11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

30 vjet nga vdekja e Lasgush Poradecit

Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet, vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshirë atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj.

Më Shumë

S’ka fitues në klasiken evropiane, gjithçka vendoset në ‘Santiago Bernabeu’

Ka mbaruar pa fitues derbi i gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve mes Bayern Munichut dhe Real Madridit. Përballja ishte e zjarrtë nga minuta e parë,...

Vetëm 12 minuta lojë, Vedat Muriqi realizon gol ndaj Cadizit

Vedat Muriqi ka vazhduar shkëlqimin në La Liga, teksa ka realizuar gol në sfidën Cadiz – Mallorca. Vetëm 12 minuta iu deshën sulmuesit kosovar për...

Lajmet e Fundit