Kali është përdorur për ndarjen e pleqësive të shumta në Has, shprehet Nexhat Çoçaj. Ai thotë se kali është kafsha më fisnike që e do njeriu dhe nëpër kohë e shekuj ka qenë e lidhur një bashkë- jetesë mes kalit e njeriut që ka qenë simbol pune, ekzistence, jetese dhe mbijetese, por edhe një metaforë bukurie dhe ndjeshmërie artistike. “Më shumë se çdo kafshë tjetër, ai ka qenë i pranishëm në përfytyrimet mitologjike dhe në gjurmët gjuhë- sore. Pegasi fluturues që nga mitologjia është personifikim i përfytyrimeve më të guximshme të ndjenjave njerëzore” shpjegon ai.
Çoçaj tregon se në shumë raste kali është përdorur për të mësuar kur njeriu është i vdekur apo jo, ngase kali as sot nuk e kalon njeriun e vdekur. Ai shton se është vetmja kafshë fisnike që e kupton shpirtin e njeriut. “Kur pleqtë kanë ndarë ndonjë pleqësi e kanë marrë kalin si dëshmi. Sepse kali varrin e hapur nëse aty ka njeri të cekur nuk e kalon për asnjë torturë. Bile në Has është përdorur shpesh për të mësuar kur njeriu ka rënë në komë, për të provuar se a është i gjallë apo i vdekur”, është shprehur ai. Profesor Shaban Çerreti ka bërë shumë hulumtime në këtë drejtim në krahinën e Hasit, ku ka kushte të favorshme për mbarështimin e kuajve. “Që nga kohët e vjetra, hasjanët e kanë çmuar kalin më shumë nga të gjitha kafshët e tjera, të cilët e kanë ndihmuar”, është shprehur ai.
Toponimet hasjane
Studiuesi Çoçaj thotë se çdo hasjan ka në zemër një qoshe dashurie për kalin.”Krahina e Hasit ajo e Përdrinisë ishin të njohura edhe për traditën e rritjes së kafshëve, e sidomos për kalin e bukur, të shpejtë dhe të fortë, që njihet si kali Hasit apo i Podrimes”, është shprehur ai. Toponimet përbëjnë një argument më shumë për vendin që zë kjo kafshë fisnike, në Përdrini e Has. “Ato janë të shumta në vendbanimet e këtyre anëve, si: Samari i Kalit, Qafa e Kalit, Gropa e Kalit, Guri i Kalit në Has, një gur me përmasa normale e me emër. Sipas një zakoni mbetur kushedi nga ç’kohë këtu burrat me nam hipnin mbi kuajt e bukur dhe të ushqyer mirë. Ka qenë si rregull të nderohen ata që shkojnë kaluar dhe kjo u jepte të drejtën e fisnikërisë së tyre, si dhe përcaktonte edhe rëndësinë hierarkike, sepse të mbaje kalë në këto dy vende patjetër duhet të ishe i pasur apo i shtresës së mesme fshatare. Një dëshmi tjetër e qartë janë edhe gdhendjet e lashta në vendbanimet ku tregohet simpatia e të parëve tanë për shpendët, kafshët, e sidomos për kuajt. Ata që i kanë parë me sytë e tyre këto gdhendje i tregonin me një ndjenjë adhurimi dhe simpatie”, është shprehur ai.
Krismat e pushkëve
Murat Berisha, tani në moshën 92- vjeçare, tregon se me kalin e tij shpesh e kanë thirrur që me jargët e kalit të shërojë sëmundjen e eshtrave. Por, kuajt përveç të tjerave janë përdorur në detyrimet shtëpiake, për punë të ndryshme në lëmenj, mulli, drutë e zjarrit, duke qenë se plotësonin edhe transportimin e materialeve luftarake, të sendeve të domosdoshme të tregtimit në pazaret e kohës, në udhëtimet e gjata për të arritur kohën, si një mjet me leverdi të lëvizjeve nga njëri vendbanim në tjetrin, të lidhjeve me krahinat e largëta për halle, gëzime dhe miqësi.
Në rrëfenjat e ndryshme tregohej për miqtë që në dasma udhëtonin kaluar kuajve të zgjedhur. Në traditën shqiptare është tepër i njohur edhe riti i marrjes së nuses me kalë. Në Has zakonisht preferohej kalë i bardhë i zbukuruar me lule, shami, rruaza. Kur merrej nusja, krushqit përmbi kuaj qëllonin me armë dhe krismat bashkë me dollinë, këngët dhe vallet gjallëronin atmosferën për një kohë të gjatë. Krahina e Hasit nga pozicioni gjeografik që ka kufizohet me shumë krahina të tjera fqinje nga Hasi i Shqipërisë apo Podrimja në rrafsh, ndaj për ta kaluar në kohë dimri, stërvisnin kuajt që e bënin kalimin e lumit të sigurt. Ka shumë episode të tilla. Refik Hasi tregon se në fshatrat e Luginës së Lumëbardhit ka disa fshatra që ende lidhen pikërisht me kalin dhe ka rrugë që quhen “rrugëkalim” apo rrugica të ngushta mali.