Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka shqyrtuar pagesat për mirëmbajtje dhe riparim të automjetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit. Shqyrtimi është bërë pasi që Raporti i Auditimit për vitin 2012, kishte konstatuar shkelje të procedurave të prokurimit dhe pagesën e dyfishtë të një fature. Monitoruesja e “EC Ma Ndryshe”, Elmedina Baxhaku tha se kanë kërkuar sqarime nga Komuna e Prizrenit në lidhje me këto lëshime. “Përgjigja e vetme është pranuar nga Sektori Teknik, që shpjegon se ‘me fajin e kryerësit të punëve është bërë duplifikimi i faturës nr. 1892/s të paguar paraprakisht me datën 19.04.2012”, tha ajo.
Sipas saj Sektori Teknik i Komunës së Prizrenit, ka pohuar se fatura kontestuese me të arritur në komunë më 10.07.2012 nuk ka figuruar si faturë e paguar në pasqyrën financiare të komunës prandaj dhe është dhënë leja për fshirjen e borxhit, pa u vërejtur gabimi.
Në Raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm thuhet se “Komuna kishte bërë shpenzime të pa kontraktuara dhe pa procedura të prokurimit për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjetit të kryetarit në vlerë prej 3,977 euro”, nga viti 2008 deri në vitin 2012. Mirëpo ky autoritet shtetëror ka hasur edhe në një rast kur një faturë është paguar dy herë nga mjetet e buxhetit komunal.
“Ne kemi rishikuar këto pagesa dhe kemi vërejtur se ishte bërë pagesë e dyfishtë e faturës 1892/S në vlerë prej 336€. Kjo faturë ishte prezantuar në faturën përmbledhëse me nr. 001 të datës 10.04.2012 dhe po ashtu edhe si faturë e veçantë e datës 12.12.2011”, thuhet në raportin e ZAP-it.
Në ndërkohë Auditori i ka gjetur këto lëshime dhe zyrtarët e Sektorit Teknik theksojnë se menjëherë e kanë reklamuar lëndën në servisin përkatës dhe pas pajtimit parimor është arritur marrëveshja gojore “që në servisimin e parë të ardhshëm të bëhet kompensimi”. Sektori Teknik thekson se fjala është për pagesën e pjesshme të faturës 001 të datës 10.07.2012 në shumën prej 336,32 euro dhe jo tërësia e saj dhe se në rast të mos realizimit të premtimit nga punëkryesi pagesa do të kërkohet me rrugë ligjore.
“EC Ma Ndryshe përkujton konstatimin mbi rrezikun të Auditorit, i cili ia tërheq vërejtjen zyrtarëve komunal se ‘dështimi i ndjekjes së procedurave të duhura të prokurimit dhe udhëzimeve shoqëruese ka rezultuar me pagesa të pa rregullta dhe humbje financiare për Komunën’ dhe se ‘ekziston rreziku i mëtejmë se është arritur vlerë e dobët për paranë e shpenzuar për këtë kontratë’”.
“EC Ma Ndryshe” rekomandon Komunën e Prizrenit që sa më parë të zbatojë rekomandimin me numër 8 të raportit të ZAP-it, me të cilin kërkohet nga Kryetari i Komunës që të shqyrtojë arsyet pse kërkesat e prokurimit publik nuk janë aplikuar në këto raste dhe të sigurojë që janë vendosur kontrolle të duhura, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten;
“Po ashtu kërkojmë që Komuna të respektojë dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik në çdo shërbim, furnizim e tender”.
Komuna e Prizrenit po ashtu rekomandohet gjitha pagesat të bëhen në pajtim me kërkesat e kontratës dhe vetëm pasi të jenë bërë verifikimet e duhura se mallrat shërbimet e kontraktuara janë pranuar në sasinë dhe cilësinë e duhur. “T’i kushtojë kujdes maksimal shpenzimit të parasë publike dhe t’i kontrollojë në mënyrë më rigoroze pasqyrat financiare dhe borxhet e papaguara”. /PrizrenPress.com/