-2.2 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Kosova po zbrazet

Sipas statistikave të raportuara ditët e fundit, për trendin e lëvizjeve, migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore për katër vitet e fundit, del se për katër vjet aplikuan për viza hiç më pak se 350 mijë qytetarë. Ndonëse janë të vetëdijshëm edhe vetë qytetarët se në shumë raste rrezikojnë të shpenzojnë para, duke aplikuar për viza dhe mund të marrin përgjigje negative, numri i atyre që presin para zyrave të agjencive që sigurojnë viza Shëngen dhe viza pune për në Perëndim është i madh.

Ata i mban shpresa se do të marrin përgjigje pozitive, prandaj nuk kursejnë edhe kafshatën e gojës për të ndarë mjetet për aplikime për viza. Qytetarët e anketuar nga gazeta, në pritje para ambasadave të Zvicrës dhe të Gjermanisë, konsiderojnë se ky maltretim i tyre dhe këto shpenzime që bëjnë në kërkim të vizave, qoftë viza pune apo vizita familjare, janë ndëshkim që u vjen nga politika e papërgjegjshme, e cila nuk i ka përmbushur më shpejt kriteret për liberalizimin e vizave, kurse Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm i izoluar në mes të Evropës.

Ky izolim, sipas qytetarëve, vjen me mosliberalizim të vizave për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit të pushtetarëve në të dyja nivelet, nga të cilat pasoja Kosova edhe po bëhet një vend i pajetueshëm, kështu që, sidomos në këto tri-katër vitet fundit, i madh e i vogël po i shikojnë mundësitë për të ikur sa më larg Kosovës.

I riu Brendon Maxhuni, nga fshati Bec i Gjakovës, ia ka mësyrë Ambasadës zvicerane në orët e hershme të mëngjesit, sepse ashtu i është caktuar termini në agjencinë për aplikim për viza, prandaj është kujdesur që të mos e humb terminin dhe ka ardhur aty para kohe. Ai thotë se fenomeni i ikjes së të rinjve në çdo mënyrë jashtë Kosovës është një dukuri e rrezikshme, që mund të zbrazë shpejt vendin nga brezi i ri dhe Kosova të mbetet në pleq e në plaka, madje në një periudhë të mëvonshme kohore të ketë nevojë edhe për të kërkuar fuqi punëtore nga vendet tjera.

”Ky fluks në rritje i interesimit të të rinjve që të dalin jashtë Kosovës, për të siguruar një vend pune, nuk është gjë tjetër veç hetimi dhe konstatimi real i së vërtetës se nuk po ka perspektivë të afërt të punësimit dhe të ndërtimit të së ardhmes që e dëshirojmë në Kosovë, sepse po shihet që shumica e rinisë po bredhin kot pa punë, prandaj synimi është largimi në çdo mënyrë dhe përmes të gjitha rrugëve të mundshme jashtë vendit, për të bërë një jetë më të mirë. Unë mendoj që kjo është arsyeja kryesore që gjatë gjithë kësaj periudhe të pasluftës të gjithë të rinjtë po dëshirojnë dhe po mundohen të gjejnë mënyra për të ikur jashtë vendit”, u shpreh ai.

“Unë jam plotësisht i vetëdijshëm që kjo nuk është e mirë për Kosovën, kur shohim se për katër vite kanë aplikuar 350 mijë qytetarë, por këtu secili shikon dhe vendos sipas mundësive të veta. Nga kjo valë në rritje e shtimit të interesimit për të dalë rinia jashtë vendit, me të vërtetë ekziston rreziku real që të tkurret numri i popullsisë së Kosovës dhe të mbetemi shtet me një popullatë të vogël numerikisht, por jam i sigurt që sikur këta që janë në pushtet të angazhoheshin seriozisht për të na i bërë neve të rinjve kushtet më të mira për jetë dhe punësim, me siguri që edhe rinia nuk do të vendosnin të marrin rrugën e mërgimit.

Mirëpo me këto kushte që po na ofrohen tani, e që janë kurrfare, unë nuk besoj që do të mund të binden të rinjtë që të mos largohen nga vendi, por të qëndrojnë këtu, sepse secili ka nevojë për një jetë më të mirë, secili mendon më gjatë për veten e tij, që pasi ta ketë kryer shkollimin të krijojë edhe familje, që në këto kushte nuk mund të llogarisë në një jetë më të mirë dhe stabile.

Kjo perspektivë nuk mund të ndërtohet kështu, derisa pas luftës janë mbyllur e privatizuar gjithë ato fabrika që në të kaluarën kanë punësuar njerëz, për të mbajtur familjet e tyre, kurse tanimë po ato objekte janë shitur, janë tjetërsuar dhe shumë nga to edhe qëndrojnë akoma bosh”, tha Brendon Maxhuni nga fshati Bec i Gjakovës.

