Sonte në Radio Televizioni i Kosovës (RTK), në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kandidatët për kryetar të Komunës së Prizrenit kanë prezantuar ofertat e tyre për qytetarët prizrenas.
Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se ka planin prej 17 pikash dhe 45 pikash. “Pika e parë do të jetë zhvillimi ekonomik, funksionalizimi Parkut të Biznesit, rritja e subvencioneve për bujqësia’, tha ai. Totaj tha se do të punojë edhe në fusha të tjera, si kulturë, rini e sport. Po ashtu edhe shëndetësinë do ta zhvillojë. “Detyra e pushtetit lokal është të krijojë ambient të mirë për zhvillim”, theksoi Totaj.
Hatim Baxhaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), bëri me dije se LDK-ja ka përgatitur programin që bazohet në mundësitë buxhetore të komunës. “Do të bëjmë depolitizimin, do të merremi menjëherë me çështjet e shërbimeve publike, do të furnizojmë të gjithë qytetin dhe fshatrat me ujë të pijshëm”, tha Baxhaku.
Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, tha se në qeverisjen e ardhshme katër vjeçare ka paraparë që të punojë që të zvogëlojë papunësinë, pasi që ky problem sipas tij nuk është vetëm në Prizren, por edhe në gjithë Kosovën. “Ne do të punojmë që të rrisim investimet e jashtme”, tha ai. Berisha tha se ka pikat e tij strategjike që përmes tyre synon ta ndryshojë Prizrenin.
Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje, deklaroi se ka 43 pika që janë zotime. Sipas tij do të ketë bashkëpunim për të pasur më shumë investime. “E para do të jetë zhvillim ekonomik, por së pari duhet të kemi modernizim të administratës, do të ketë depolitizim në arsim, në shëndetësi do të investohet”, tha ai.
Osman Krasniqi nga Aleanca Kosova e Re (AKR), tha se do të krijojë drejtori profesionale, do të angazhohet për rini të arsimuar, hapjen e një qendre të inovacionit, avancim të shoqërisë civile, bujqësi të zhvilluar, kulturë etj.
Nexhmedin Ramadani nga Fjala, vlerësoi se si kjo parti konservatore, e sheh Prizrenin si humbës te traditës. ‘Fjala do të kthejë traditën. Do të heqim taksat komunale vetëm e vetëm të mos humbin zehet që janë në Prizren, do të zvogëlojmë shpenzimet në komunë”, tha ai.
Veton Qipa nga Alternativa, theksoi se parit e re ka fituar shumë elektorat. Ai bëri me dije se këtë program e kanë quajtur zhvillimore.”Në rend të parë do të jetë prona private e kapitale. Buxheti i Prizrenit do të shfrytëzohet vetëm për nevoja të qytetarëve të Prizrenit”, theksoi ai.
Të ftuar ka qenë në debat ka qenë edhe Lulzim Kabashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Emilija Rexhepi nga Nova Demokratska Stranka(NDS) dhe Sencar Karamuci nga Kosova Demokratik Turk Partisi, por këta nuk kanë marrë pjesë në debatin e RTK-së.