33.4 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025

Refuzohet dëshmia e Sylë Hoxhajt

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, tani prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Sylë Hoxha është propozuar për t’u dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, në çështjen penale që po zhvillohet kundër prokurorit të suspenduar, Bajram Hamitaga dhe shoferit të tij, Luan Delili. Mirëpo, Gjykata Themelore në Gjilan në seancën e së enjtes e ka refuzuar një propozim të tillë.

Propozimi për dëgjimin e ish-kryeprokurorit Hoxha erdhi nga mbrojtësi i të akuzuarit Hamitaga, avokati Elmi Qerimi, sipas të cilit dëshmia e të lartpërmendurit është e rëndësishme, marrë parasysh faktin që i njëjti, në cilësi të kryeprokurorit të  Prokurorisë Themelore në Prizren, ka qenë i njoftuar me rrethanat e rastit dhe me të gjitha veprimet e marra nga ana e klientit të tij. Avokati Qerimi, deklaroi se kjo do të ndihmonte në sqarimin e shumë fakteve të cekura në aktakuzë.

Gjykata, po ashtu refuzoi dëgjimin e Shukri Rexhës, Luan Kadrijës dhe Hajredin Gushit, të cilët sipas mbrojtjes, do të ndihmonin në zbardhjen e rastit.

Ndryshe, në seancën e së premtes, ka dhënë dëshminë e tij, Sadri Paçarizi. I njëjti në pyetjet e prokurorit të kësaj çështje penale Arben Ismajli, deklaroi se i akuzuari Hamitaga, i ka kërkuar 5000 euro për rastin e Granit Paçarizit, pasi që i njëjti kishte kryer një vepër penale në një restorant në Prizren.

Dëshmitari Sadri Paçarizi bëri të ditur se i akuzuari Hamitaga, në kohën sa ka qenë prokuror, ka sjellë një kositëse në punëtorinë e tij pa emër, të cilën e përdor vetëm për nevoja shtëpiake. Dëshmitari, tha se i akuzuari Hamitaga e kishte sjellë për ta rregulluar kositësen, para se të mbaheshin dy ose tri seancat e fundit ndaj Granit Paçarizit, ku ky i fundit gjykohej në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Në atë kohë sipas dëshmitarit, Granit Paçarizi nuk ka qenë në masën e paraburgimit por në liri.

“Kam pranuar që të bëj riparimin e kositës pasi që sipas meje kam pasur hall për djalin tim dhe e kam paramenduar arsyen pse ka ardhur” u shpreh dëshmitari, i pyetur nëse e dinte arsyen e ardhjes së të akuzuarit Hamitaga.

Ndërsa, dëshmitari theksoi se i akuzuari Hamitaga kishte shkuar për herë të dytë që ta riparonte këtë kositëse, mirëpo sipas tij ata nuk kishin biseduar.

Gjatë dhënies së dëshmisë, Sadri Paçarizi deklaroi se ai kishte marrë një telefonatë prej dikujt, që ditën e nesërme të takohet me të akuzuarin Hamitaga, në restorantin “Piknik”.  “Djalin e kam të sëmurë, kam dashur të vi dhe ti kërkoj 5000 euro, e di që nuk më kishe kthyer” ishin fjalët të cilat i kishte thënë i akuzuari Hamitaga, sipas dëshmitarit.

Dëshmitari, deklaroi se pas përfundimit të aktakuzës së dytë ndaj Granit Paçarizit, i akuzuari Luan Delili kishte shkuar në një restorant në Prizren dhe i kishte thënë të njëjtit se e kishte dërguar i akuzuari Hamitaga. Sipas dëshmitarit, i akuzuari Delili kishte kërkuar që të ndërpriten  këto gjëra që po ndodhin dhe ata do të heqin dorë.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të këtij dëshmitari, i akuzuari Hamitaga deklaroi se ka vërejtje në deklaratën e dëshmitarit pasi që e njëjta është tendencioze dhe hakmarrëse.

I akuzuari Hamitaga shtoi se i akuzuari Delili e kishte dërguar kositësen për ta rregulluar në punëtori. Një gjë e tillë, sipas të akuzuarit, kishte ndodhur derisa ai ka qenë në pozitën e avokatit. Ai, gjithashtu theksoi se nuk e kishte ditur se pronar i asaj punëtorie kishte qenë, Sadri Paçarizi.

Gjatë këtij procesi gjyqësor, i akuzuari Hamitaga shtoi se që nga 22 shkurt 2012 e deri kur ishte suspenduar më 28 maj 2016, nuk ka pasur asnjë kontakt fizik me dëshmitarin Sadri Paçarizi.

Pas shqyrtimit të provave të propozuara nga mbrojtja, gjykata mori vendim që në seancën e radhës e cila pritet të mbahet më 11 korrik, në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Sali Rexhë Bytyqi.

Prokurori Hamitaga, akuzohet se nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015 nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitoi dobi pasurore për vete dhe djalin e tij. Sipas aktakuzës, Hamitaga sa ka qenë duke e hetuar dhe zhvilluar procedurën penale, ku si i pandehur ka qenë Granit Paçarizi si dhe disa të pandehur të tjerë, është takuar disa herë me familjarët e Paçarizit. Gjatë kësaj periudhe sipas prokurorisë, derisa Paçarizi ka qenë në masën e paraburgimit dhe masën e arrestit shtëpiak, i pandehuri Hamitaga, pa pagesë ka rregulluar dy herë kosën për prerjen e barit si dhe nga ata ka marrë një çadër në fermën e prindit të Paçarizit. Tutje sipas aktakuzës, Hamitaga, familjarëve të Paçarizit iu kishte thënë “qe një kohë djalin e kam të sëmurë dhe kam dashur me i kërkuar 5.000 euro nga ju, e di që nuk me kishit kthyer, por shkaku i këtij rasti, nuk kam mundur të ju kërkoj para hua”.

Të gjitha këto veprime, i pandehuri Hamitaga, supozohet se i kishte kryer gjatë zhvillimit të hetimeve, ku Granit Paçarizi akuzohej për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”. Ndërkaq, shoferi i tij Luan Delili, më 8 prill 2016, duke premtuar, kishte nxitur një person që të tërhiqej nga dhënia e disa deklaratave, ku kishte thënë se prokurori Bajram Hamitaga, ia kishte kërkuar 5.000 euro nga disa persona për të kryer një çështje.

Konkretisht, prokurori Bajram Hamitaga akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Luan Delili për veprën penale “frikësimi gjatë procedurës penale”./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Shpërthen zjarr në afërsi të ish-hekurudhave në Prizren, s’ka të lënduar

Në afërsi të ish-hekurudhave në Prizren, hapësira mes rrugëve “Wesley Clark” dhe “Ekrem Rexha” ka shpërthyer zjarr. Fatmirësisht nga ky rast nuk është lënduar askush,...

Vedat Muriqi viziton ish-klubin e tij të fëmijërisë

Vedat Muriqi e ka vizituar klubin e tij të parë, FC Liria. Kjo u bë e ditur përmes njëpostimi në Facebook nga ekipi prizrenas. Sulmuesi i...

Lajmet e Fundit