Shqetësues është raportimi i statistikave që flasin për 350 mijë aplikime për viza edhe për qytetarin Naser Kadriu, me të cilin po ashtu kemi biseduar aty pranë qendrës së aplikimit për viza zvicerane.“Kjo është shumë shqetësuese, sepse rinia po ikin dhe krejt qëllimi i ikjes së tyre është mungesa e perspektivës më të mirë këtu, por edhe padrejtësive që u bëhen në shumë raste edhe në vendet e punës, sepse edhe kur dikush siguron një punë, nuk paguhet sipas meritës si duhet e sa duhet.

Në të shumtën e rasteve, ka edhe dukuri të shkeljes së të drejtave të punëtorëve, sepse po dëgjojmë që punëtorët detyrohen të punojnë nëpër kompani të ndryshme, me orar të zgjatur, por nuk paguhet sa duhet puna jashtë orarit të rregullt, prandaj edhe ky është një shkak që po shohim këtu plot raste që edhe të punësuarit janë të interesuar të marrin viza, të dalin jashtë për të siguruar një vend pune më stabil e që i respektohen të drejtat e punëtorit”, u shpreh ai.“Pra, për shkak të shkeljes së të drejtave në punë plot të punësuar nuk shohin perspektivë këtu, sepse detyrohet punëtori të punojë deri në 12 orë, kështu që atë shtesën jashtë orarit të punës mezi ta paguajnë, e ka raste që edhe nuk paguajnë fare, por i mashtrojnë punëtorët herë sot e herë nesër.

Kjo shkelje e të drejtave masive të punëtorëve po ndodh kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë, ku paguhen nga 200 – 250 euro, me të cilat nuk mund të jetohet as në kushtet minimale. Unë mendoj që kështu Kosova do të zbrazet shumë shpejt dhe pastaj po ato kompani do të detyrohen të zbatojnë ligjin, t’i rrisin edhe rrogat e të kërkojnë fuqi punëtore, por nuk do të kenë mundësi të rikthejnë atë që tani po e humbin, duke ikur rinia jashtë vendit.

Dhe, krejt kjo që po ndodh e ka një adresë të përgjegjësisë, që është udhëheqja jonë politike. Sikur këta të punonin më mirë në drejtimin e institucioneve, këto që po ndodhin nuk do të ndodhnin dhe secili do ta ndërtonte të ardhmen e vet në shtetin tonë”, tha Naser Kadriu.

Gjendje e padurueshme

Me shqetësim të madh po e sheh largimin e të rinjve jashtë vendit edhe Bajram Gashi, po ashtu qytetar në pritje për vizë zvicerane pranë qendrës së Agjencisë për aplikim. “Me të vërtetë po bëhet një gjendje e padurueshme, prandaj secili ka arsyet e veta, sepse jemi 20 vjet në liri dhe 10 vjet që e kemi shpallur pavarësinë e shtetit tonë dhe perspektiva e këtyre të rinjve nuk po duket askund, siç thonë nuk po shihet fare dritë në fundin e errët të tunelit”, theksoi Gashi.

Me Sami Hazirajn kemi biseduar te Ambasada e Gjermanisë, ku po ashtu qytetarët në mënyrë të organizuar, pa ndonjë rrëmujë, po prisnin për të dorëzuar dokumentacionin për viza, sipas terminëve të përcaktuar.“Absolutisht ky trend në rritje i ikjes së të rinjve jashtë vendit është një trend i zymtë.

Me profesion jam gjeolog, por kam studiuar edhe demografinë, kështu që këtë rrezik të ballafaqimit me ikjen e të rinjve jashtë vendit e kam paraparë dhe për këtë kam biseduar me shumë miq të mi qysh para dhjetë vjetësh. Atëherë kam paralajmëruar që do të vijmë në këtë gjendje për shkak se këtë e determinojnë kushtet jo të mira ekonomike. Më pastaj është fenomeni i nepotizmit në punësime, edhe pse kemi plot të rinj, kuadro të përgatitura mirë, nuk i jepet mundësia atij që e meriton të gjejë një punë, e cila ndihmon zhvillimin e vendit, por punësohen njerëzit e rrethit të ngushtë. Kështu që për mendimin tim është ky trend shumë negativ dhe do të vazhdojë edhe shumë vite të tjera dhe frikësohem se do të vazhdojë edhe 10 apo 15 vjet, kështu që do të jetë rrezik i madh edhe për vetë zvogëlimin drastik të numrit të popullsisë në Kosovë, sepse nataliteti po vazhdon të bjerë me të madhe, kurse në këtë raport mortaliteti rritet dhe kështu neve na përcjell fenomeni real i të ashtuquajturës mortaja e bardhë, sepse edhe migrimet shtohen dhe popullsia vetëm zvogëlohet.

