2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Agon”, filmi i vetëm që përmbush kriteret për “Oscar”

Agon-filmËshtë i dyti vit që nuk dëgjohet ndonjë zhurmë për përfaqësimin në listën e gjatë të kandidatëve për çmimet më të lakmuara kinematografike. Kjo jo thjesht për shkak të periudhës transitore të ndërrimit të pushteteve (edhe nga kjo), por më së shumti se nuk ka një garë mes kineastëve dhe prodhimeve.

Prej tetorit të vitit të shkuar e deri më tani, i vetmi film shqiptar që u shfaq në ekranin e madh të kinemasë ishte “Agon”, me regji dhe skenar të Robert Budinës. Edhe pse gjatë viteve të fundit janë përmendur shumë tituj filmash, ata ende nuk kanë arritur të jenë gati për publikun. Një ndër ta është edhe filmi i Spartak Pecanit që pritet të shfaqet brenda këtij viti. Gjithashtu pritet të jetë në kohë për t’u shfaqur, në muajin dhjetor, filmi me regji të Namik Ajazit, “Amaneti”. Ka përfunduar xhirimet filmi i Fatmir Koçit dhe shumë shpejt pritet të nisë xhirimet Gjergj Xhuvani e Iris Elezi. Siç mësojmë nga kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli, i vetmi film shqiptar që përmbush kriteret e vendosur nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences, për t’u përfaqësuar në çmimet “Oscar” është “Agon”, shkruan Panorama.

Sipas Minarollit, këto ditë pritet të mblidhet bordi i QKK-së, i cili vendos përfundimisht. Por, në fakt, në mungesë të kandidaturave të tjera, ky takim do të jetë thjesht formal. Përpara se të vendoset nëse “Agon” do të shkojë ose jo për “Oskar”, në kategorinë e filmave të huaj, do të bëhet më parë edhe një bisedë paraprake me producentët dhe regjisorin e filmit, duke qenë se përfaqësia e një filmi në këtë garë ka edhe një faturë financiare. Nga ana tjetër, emrat e anëtarëve të bordit seleksionues nga pala shqiptare tashmë janë dërguar pranë Akademisë, brenda afateve të kërkuara. Një vit më parë, producentët do të shpreheshin se nuk ushqenin ambicien për të garuar për “Oscar” dhe se do ta “linin” filmin që të bënte rrugën e vet, në kinematë e huaja dhe festivalet ndërkombëtare. Dhe në fakt, ende pa u shfaqur në kinematë shqiptare, “Agon” u seleksionua në Festivalin e Filmit në Çikago, për të vijuar në të tjera aktivitete të këtij lloji, në Shën Peterburg, Shangai, Vjenë, Poloni, Bari, Paris etj. Në disa syresh është vlerësuar edhe me çmime, si filmi më i mirë në “Bloody Hero International Film Festival” në Arizona, SHBA, ndërkohë që aktori protagonist, Guljem Kotori, u vlerësua si aktori më i mirë i festivalit. Ndërsa në Festivalin e Filmit të Europës Juglindore SEE në Paris u vlerësua me çmimin për skenarin më të mirë.

FILMI
“Agon”, i xhiruar më së shumti në Greqi, është një rrëfim mbi emigracionin dhe dritëhijet e tij. Në qendër të filmit janë dy vëllezër, që gjejnë mënyra krejt të ndryshme “integrimi” në vendin fqinj. Filmi tregon ca të vërteta të hidhura mbi fitimin e shpejtë, bandat, prostitucionin, shfrytëzimin e shqiptarëve nga vetë shqiptarët. Një film tragjik, me shumë viktima dhe me një fije shprese në fund. Kasti i aktorëve është kryesisht i ri, madje ka edhe debutues në të. Interpretojnë Marvin Tafaj, Guljem Kotori, Xhevdet Jashari, Eglantina Cenomeri, Antonis Kafetzopoulos, Isavela Kogevina, Laert Vasili etj. Një vit më parë, Shqipëria u paraqit me filmin e Joni Shanajt “Pharmakon”, i cili gjithashtu nuk kishte konkurrentë të tjerë që synonin të futeshin në listën e kandidatëve. Më parë kanë provuar “fatin” filma të Minarollit, Xhuvanit, Milkanit etj.

Më Shumë

Posta e Kosovës promovon shërbimet në ekspozitën dimërore të zejtarëve në Prizren

Në Prizren është hapur sot “Ekspozita Dimërore e Zejtarëve”. Ekspozita është organizuar për herë të parë nga Oda e Ndërmarrësisë dhe Zejtarisë. Posta e Kosovës ka...

Prizren/Avokati Asdren Mekaj shpallet i pafajshëm, lirohet nga akuzat për “detyrim”

Avokati Asdren Mekaj është liruar nga të gjitha akuzat që rëndonin mbi të lidhur me veprën penale “detyrim”. Aktgjykimi lirues është shpallur sot në Gjykatën...

Lajmet e Fundit