M. Q., i cili akuzohet për grabitje, të premten, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Visar Ostrozubi, ka kërkuar që aktakuza të hudhet si e pabazë.
Gjatë shqyrtimit të dytë, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, avokati Ostrozubi ka kërkuar që aktakuza ndaj të mbrojturit të tij të hudhet, sepse nga provat që përmban, sipas tij, nuk mund të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se klienti i tij ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.
Avokati Ostrozubi, po ashtu ka kërkuar që deklarata e klientit të tij, e dhënë në polici, të mos pranohet si provë, sepse ai ka vetëm tre vjet shkollim, ndërsa sipas tij, zyrtarët policorë nuk ia kanë sqaruar të drejtat e tij dhe se i akuzuari pretendon se nuk i ka thënë ato që shkruhen në atë deklaratë.
Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës, sepse e njëjta sipas tij, është e bazuar në prova të pranueshme për gjykatën.
Ai po ashtu ka deklaruar se të akuzuarit i janë lexuar të drejtat gjatë dhënies së deklaratës në polici dhe se në këtë seancë ka marrë pjesë edhe mbrojtësi i tij, avokati Agim Kabashi.
Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka njoftuar palët se rreth vendimit të tij, do të njoftohen me shkrim, ndërsa shqyrtimin kryesor e ka caktuar për 30 tetor 2017, ora 09:00.
Ndryshe, M.Q, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se më 1 shkurt 2017, rreth orës 4 të mëngjesit, duke përdorur forcën dhe kanosjen, ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarës H. T., të cilës ia ka marrë shumën e parave prej 6 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, i akuzuari së bashku me një person tjetër të mitur, kanë thyer xhamin e shtëpisë, ia kanë mbyllur gojën të dëmtuarës dhe të njëjtës, përveç parave, ia kanë marrë stolitë nga floriri dhe dy telefona mobilë, më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.