1.9 C
Prizren
E enjte, 16 Janar, 2025

Shkarkohet anëtari që u zgjodh kundërligjshëm në bordin e Ndërmarrjes “Ekoregjioni” në Prizren

Pa shpallur fare konkurs, Bordi i drejtorëve të Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Ekoregjion”, ka zgjedhur kryeshefin e saj.

Duke e shmangur ligjin dhe udhëzimet që përcaktojnë funksionimin e ndërmarrjeve publike, më 30 mars të 2018, ky bord ka vendosur që ish- kryeshefit Nehat Basha, t’ia vazhdojë mandatin edhe për 3 vjet, raporton KTV.

Por, pak muaj më vonë, Sulltan Badallaj që ishte vënë në krye të Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, me një vendim tjetër të jashtëligjshëm të nënshkruar nga Ramadan Muja, ka pranuar që i ka “mbyllur sytë” para ligjit pasi ka vendosur për Bashën duke u bazuar në performancën e tij.

Në Komunën e Prizrenit janë në dijeni për këtë çështje. Drejtori i Shërbimeve Publike, Leven Kasemi i ka thënë KTV-së, se kjo është kompetencë ekskluzive e Bordit të drejtorëve sipas statutit të KRM “Ekoregjioni” dhe komuna nuk mund të marrë asnjë veprim.

Por, Komuna e Prizrenit në tentativën e saj për të vendosur ligjshmëri në ndërmarrjen e vetme publike, ka krijuar komisionin e aksionarëve, i cili ka për obligim të mbikëqyrë dhe caktojë anëtarin e Bordit të Drejtorëve në “Ekoregjion”, ku posedon 63 për qind të aksioneve.

Në mbledhjen e parë të tij, ky komision ka shkarkuar Badallajn, pasi emërimi i tij si kryesues i Bordit erdhi nga ish-kreu i Komunës, Ramadan Muja, e jo siç e përcakton ligji që ai të zgjidhet nga Bordi i drejtorëve dhe të propozohet nga Komisioni i Aksionarëve.

Por, Badallaj insiston se përzgjedhja e tij ishte e ligjshme për faktin se komisioni i aksionarëve nuk ka ekzistuar.

Sidoqoftë, edhe komunat e tjera aksionare në “Ekoregjion”, Dragashi, Suhareka, Rahoveci dhe Malisheva kanë deleguar anëtarët e tyre në Bord përmes përzgjedhjes nga ana e kryetarëve të Komunave, e jo siç e përcakton Ligji, përmes Komisionit të Aksionarëve.

Më Shumë

Lajmet e Fundit