11.1 C
Prizren
E shtunë, 17 Maj, 2025

Disa qasje nga historiografia shqiptare mbi Fan Nolin

Shkruan: Liridon Agushi

Fan Stilian Noli padyshim është një nga figurat më të shquara dhe më erudite që ka historia e Shqipërisë, i cili si i tillë ka, zgjuar interesimin e shumë studiuesve të historisë, të huaj e shqiptarë, për ta trajtuar në suaza shkencore këtë figurë kombëtare. I lindur më 6 janar 1882 në Ibriktepe të Trakësi, Fan Noli do të bëhej një personalitet i shumanshëm që u shqua në shumë fusha. Noli u shqua si: shkrimtarë, poliglot, orator, politikan, historian dhe teolog. Mes tjerash, ai ishte në diplomat i zoti, një debatues i fort dhe një njohës i shumë gjuhëve të botës si: greqisht, latinisht, turqisht, anglisht, frëngjisht etj. Shikuar në prizmin e historiografisë shqiptare, figura e Fan Nolit mundë të themi, se është një nga figurat më komplekse të historisë së Shqipërisë.

Figura e Nolit si politikan dhe Nolit si patriot, janë si dy anë të një medalje. Një gjë të tillë lë të nënkuptohet vlerësimi i një pjese të madhe të studiuesve. Kështu Sejfi Vllamasi bashkëkohës dhe kundërshtar politik i Nolit shprehej, në : ”Unë përulem me respekt përpara shërbimeve të tij. Por unë nuk kam punë me këtë vigan letrar dhe krijuesin e kishës autoqefale që varrosi ëndrrat greke për grabitjen e Shqipërisë së Jugut. Unë kam punë me Nolin si politikan, i cili në fushën e politikës i ka bërë dëm çështjes”. Në të njëjtin pozicion vlerësimi qëndron edhe një tjetër bashkëkohës i Nolit, Teki Selenica që shkroi veprën “Shqipëria më 1927” gjatë vitit 1928.

 

Teki Selenica në librin në fjalë jep një vlerësim për figurën e Nolit si një historian dhe si një bashkëkohës. Selenica duke qenë “vëzhgues” i ngjarjeve në një formë, potencon gabimin e dështimit të Nolit si politikan, për ta quar deri në fund idenë e reformës agrare. Libri në fjalë fokusohet në statistika të gjendjes ekonomiko-shoqërore, për të argumentuar nevojën për reformat imediate që nuk ndodhën në kohën e qeverisjes së Fan Nolit.

Megjithatë, diçka duhet të kemi parasysh, se konkluzionet, edhe të Selenicës edhe të Vllamasit janë vlerësime që vijnë nga njerëzit që kanë jetuar në kohën e Nolit, sado që janë një vlerë e shtuar në historiografinë shqiptare, sipas mendimit tim ato duhet të trajtohen më profesionalisht. Kujtojmë, që Selenica dhe Vllamasi ishin personalitete, që në një formë ose tjetër, ishin pjesë e politikës shqiptare të kohës. Duke e pasur një pozicion politik të caktuar, ka gjasa që të dëmtohet objektiviteti historikë kur sillen konkluzione të caktuar, sepse vlerësimi si oponent politikë dhe si personalitet i historisë, janë dy gjëra që në një masë të caktuar nuk përkojnë me njëra-tjetrën.
Pak a shumë në të njëjtën linjë janë dhe studiuesit tjerë shqiptarë, të cilët bëjnë vlerësime të ndryshme të figurës së Fan Nolit, kur bije fjala për Nolin si politikan dhe Nolin si patriot.

Përjashtim prej kësaj vije, ndoshta mundë të themi se bënë studiuesi i mirënjohur shqiptar Aleks Buda, i cili shprehte vlerësime maksimale për figurën e Fan Nolit në tërësinë e saj. Aleks Buda i jep me të drejtë merita të jashtëzakonshme Fan Nolit, për procesin shkëputjes së ortodoksisë shqiptare nga Patriarkana, duke siguruar në këtë mënyrë pavarësinë kishtare nga ajo. Sipas Budës ky ishte një hap i madh dhe i domosdoshëm që i doli përballë politikës shkombëtarizuese greke, me qëllim të aneksimit të Shqipërisë Jugore. Ndërsa do ta quante Nolin burrë shteti, politikan e udhëheqës politik, prof. Buda do të shihte në këtë figurë edhe disa mangësi që në konceptin e tij “mund të konsiderohen, si një aspekt që i nënshtrohet më tepër realitetit të kohës. Po ashtu, studiuesi Arshi Pipa e ka parë Nolin si një figurë të rëndësishme të politikës shqiptare por që nuk e çoi misionin e tij politik dhe kombëtarë deri në fund. Sipas mendimit të tij “ të bësh revolucion dhe të qeverisësh një komb janë dy gjëra të ndryshme. Noli ishte mjaft i përshtatshëm për të parën, por jo për të dytën”. Ndërsa akademiku Rexhep Qosja, në librin “Shkrimtarë dhe periudha” ndan mendimin se “ Noli ka dështuar si demokrat dhe ne e kemi humbur demokracinë në kohën kur atë nuk e kanë pasur as popujt e tjerë të Ballkanit”.

