Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Suharekë, e ka realizuar një videoklip parazgjedhur, i cili më shumë ngjason me një flirt mes një mashkulli e një femre sesa një thirrje për të dalë në zgjedhje. Megjithëse zyrtarë të partisë arsyetojnë çdo sekondë të secilës skenë flirtuese, që nis në një stacion autobusësh mes dy të rinjsh, aty ku vajza me disa shikime mundohet fillimisht ta josh një djalë i cili pret autobusin në këmbë, e më pas ia lë një letër me anë të së cilës e fron atë për të votuar përnime me 3 nëntor.
Burim Ramadani, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, nuk beson se në këtë reklamë të cilën thotë se e kanë bërë vullnetarët e Aleancës atje, ka ndonjë element provokues e as degradues. “Reklama e tillë është simpatike, ka mesazh të qartë të daljes së qytetarëve në zgjedhje, dhe sidomos ka target të rinjtë. Të rinjtë vullnetarë që kanë punuar në atë reklamë kanë synuar të nxisin bashkë-moshatarët e tyre që të votojnë në këto zgjedhje, mos të abstenojnë më 3 nëntor 2013”, ka thënë Ramadani për Express.
Sipas tij, flirti që paraqitet mes dy të rinjsh në këtë reklamë realisht dëshmon diçka tjetër. “Thirrjen për të votuar. Nuk besoj se ka qenë rastësi reklama e tillë, sepse dëshmon diçka më shumë. Thjesht, të rinjtë therandas dëshmojnë se më e rëndësishme se çfarëdo flirti është dalja në zgjedhjet e 3 nëntorit, sepse të rinjtë duhet të fokusohen në atë ditë që vendos për katër vjetët e ardhshëm. E ajo ditë është 3 nëntori”, thotë Ramadani.
Sipas sekretarit të AAK-së, fushata “Përnime” është reflektim i vendosmërisë së Aleancës dhe kandidatit Bali Muharremaj që të punojë fuqishëm në katër vitet e ardhshme, pa asnjë dilemë dhe pa asnjë neglizhencë. “Të punojë Përnime!” Megjithëse kjo reklamë, është akoma e papërfunduar. Në një deklaratë për Express, vet Bali Muharremaj thotë se kur të nis zyrtarisht fushata, ai do të paraqitet në fund të reklamës. “Por reklamën akoma se kam pa. Nuk e di as se si është realizuar. Di vetëm që thirrje për të votuar aty, do të bëj edhe unë”, ka thënë Muharremaj.
http://youtu.be/woZoqkez4VY