(E plotësuar) Në fillim të seancës së sotme në rastin “Kleçka”, prokurori Maurizio Salustro ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i fusë si prova edhe dy deklarata të të ndjerit Agim Zogaj, të cilat i kishte dhënë në KFOR dhe EULEX, lidhur me dorëzimin e dy armëve.
Pas fjalës së prokurorit ka reaguar pala mbrojtëse, duke kundërshtuar që këto deklarata të merren si prova për faktin se administrimi i provave ka përfunduar. Por trupi gjykues vendosi në favor të kërkesës së prokurorit Salustro.
Ndaj këtij vendimi të trupit gjykues, ka reaguar edhe Fatmir Limaj, duke u shprehur i pakënaqur me trupin gjykues se si po lejon këso sjelljesh të prokurorit Salustro. “Si e morët vendimin për këto dokumente nuk dua të komentoj, mirëpo nuk mundem pa shprehur shqetësimin tim, sepse nuk është hera e parë që po ndodh kështu, sikurse ekziston një mekanizëm i veçantë në EULEX dhe KFOR vetëm për prokurorin Salustro. Konkretisht, sikurse me qenë dy EULEX-a dhe dy KFOR-a për prokurorin. Kjo çështje më shqetëson, sepse prokurori po del sikurse të jetë president i shtetit. Ky po del se është mbret. Ky po del sikurse me udhëheq me shtetin dhe gjykatën”, ka thënë Limaj, shkruan Epoka e re.
Prokurori Salustro është duke vazhduar me fjalën e tij përfundimtare në këtë rast.
Sot fjala e fundit e Salustros për rastin “Kleçka”
Prokurori italian, Maurizio Salustro dhe pala mbrojtëse, sot do ta paraqesin fjalën përfundimtare në rastin “Kleçka”, në të cilin akuzohen Fatmir Limajt dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij.
Pas fjalës përfundimtare të prokurorit dhe të palës mbrojtëse, trupi gjykues ka vendosur që t’i lërë në dispozicion edhe datën 10 dhe 11 shtator për seancë nëse ndonjëri prej avokatëve të të akuzuarve ka për të thënë pas fjalës së prokurorit.
Ndërkohë dje është liruar nga arresti shtëpiak Fatmir Limajn dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij.
Avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka shprehur optimizëm se më 17 shtator Limaj dhe shokët e tij do të shpallen të pafajshëm sikurse në maj të vitit 2012. “Mbrojtja e Limajt është e bindur se mund të ketë vetëm aktgjykim lirues për Fatmir Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij”, ka thënë Gashi.
Kryetari i trupit gjykues në rastin “Kleçka”, ndaj të akuzuarve për krime lufte Fatmir Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, do ta jap vendimin përfundimtar me 17 shtator.