Në përmbyllje të Karvanit XVIII të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” libër më i mirë për fëmijë u shpall “Ëndrra prej letre” i autores Erinë Rrahmani.
Në një takim që u mbajt sot në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të kryeqytetit, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” përmbylli aktivitetin e vet të edicionit të tetëmbëdhjetë me radhë.
Në informatën të cilën e paraqiti Xhevat Syla, koordinator, u tha se me gjithë mungesën e mjeteve materiale, falë gatishmërisë së shkrimtarëve për fëmijë u arrit të mbahet edhe një Karvan i kontinuitetit.
“U mbajtën mbi 20 takime letrare, kryesisht në vende ku Karvani nuk ka qenë më parë, e në të cilat me punimet e tyre u paraqitën shkrimtarët tanë për fëmijë, por edhe nxënësit krijues. Shkrimtarët kudo dhuruan librat e tyre më të rinj për bibliotekat e shkollave, por edhe për nxënësit talente të reja letrare. Në shumë mjedise u mbajtën edhe biseda të frytshme me nxënës, në të cilat u fol për librin si vlerë e rëndësishme në edukimin dhe formimin intelektual të fëmijëve, si dhe për probleme të krijimtarisë letrare, ku posaçërisht u theksua interesimi i nxënësve që doli nga pyetjet e tyre shumë interesante”, thuhet në njoftimin për media nga organizatorët e këtij Karvani.
Në këtë takim juria në përbërje Prend Buzhala, Ibrahim Kadriu dhe Xhevat Syla paraqiti raportin për vlerësimin e librave konkurrentë për Çmimin “Ymer Elshani” që jepet për librin më të mirë për fëmijë të botuar brenda periudhës midis karvanëve.
Nga raporti të cilin e paraqiti Prend Buzhala, kryetar i jurisë, doli se juria libër më të mirë për fëmijë të botuar brenda kësaj periudhe veçoi përmbledhjen me vjersha për fëmijë të autores Erinë Rrahmani, me titull “Ëndrra prej letre”.
Në falënderimin e saj në këtë takim, autorja Erinë Rrahmani shprehi gëzimin që ky çmim i jepet nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” , i cili e mirëpriti atë në radhët e veta që në moshën e saj të re, si dhe gëzimin që ky çmim mban emrin e njërit prej shkrimtarëve më të shquar dhe më tragjik jo vetëm të letërsisë sonë për fëmijë.