17.2 C
Prizren
E shtunë, 25 Prill, 2026

Prokuroria kërkon dënimin e dy policëve në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që dy zyrtarët policorë, Kujtim Kryeziu dhe Lindita Haxhaj, të akuzuar për marrje të ryshfetit, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Këtë kërkesë e ka bërë prokurori Mehdi Sefa, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast.

Prokurori Seja, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit kryesor janë administruar prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë, me të cilat është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv të aktakuzës, ku sipas tij, dy të pandehurit, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ai ka kërkuar që gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Pasi që klienti i tij, e ka pranuar fajësinë dhe se në çdo moment ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë, mbrojtësi i të akuzuarit Kujtim Kryeziu, avokati Bestar Kolgeci, ka kërkuar nga kjo gjykatë që gjatë shqiptimit të dënimit të mos kufizohet vetëm me minimumin e paraparë për këtë vepër penale.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarës Lindita Haxhaj, avokati Labinot Berisha, fjalën përfundimtare që e kishte përgatitur me shkrim, ka deklaruar se me provat e administruara në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar se e akuzuara Haxhaj, ka kryer këtë vepër penale.

“Para trupit gjykues është një aktakuzë me të cilën Lindita Haxhaj, akuzohet gabimisht duke u bazuar vetëm në deklarimin e Kujtim Kryeziut”, theksoi avokati Berisha, me çka edhe kërkoi lirimin e Lindita Haxhajt, nga të gjitha akuzat.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar më 28 dhjetor 2017, në ora 09:00.

I akuzuari Kujtim Kryeziu, e kishte pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit të mbajtur më 12 dhjetor 2017.

Ndryshe, zyrtarët policorë Kryeziu dhe Haxhaj, akuzohen se më 3 shkurt 2017, në Prizren, kanë ndaluar një qytetar për kundërvajtje dhe nga i njëjti kanë kërkuar ryshfet për të mos i shqiptuar dënimin me gjobë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kujtim Kryeziu i ka thënë qytetarit të ndaluar që të vendosë 15 euro në librezën e makinës dhe t’ia sjellë atij. Pasi që qytetari ka vepruar sipas udhëzimeve, ai është liruar të vazhdojë rrugën pa u dënuar. Kujtim Kryeziu, nga paratë e marra, ia kishte dhënë 5 euro të akuzuarës Lindita Haxhaj./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Arbnor Rifati flet pas përfundimit të sezonit: kërkon Superligë me 10 ekipe

Ka përfunduar edicioni për Proton Cable Prizrenin, ndërsa pas mbylljes së sezonit në Ligën e parë, ka reaguar trajneri i ekipit Arbnor Rifati me...

Bilanc interesant i përballjeve direkte mes Bashkimit dhe Borës

Bashkimi i Prizrenit e pret sonte Borën nga kryeqyteti në kuadër të serisë gjysmëfinale të play off-it në elitën e basketbollit kosovar. Portokallinjët dhe prishtinasit...

Lajmet e Fundit