Lexoni edhe:
Ismaili paralajmëron mantelbardhët, pas rastit të marrjes ryshfet

Kjo që po ndodh është vetëm pasojë e politikës, sepse nëse pas luftës nuk po shoh perspektivë këtu, edhe pse unë personalisht kam qenë refugjat në gjermani dhe jam kthyer këtu. Dhe, normal që edhe unë jam penduar shumë që jam kthyer në Kosovë, edhe pse i kam përfunduar studimet dhe kam një punë për të jetuar, por megjithatë besoj që edhe unë do të dal përsëri jashtë vendit, sepse nuk po shoh perspektivë reale për të ardhmen”,tha Sami Haziraj.

Edhe i riu tjetër, Malësor Aliu nga Gjilani, është i intervistuar tek Ambasada gjermane dhe thotë se i vetmi problem që po e zbraz kaq shumë Kosovën janë kushtet e rënduara ekonomike dhe krimi e korrupsioni.”Nëse studion këtu dhe kryen studimet nuk është aspak e sigurt që mund të gjesh punë dhe njeriu detyrohet të bëjë diçka. Ne të rinjtë po e shohim që nuk kemi perspektivë këtu, prandaj nuk po shohim zgjidhje tjetër veç si ta gjejmë një mundësi për të siguruar një vizë punë diku jashtë vendit, në një apo mënyra tjetër për të krijuar një jetë më të mirë.

Për mendimin tim, 20 vjet pas luftës, në liri, dhe për 10 vjet pritje pas shpalljes së pavarësisë është bërë një pritje e gjatë e tepruar për një zhvillim të vendit dhe krijim të perspektivës dhe kjo pritje tanimë është tepruar tek rinia, e cila po e humb shpresën në një të ardhme më të mirë e më të shpejtë në shtetin tonë për të cilin aq shumë jemi munduar e nga i cili aq shumë kemi shpresuar”, theksoi Aliu për “Kosova Sot”.

Qytetari tjetër, Fatmir Vokshi, thotë se qytetarët e Kosovës para shumë vitesh sakrifikuan shumë për ta bërë një shtet të vetin, por tani ky shtet, me këta politikanë, po i vret shpresat e të rinjve. “Unë i kam 5 fëmijë të rritur, katër vajza i kam këtu dhe një djalë që e kam, e kam në Perëndim dhe vazhdimisht po e ndjej mungesën e tij. Unë mendoj që këto dukuri që po i shohim, përpjekjet e të rinjve për të ikur jashtë vendit, sikur po i devalvojnë të gjitha përpjekjet tona shekullore për ndërtimin e shtetit me dekada më parë, duke vuajtur shqiptarët dhe duke dhënë viktima për ta bërë shtetin dhe tash në fund dalim të zhgënjyer nga keqfunksionimi i këtij shteti, nga mungesa e perspektivës për të rinjtë’, u shpreh ai.

“Unë mendoj që nuk e ka fajin Evropa për këtë që po na ndodh tani, por fajin e ka kjo udhëheqësi jona, e cila bash asgjë nuk është duke bërë për Kosovën, por po punojnë dhe kanë punuar me vite të tëra vetëm për karriqat e veta. Luftërat bëhen për të ndërtuar shtet, edhe ne luftuam e luftuam me vite, u përballëm me lloj-lloj situatash në përpjekjet për të pasur shtetin tonë dhe tash po detyrohemi të ikim nga ky shtet, sikur të kishte punuar e funksionuar si duhet shteti ynë për këta 20 vjet jam i bindur që do të ishim zhvilluar dhe kishim ecur shumë përpara, prandaj dhe liberalizimi i vizave shumë herët do të ishte bërë për Kosovën dhe nuk do të kishim mbetur kushti si jemi tani të izoluar”, vlerësoi më tej Vokshi.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Një 25 vjeçar nga fshati Vragoli e Fushë Kosovës, ka humbur jetën dje në vendin e tij të punës në Prizren. Vdekja e tij ka...

Përfundon mbjellja e fidanëve dhe bimëve dekorative në hyrje-dalje të Prizrenit nga Suhareka

Ka përfunduar mbjellja e fidanëve drunorë dhe bimëve dekorative në brezin e gjelbër në mes të rrugës “Ukë Bytyqi,” që ndodhet në hyrje/dalje të...

Lajmet e Fundit