Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit”, prezantojmë poeten dhe përkthyesen nga Tirana, Ana Kove. Ana Kove studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, më pas kreu studimet Master në Gjermani, në shkencat e komunikimit ndërkulturor. Shkruan poezi dhe prozë, si edhe përkthen nga gjermanishtja. Është e njohur në tregun e botimeve në Tiranë edhe si një nga redaktoret letrare me përvojë, në bashkëpunim me disa shtëpi botuese të njohura, ndërsa në vitet e fundit, si redaktore letrare e Shtëpisë Botuese “TOENA”.
Ka botuar vëllimet “Djegë Ujërash” (poezi), “Shën Valentin ku ishe?” (prozë), “Nimfa e pemës së vdekur” (prozë). Ka përkthyer “Mjeshtra të prozës së shkurtër gjermane” dhe poetin Paul Celan me vëllimin “Lulëkuqja dhe Kujtimi”. Ana Kove është e pranishme me botime e mendime në gazetat apo revistat letrare të kohës.
Cilën pyetje i bëni më shpesh vetes?
Komunikimin më të madh me veten e kemi. Pyetja që i bëj më shpesh vetes mund të konsiderohet më shumë si pyetje retorike. Përballë veprimeve a mosveprimeve të mia, përballë të thënave a të pathënave të mia, kur më ndodh që realiteti është krejt larg me pritshmëritë, them gjithmonë gati me zë të fikur: Po tani? Por jo për ta kundërshtuar veten, dhe as për t’i kërkuar informacion “shpëtues”. Atë e sjell koha, nëse do… dhe nëse nuk do, më le ashtu, duke u përpëlitur me pikëpyetjet e mia, të mëdha a të vogla qofshin, si derivate të retorikës: Po tani? A trishtohem që s’di t’i jap përgjigje vetes? Jo. Sidomos që kur kam lexuar diku se edhe Pragmatika Linguistike po i vlerëson kohët e fundit retoriket si më të rëndësishme se edhe vetë pyetjet në aktin e të folurit.
Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?
Gjërat, kur na bëhen “të zakonshme” sikur na e marrin frymën nga pak. Por nuk i shmangim dot. Në të zakonshmen time jam nga njëra punë në tjetrën: duke ecur mes përmes sheshit “Skënderbej” drejt “Shallvareve”, në zyrën ku për 8 orë ushtroj detyrat e mia si përgjegjëse sektori në një zyrë të Administratës Shtetërore. Dhe çdo ditë imja bekohet edhe nga një shije e pazëvendësueshme kafeje prej 12 vjetësh me Lorin… Çdo pasdite jam tek Akademia Gjermane “Dekra” në përkthim a mësimdhënie. Këto destinacione fikse i mbërrij po fiks në kohë. Por problemin e kam me udhëtimin brenda vetes. Dhe sado përpiqem t’i shkurtoj a ndryshoj distancat, më bëhet se destinacionet nuk i mbërrij dot në kohë … e ndonjëherë nuk i mbërrij asfare.
Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?
Lirikat e Poradecit. Qysh se kam memorie vargëzimi, ishin ato që më zëvendësuan ninullat e gjyshes dhe kalamburet e fëmijërisë krejt natyrshëm. Sonoriteti i tyre, i mbështetur herë-herë në melodinë e lirikave folklorike të asaj gjeografie ujore, ku unë u linda dhe u rrita, më ka dhënë gjithmonë një gazmim të brendshëm që nga adoleshenca e hershme … madje dhe tani i vargëzoj me mendje kur gjendem në vendlindje, ose e përfshirë nga ndonjë ndjesi e bukur. Nuk mbaj mend vargje përmendësh, por nga lirikat e Poradecit mund të recitoj pafund. Aty “mburon” e gurgullon shqipja që ka sh(t)uar etjen time.
Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?
Mundohem ta mbaj veten larg, duke i ndenjur larg politikës dhe servilëve të saj; stërvit mekanizmat mbrojtës. Nuk ia dal gjithmonë…
Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?
Shkollimi im pasuniversitar ka vijuar në shkencat e komunikimit ndërkulturor në një vend si Gjermania dhe kam shumë vite që transmetoj tek brezat kulturën dhe gjuhën e atij kombi. Nuk mund të jem aq e verbër, sa të heq paralele krahasimi. Jemi ende në përpëlitjet e një tranzicioni kulturor që po zgjat shumë. Politikat e zhvillimeve kombëtare kulturore në Tiranë dhe Prishtinë duhet të jenë më pranë njëra-tjetrës. Folklorizëm? Boll më!
Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?
Dje ishte diktaturë dhe unë një fëmijë i saj, që u ushqeva me iluzionin e lirisë. Sot një nënë që fëmijët i ka përcjellë universiteteve të Perëndimit, për t’i mbajtur larg iluzionit të shkollimit, dhe atij të demokracisë. Nesër? Mbase, e huaj në vendin tim. Nuk jam disfatiste, por e nesërmja e brezit tim po vjen shumë shpejt dhe pa ndryshimet që prisnim. Për ne po bie fort kambana…
Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
Një pikturë që do ta veçoja? “Gjirafa që digjet” nga Salvator Dali. Një poezi? ”Koha e Lules” nga Martin Camaj. Një këngë? Shpesh krijojmë me këngë të caktuara marrëdhënie identifikuese. Tingujt të caktuar na përqafojnë e gëzojnë njësoj si ca njerëz kur futemi në marrëdhënie sinergjike. Të gjitha këngët e Rod Steëart do t’i veçoja, dhe sidomos Have I Told You Lately.? Një film? “Aromë gruaje”…