5.8 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Prizren / Ish-analisti i kredive e kundërshton aktakuzën, prokuroria thotë se ka prova

Ish-analisti i kredive, Dritan Syla, ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij që e ngarkon për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Një kërkesë të tillë, Syla e ka bërë në seancën e së hënës, nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokatit Ethem Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Syla, akuzohet se në cilësinë e ish-zyrtarit në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në atë mënyrë që gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë prej 1500 euro për klientin Dan Sefa, e vendos në aplikacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues të kredisë, i cili nuk ka qenë fare prezent dhe pa e shprehur vullnetin e tij, të njëjtit i shkakton dëm të konsiderueshëm.

Në kërkesën e parashtruar, mbrojtësi i të akuzuarit Dritan Syla, avokati Ethem Rugova, ka thënë se qëndron në tërësi pranë kërkesës për hudhje të akuzës, të cilën e ka bërë brenda afatit ligjor, si dhe siç ka deklaruar ai, aktakuza ndaj klientit të tij nuk është e bazuar në prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Kurse, prokurori i kësaj çështje penale Metush Biraj, ka kërkuar nga gjykata që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes, pasi që sipas tij, aktakuza si e tillë është e mbështetur në prova të mjaftueshme, si dhe ka kërkuar të caktohet shqyrtimi kryesor, në të cilin do të ftohen dëshmitarë, dhe pas administrimit të këtyre provave, siç ka thënë ai, do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.

Ndryshe, ky rast fillimisht është iniciuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, mirëpo për t’i ikur konfliktit të interesit, e njëjta ka kërkuar përjashtim, pasi që i akuzuari Syla, rezulton të jetë djali i prokurores Mone Syla, dhe për këtë Prokuroria e Apelit, ka vendosur që rasti t’i delegohet Prokurorisë së Prizrenit.

Seancën kryesore, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka caktuar më 17 maj 2019, prej 9:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 20 dhjetor 2018, Dritan Syla, akuzohet se në cilësinë e analistit të kredive, në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, në Gjakovë, jashtë detyrave dhe përgjegjësive të përshkruara në kontratë, pa leje dhe dijeninë e të dëmtuarit, Bashkim Sefa, atë e vendos si garantues të kredisë.

Organi i akuzës, thotë se gjatë muajit Maj 2016, i akuzuari Syla, gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë 1500 euro, për klientin Dan Sefa, e vendos në dokumentacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues i kredisë, megjithëse ai nuk ka qenë fare prezent, për të shprehur vullnetin e tij për një gjë të tillë.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarit i shkakton dëm të konsiderueshëm, pasi që më vonë, të njëjtit i është mohuar të marrë kredi për arsye se në regjistrin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ai figuron si debitor i keq.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Haradinaj pas vdekjes tragjike të 25-vjeçarit në Prizren: Të rritet siguria për punëtorët

Një 25-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në vendin e punës në Prizren. Lidhur me këtë ngjarje, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka apeluar për rritjen...

Mjeku lejoi një gjinekologe private të kryejë një lindje në Spitalin e Prizrenit, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj tij dhe gjinekologes

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.S., dhe T.D., për shkak të dyshimit të bazuar...

Lajmet e Fundit