-2.2 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Vallëzimi i “çmendur” i Presidentit

Fadil Lepaja

 

Opozita po e vë në pyetje shëndetin mendor të Presidentit. Opozita nuk po e merr vesh se ai veç po luan. I ka ndreq senet. Gjithçka e ka në dorë në këtë vend. Krejt demokracinë e ka në xhep. Me gjykata, me prokurorë, me inteligjencë, me Polici, me Ushtri e me sharki. Krejt institucionet tona (a)nacionale. Edhe Rita, njëjtë, po vallëzon gjysmë lakuriq. Ka kureshtje publike.

Pyetja është se kush vallëzon më mirë: Rita apo Presidenti? Njëjtë do të thoshin analistët tanë, të kurdisur. Pas kësaj deklarate goxha vështirë e ke me kuptu kujt i bëjnë nderë me këtë krahasim.

Tash ajo që dikur quhej “striptiz”, ka kuptim jo vetëm vizual. Nuk është fllad veç për sy. Gjithsesi gjëndrat i hallakatë. Ka edhe “striptiz” moral. Nejse, të dy janë të mirë, them unë. Por, ka edhe dallime. Presidenti është më tepër i dhënë kah Facebook-u. Ndërkohë që Instagrami i ka rrënu televizionet tona lokale. Redaktimin e lajmeve tash e bëjnë vet krijuesit e lajmit. Yjet hyjnë në banjë me asistim global. Ti veç e shkarkon.

Rita me një mbulojë të kaltër, sa për mësysh, në një video të shkurtër në Instagram mbulonte shumëçka që publiku do të dëshironte me pa, ndërkohë që Presidenti në Komision parlamentar, ku u dashtë me e “ngreh zhag” për me e çua, nuk kishte mbulojë dhe po zbulonte shumëçka që publiku nuk do të kishte dashtë me pa. Apo ndoshta është veç paragjykim i imi. Ndoshta publiku pikërisht këtë e kërkon. Ritës mami i thoshte me përkëdhelje “Oj e çmendur”, ndërsa Presidentit po ia vë në pikëpyetje arsyen, Xhelali, kryetari i Komisionit parlamentar.

Presidenti para Komisionit për “Gylenistët” doli krejt i pambrojtur, dhe duke e parë se po e “hanë të gjallë”, filloi me luftu me çka pat. Me fol përçartë. Me bë “striptiz” moral. Nuk kishte marrë asnjë mbulojë me mbulua atë që e dinë të gjithë. Hiç bre!

Për me përshkru më me kolorit, kisha thanë se Presidenti ishte lakuriq, por këtë e kam thënë më herët e nuk po dua të përsëris po aq herë sa përsëritet vet kreu i shtetit, i instaluar në krye të shtetit përkundër vullnetit qytetar. Po kujt i kujtohet tash se si u bë Hashimi president, ndërkohë që të gjithëve na kujtohet se si u bë Rita yll ndërkombëtar dhe si na pat bërë krenarë dikur kur mbështillej me flamurin e Kosovës.

Në Komision, “Zvarritësi”, “Boshko Buha”, u nokautuan në raundin e parë …! Nejse, ajo sharja me “Zvarritësin” ishte përdorur në aferë tjetër dhe kjo tregon se këshilltarët grindavecë të Presidentit, janë shterë. Edhe pse besohet se nuk ka para sa Presidenti, Rita nuk e vesh dy herë të njëjtën lëkurë.

Sido që të jetë, Presidenti përfundimisht s’ka nevojë për me vu ndonjë rruazë të kaltër për mësysh, as ndonjë mbulojë, se gjithçka ka dalë në shesh, dhe pas bisedimeve të gjata sekrete qytetarëve u ka kaluar gërdia e parë.

Nuk është sekret më as si u deportuan “gylenistët”, por kush e pranon se?! Gjykatësit i dekreton Presidenti. Krejt në xhep i ka. Në këtë vend feudalët tanë modernë na trajtojnë si pronë, bashkë me asetet të cilat i kanë blerë në procesin, ndërkombëtarisht të mbikëqyrur të privatizimit.

