të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve”, tha Burjani.
Një gjykatë e padrejtë
Është profesor Muhamet Kelmendi që thotë se personalisht, edhe në cilësinë e ish-politikanit, por edhe si ekspert i fushës, ka qenë kundër një gjykate të tillë të padrejtë dhe mendon që legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës dhe Qeveria duhet ta anulojnë atë si të tillë.”Unë de-fakto kam qenë dhe jam kundër Gjykatës Speciale. Kjo për faktin se është në kundërshtim me parimet bazike mbi luftërat e drejta dhe të padrejta, si dhe me parimet mbi të cilat është ndërtuar e drejta ndërkombëtare. Sipas kësaj, çdo vend dhe politikë, apo shtet, i cili është agresor dhe dhunon, kryen krim gjenocide mbi një popull, e humb sovranitetin dhe vendoset nën kontrollin ndërkombëtar. Te Serbia dhe ish-Jugosllavia nuk u veprua kështu. Serbia bëri luftë dhunuese dhe gjenocid në Kosovë. Ajo vrau dhe masakroi mbi 13 mijë shqiptare brenda një periudhe prej disa muajve. Dogji dhe plaçkiti më se 150 mijë objekte. Qeveritarët dhe njerëzit e regjimit shovinist gjenocidial dhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare dhe i dëbuan mbi 1 milion shqiptar”, tha Kelmendi, duke konsideruar se një speciale e ngjashme me atë për Kosovën do të duhej gjykuar pikërisht ato krime dhe jo për të ndjekur dhe kërkuar kriminelë tek viktima. “Kriminelët e udhëheqin sot Serbinë, Aleksandër Vuçiq ishte ministër i Informacionit në kohën kur u bë dhuna dhe u bë gjenocidi në Kosovë. Daçiq ishte shef i zyrës së informimit të kriminelit Millosheviq. Edhe ushtarakët aktualë ishin në ballë te dhunës. Askush nuk u përgjigj”, potencoi Kelmendi.