Organizatorët e aktivitetit kulturor “Një kafe turke” kanë ftuar mysafirët në Prizren që t’u bashkëngjiten për shijimin e kësaj pijeje të nxehtë me porosinë që “një filxhan kafe mbahet mend për 40 vjet”. Por i njëjti aktivitet është bërë shkas për hatërmbetje, së paku te subjektet politike. Partitë opozitare në Prizren, duke e parë logon e Komunës në banerin njoftues të aktivitetit dhe titullin e tij, kanë reaguar për renditjen e gjuhëve zyrtare.
Mbishkrimi “Bir Türk Kahvesi – Një Kafe Turke – Jedna Turska Kafa”, sipas tyre, përbuz gjuhën shqipe meqë e vendos si gjuhë të dytë zyrtare. Duke qenë se aktiviteti është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës së Komunës së Prizrenit, ata kanë kërkuar edhe shkarkimin e udhëheqësit të këtij dikasteri. Komuna e Prizrenit ka sqaruar se nuk ka qenë organizatore e këtij aktiviteti, por ka pranuar se e ka subvencionuar atë dhe ka bërë të ditur se logoja e saj është përdorur pa autorizim. Ndërsa subjekti politik i drejtorit të Kulturës ka vlerësuar se reagimet e opozitës janë të paarsyeshme dhe se nxisin përçarje ndëretnike në qytetin e Prizrenit.
Në aktivitetin e zhvilluar në fundjavë kafet turke u janë servuar mysafirëve me qëllim të socializimit.
Esra Baykus, si organizatore e kësaj ngjarjeje, përmes rrjeteve sociale ka shprehur mirënjohje ndaj Komunës dhe drejtorit të DKRS-së dhe shumë të tjerëve për përkrahjen e ofruar për këtë aktivitet.
Mirëpo vendosja e logos së Komunës pranë titullit të aktivitetit me gjuhën turke në fillim ka mjaftuar që prej të dielës mbrëma të adresohen akuza nga opozitarët në drejtim të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, dhe drejtorit të Kulturës, Ehat Oreshka, për “zbritjen e gjuhës shqipe në gjuhë të dytë zyrtare të Komunës”.