Mirë boll! Politika përfundimisht është argëtimi numër një i masave. Kur flitet për Ballkanin Perëndimor, mund të përdoret lirisht shprehja “i masave të gjera popullore”, shprehja e famshme që nga ditët e qeta të socializmit, kur argëtimi i vetëm ishte…! Jo bre, nuk kishte ndonjë argëtim në socializëm. “Boring”, kishte me thënë çdo adoleshent, qoftë nga këta që shkojnë në shkollë apo ata që nuk shkojnë. Këta të dytët shkojnë në Parlament. Edhe në politikë, përgjithësisht. Argëtuesit janë rehatuar në politikë. Na kënaqën. Rrehen, shahen, këndojnë e vallëzojnë. Kur asgjë nuk dhezë, bëjnë “striptiz”, live. Striptiz moral de!

Pra, nuk kishte argëtim në socializëm. Lexonim stripa ku Mirko e shpëtonte Sllavkon, pak pa kalu plumbi afër kokës së tij. Por, le, ku atëherë e ku tash. Atëherë argëtim ishte kur shikoje futboll, live, në stadium, apo kur shkoje në ndonjë koncert, po ashtu live, e shumta në ndonjë dasmë ku ndër tym duhani dhe krisma armësh ndiheshe si pjesë e këngëve epike.

Tash as futbolli nuk është më argëtim. Është angazhim me orar të plotë. Shihi statuset e politikanëve apo personaliteteve të tjera (të cilat duan të jenë) publike me çdo kusht. Futbolli tash është çështje kruciale në luftën identitare. Je kurrkush dhe sapo bëhesh simpatizues i “Barqës” me automatizëm bahesh pjesë e familjes së madhe të “Emirates…”

As muzika më nuk ka mbetur argëtim. Nuk na prek askund tjetër përpos në gjëndra. Mundesh lirisht me i pa spotet apo postimet e këngëtareve në rrjete sociale dhe nuk ndien asnjë nevojë me i “ngue”. Lirisht e këqyrë pa zë. E ngon pa za. I kullotë sytë, qysh kish thanë i moçmi!

Edhe Presidentin lirisht mundesh me e ngu, pa zë. Kur presidenti “vallëzon” lakuriq, në Parlament, të gjithë argëtohen. Tash argëtimi nuk e ka vetëm kuptimin e të qeshurit pa lidhje, vend e pa vend. Të qeshurit nuk është më i domosdoshëm për me u argëtu. Madje, nuk e gjen as në komeditë e sotme. Madje, as te barsoleta ku dominon humori i zi, ose ajo kategoria që quhet “pa lidhje”. Vica pa lidhje, komedi pa lidhje, politikë pa lidhje, këto e marrin vëmendjen sot.

Në xhepin e Presidentit janë akomoduar të gjithë që luajnë rol në shtet. Edhe mediat kryesore. E Presidenti tregon barsoleta për publikun e edukuar nga heronjtë e nëntokës. Ushtarët e rrugës vallëzojnë me ritmin e rrugës, nëpër institucione.

Gjithçka përcillet me sevda kolektive. Kot dyshimet për shëndetin mendor të Presidentit. Ai e di mirë se çfarë po bënë. Lëreni bre. Kapuni edhe ju në valle! “Hajde me tupan, hajde me tupan…”!

Më Shumë

Prizrenaset triumfuan në derbin ndaj Prishtinës

Bashkimi ka fituar ndaj Prishtinës me rezultat 71:78 (20:21, 14:13, 16:20, 21:24), në javën e gjashtë të Superliga Femrat. Përballja në kryeqytet ishte mjaft interesante...

Bora mbulon vendin, temperaturat arrijnë deri në 6 gradë gjatë ditës

Mbrëmë në orët e para pas mesnate nisën reshje të dendura të shiut dhe borës në gjithë vendin tonë. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se...

Lajmet e Fundit