7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Krasniqi: Më mirë ta shesim Qeverinë, se pasurinë e popullit

Krasniqi-Jakup5-21Kryetari i Kuvendit të Kosvoës, Jakup Krasniqi, ka kritikuar ashpër mënyrën e shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK-së, duke e quajtur të pistë, të paligjshëm dhe jo demokratik. Privatizimin e aksioneve të PTK-së e kanë kundërshtuar edhe partitë opozitare, madje LDK e VV nuk kanë qëndruar në seancë për ta bërë kuorumin dhe për të qenë pjesë e votimit. Seanca u dashtë të ndërpritet për shkak të mungesës së kuorumit.
Kreu i Kuvendit ka thënë se, kohë me parë, blerësit, të gjitha bankave ku ka menduar të marr kredi, ambasadave dhe BE-së, u ka dërguar një letër me 18 pika, të cilat, sipas tij, tregojnë për procesin e parregullt dhe të paligjshëm të privatizimit të PTK-së. Ai ka shtuar se ky vendim i komisionit për rikthim në Kuvend është sa për të pastruar diçka të pistë. Krasniqi ka thënë se nëse Qeveria dëshiron ta legjitimojë shitjen e PTK-së duhet ta kthejë procesin në pikën zero dhe duhet të merret vendimi në Kuvend për t’u shitur, pasi vendimi për t’u shitur nuk është dhënë në Kuvendin e Kosovës.

“Hajde ta qesim një tender për ta shitur Qeverinë dhe të vijnë njerëz që dinë me qeverisë me këtë vend. Më e nevojshme është me qitë në shitje qeverinë e këtij vendi, sesa pasurinë e këtij vendi. Së paku pasuria ruhet dhe një ditë e shfrytëzon populli. Ato të holla që pretendohet të merren, ku do të shkojnë? A do të hyjnë më shumë në xhepat e njerëzve, apo do t’i shkojnë publikut? Mjetet dhe paratë publike vazhdojnë të keqpërdoren çdo ditë. Ne si përfaqësues të qytetarëve duhet ta legjitimojmë. Nëse Qeveria do legjitimitetin e Kuvendit, duhet ta mbyllë këtë proces, se edhe ashtu është vonuar”, ka thënë Krasniqi, transmeton KP.

Mirëpo, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismaili ka thënë se çmimi i dhënë për privatizimin e aksioneve të PTK-së, është më i larti në rajon dhe kjo ka “treguar atraktivitetin e PTK-së si kompani, por edhe si mundësi investuese të shteteve në Kosovë”.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se ata, si subjekt politik, asnjëherë nuk kanë qenë kundër privatizimit, por gjithmonë janë kundër privatizimit në mënyrën se si po bëhet kjo me PTK-në pa vendimin e Kuvendit të Kosovës.

“Besoj se kjo mjafton për të treguar se nuk keni bazë ligjore për të proceduar me tutje. Këtu ka bazë për hetuesi, për t’i ndjekur, ata që kanë gisht këtu. Këtu ka bazë Prokuroria dhe publikisht po them: lirisht le të hetojnë, ta shohim se kush ka gisht në këtë plaçkitje që po i bëhet një aseti të vendit tonë”, ka thënë Beqiri.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, duke kundërshtuar ashpër këtë raport, ka thënë se ky proces është antiligjor, shumë i dëmshëm dhe jashtëzakonisht i korruptuar. Ndërsa, Ardian Gjini nga AAK-ja ka thënë se informatat që i kanë tregojnë se ky proces ka dështuar.

Edhe deputeti, Muhamet Mustafa, ka thënë se shitja e aksioneve të PTK-së nuk është proces transparent, kur së paku tre investitorë janë të tërhequr. Mustafa i ka bërë thirrje Qeverisë që mos të sillet në këtë mënyrë jashtëligjore.

Edhe deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni, ka kritikuar ashpër mënyrën e shitjes së aksioneve të PTK-së, e cila, sipas tij, është e paligjshme dhe nuk duhet të bëhet. Sipas tij, dilema e tij kryesore është se nuk po kupton kush po shet e kush po blenë këtu.

“Nuk ka perspektivë për PTK-në? Po kush e ka bërë atë analizë që nuk ka perspektivë. Asgjë te ne s’ka perspektivë. E pse për të tjerët po ka perspektivë”, ka thënë Hyseni.

Më Shumë

Prizreni diskuton sfidat dhe objektivat në arsim për vitin e ri shkollor

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, zhvilluan sot një takim me drejtorët...

Dy raste të sfidës ‘Superman’ në shkollat e Prizrenit, Policia dhe Komuna marrin masa

Zyrtarë të qeverisë komunale në Prizren dhe ata të Policisë së Kosovës kanë njoftuar se kanë ndërmarrë veprime për parandalimin e vetëlëndimeve të nxënësve...

Lajmet e Fundit