Kështu përqendrohet para ndeshjes basketbollisti i Rahovecit Junious Prowell.
Skuadra e tij, do të luajë me Sigal Prishtinën, lideren e Superligës.
Por fokusi i basketbollistit amerikan nuk është kjo ndeshje.
Ai po mendon Play-Offin në Superligë, ku skuadra e tij, dy javë më parë, siguroi plasman në mesin e 4 ekipeve më të mira të Kosovës, raporton “Sporti Total” i KTV-së.
Madje Rahoveci ka siguruar “play-offin”, duke përfunduar në pozitën e tretë dhe të enjten do të përballet me Bashkimin.
Dhe sa serioze është gara dhe basketbolli për fundorin e Rahovecit, tregon ky postim në Facebook, që do të jetë i fundit për të derisa skuadra do të luajë në Play-Off.
24-vjeçari, është fans i flaktë i Lebron Jamesit, superyllit të Ligës NBA, që gjithnjë para ndeshjeve të Play-Offit, hyn në periudhën Zero Dark Thirty, duke e izoluar veten nga rrjetet sociale, për të qenë sa më i përqendruar për ndeshjet.
Junious Prowell është për herë të parë profesionist dhe për herë të parë hyn në periudhën e izolimit, me synimin që kjo t’i sjellë fat atij dhe Rahovecit.
E për pjesëmarrjen në Play-Off, 24-vjeçari synon që me ekipin e tij të bëjë befasinë e madhe.
Prowell ka luajtur 22 ndeshje këtë edicion për Vreshtarët me mesatare prej 14 pikëve, 4 asistime dhe 3.2 kërcime për lojë.
Ai është pjesë e Rahovecit që ka bërë historinë, me futjen në Final Four të Kupës dhe në Play-Off, por Junious e Vreshtarët synojnë më shumë, e aventura e tyre vazhdon këtë javë me Bashkimin.