Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Afrim Avdaj, ka pritur në takim një delegacion të Qeverisë së Luksemburgut. Alice Risch, këshilltare e programeve për Azi, Amerike Latine dhe Kosovë, Paolo Cervino, pëtfaqësues i Zyrës Regjionale të LuxDev në Prishtinë dhe Afërdita Ademi, udhëheqëse e Programit përkrahës për Shëndetësinë në Kosovë kanë vizituar repartin e Neonatologjisë, Koronares, Patologjisë dhe Emergjencës, ku nga afër kanë parë punën e stafit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientë.
Në njoftimin e zyrës për informim të Spitalit të Prizrenit thuhet se gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimin e dyanshëm, projektet dhe investimet e kryera, si dhe ato që pritet të realizohen në të ardhmen dhe që do të përkrahen nga Qeveria e Luksemburgut, me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore, si dhe ofrimit të të shërbimeve shëndetësore sipas standardeve ndërkombëtare.
Drejtori ekzekutiv i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj, ka vlerësuar të rëndësishme investimet e Qeverisë së Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme që nga viti 2003 e këndej, duke përmendur edhe finalizimin e Planit Strategjik, si pjesë e Programit Përkrahës të LuxDev për Shëndetësinë në Kosovë KSV/017, dhe fillimin e implementimit të objektivave dhe aktiviteteve strategjike.
”Ne falënderojmë Qeverinë e Luksemburgut dhe popullin e Luksemburgut për përkrahjen dhe investimet e bëra në Kosovë, në veçanti në spitalin e Prizrenit. Me këto investime është mundësuar efektiviteti më i madh i punës, që pozitivisht ka ndikuar si te personeli i spitalit, po ashtu edhe te qytetarët e Prizrenit dhe më gjerë. Ne jemi të gatshëm dhe me përgjegjësi të plotë të kryejmë të gjitha obligimet tona, në mënyrë që investimet e Qeverisë së Luksemburgut të destinohen në vendin e duhur dhe të zbatohen në praktikë”, – pohoi drejtori ekzekutiv, Afrim Avdaj.
Edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Luksemburgut janë shprehur të entuziazmuar me atë çfarë panë në spitalin e Prizrenit, duke premtuar përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
”Qeveria e Luksemburgut është e interesuar të vazhdojë mbështetjen për shëndetësisë në Kosovë. Ne vlerësojmë punët e kryera deri më tani dhe nga ajo që pamë jemi shumë të impresionuar me ndryshimet pozitive që kanë ndikuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientë. Ne vitin e ardhëm do të bëjmë vlerësimin se çka është arritur nga projektet e deritanishme dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen, me qëllim të ngritjes së cilësisë shërbimeve për pacientë”, – tha Alice Risch, këshilltare e programeve për Azi, Amerike Latine dhe Kosovë, duke veçuar si shumë të rëndësishëm investimet për Sisitemin e Informimit Shëndetësor.