Ndërsa ka edhe nga ata që tek cilësit e Nolit shquajnë aftësitë dialoguese dhe diplomatike të tij. Një gjë të tillë e targeton historiani i njohur Paskal Milo, i cili me një kumtesë me titullin ”Fan S. Noli si diplomat” , në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave në Shqipëri, me rastin e 90 vjetorit të qeverisjes së tij, shpreh vlerësim për oratorin dhe shumanshmërinë, në kuptimin pozitiv, e Nolit në këtë fjalim. Por megjithatë duhet theksuar se P. Milos më shumë përshtypje i bënë angazhimi diplomatik i Nolit gjatë vitit 1920, që u kurorëzua me suksesin e anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve.

Ndërsa sa i përket kryeveprës politike të Nolit, “Revolucionit të Qershorit”, historianët përgjithësisht në tekstet e tyre e kanë vlerësuar më herët dhe vlerësojnë tani si të tillë, por ka edhe nga ata që nuk është i pajtimit me këtë përcaktim. Duhet thënë se si term, i shkonte përshtati historiografisë në kohën e komunizmit. Ndryshe nga që ishte e zakonshme në këtë kohë, kohën e komunizmit, historiani Tajar Zavalani, ka një qasje më kritike ndaj revolucionit të qershorit, ai pik së pari nuk është dakord që të quhet revolucion ngjarja në fjalë, ku thotë: “Ky përcaktim nuk është aspak i drejt. Revolucioni ndodhë kur një popull i tërë qohet peshë dhe lufton me armë për të rrëzuar regjimin që është në fuqi, me qëllim që me krijuar një formë të re shoqërore nga pikëpamja e administratës shtetërore, ndarjes së pasurisë, punimit të tokës, të industrisë, të arsimit dhe kulturës. Asnjë nga këto nuk u vërtetua në Shqipëri më 1924 dhe prandaj nuk mundë të bëhet fjalë për revolucion”

Sa i përket anës fetare të Nolit, në periudhën para komunizmit, ajo është vlerësuar lartë si një shembull i një prijësi fetarë që i kontribuon çështjes kombëtare pavarësisht divergjencave religjioze në masën e gjerë. Ndërsa në periudhën e komunizmit, fetarizmi i Nolit konsiderohet si një përcaktim i rrethanave të kohës, se sa një thirrje nga brendia e vetë Nolit. Një gjë të tillë e thotë Aleks Buda në librin e botuar nga Akademia e Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, mbi veprën e Fan Nolit. Mes tjerash, nga ana e Budës thuhet: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe(politikë dhe fetar)”.

Si konkluzion mundë të themi se, Fan S. Noli është pa dyshim një ndër personalitetet më të shquara të historisë kombëtare shqiptare. Si i tillë Fan S. Noli jo pakë tërhoqi vëmendjen e historiografisë shqiptare dhe jo vetëm. E tërë veprimtaria e tij si, publicist demokrat, orator njohës i mirë i fjalës së shkruar e të folur shqipe, politikan me një potencial të fuqishëm, iu kushtua jo vetëm mbrojtjes së interesave kombëtare por ashtu edhe luftës për ndërtimin e demokracisë së shtetin të ri shqiptar, gjë të cilën ja vlerëson historiografia shqiptare.
Pavarësisht ngarkimit të mundshëm ideologjikë që mund të ketë pasur figura e Nolit në një periudhë të caktuar, prapë se prapë mund të themi se, e tërë veprimtaria e tij, i bëri ballë kohës dhe mbeti e dokumentuar edhe në historiografinë e sistemit komunist, por edhe më herët, ashtu si edhe sot si një nga personalitetet më të shënuara të historisë. Në këtë kontekst, historiografia shqiptare konsideron se, Noli është përcaktuar si protagonist kryesor i një ndërmarrje të rëndësishme historike që paralajmëroi falimentimin e një rendi me tipare të forta mesjetare dhe bëri përpjekje për ndërtimin e shtetit demokratik.

Më Shumë

Muharremaj njofton se zjarri në pullazin e Shkollës Teknike në Suharekë është vënë në kontroll

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka njoftuar se flakët kanë përfshirë kulmin e një ankesi në Shkollën e Mesme Teknike respeketivisht IAAP...

Nuk e di çfarë t’i them dhembjes

Enver Sulaj Martirëve të Korishës, në përvjetorin e rënies Kush e ndali diellin mbi këto kodrina Kush i zuri pritë rrugëtimit drejt shpresës? Në sytë e flakës ra...

Lajmet e Fundit