3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Mbi 13 mijë prizrenas votojnë për herë të parë

Zgjedhje-kosove-logoPërderisa subjektet politike tashmë janë në vlugun më të madh të punëve për t’u paraqitur sa më mirë para elektoratit të tyre, ndërsa në zyrat e tyre ka filluar gjallëria, në Komisionin komunal zgjedhor (KKZ) po punohet rreth organizimit sa më të mirë teknik të këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që të shmangen të gjitha parregullësitë dhe procesi të jetë i pranueshëm për të gjithë.

Anëtar i KKZ-së në Prizren, Ilir Baldedaj konfirmoi për Zërin se për herë të parë në zgjedhjet e sivjetme do të dalin edhe 13 mijë persona, të cilët për dallim nga zgjedhjet e fundit tashmë kanë fituar të drejtën për të votuar, pasi kanë mbushur moshën e duhur prej 18 vitesh. Sipas tij janë rreth tetë mijë të rinj që vetëm këtë vit kanë arritur moshën, e cila i rreshton ata krahas zgjedhësve të tjerë në vend.

Në komunën e Prizrenit të drejtë vote sivjet kanë 158.054 votues, të cilët votën e tyre mund ta hedhin në 209 vendvotime, sa do të jenë të hapura ditën e zgjedhjeve.

“Kësaj radhe për gjashtë është shtuar numri i qendrave të reja votuese, duke ngritur kështu numrin e tyre në 71 sosh, ndërsa është shtuar qendra e re ajo në Kabash të Hasit, në fshatin Atmaxhë, në Serbicë, pastaj ajo në Lokvicë të rajonit të Sharrit, etj”, tha Baldedaj.

Zyrtarët thanë se në një vendvotim do të votojnë 950 persona me të drejtë vote.

Ndërkaq, ajo që vlen të përmendet si mangësi e deritashme është mungesa e informimit të votuesve. Kjo si duket është parë edhe gjatë periudhës së konfirmimit të vendvotimit, kur nga komuna e Prizrenit vetëm 457 persona kanë bërë ndërrimin e vendvotimit.

Baldedaj, tha se kampanja është bërë vetëm në nivel qendror dhe jo edhe në mediumet lokale.

Në KKZ-në e Prizrenit tashmë po kryhen procedurat për certifikim të komisionerëve dhe më pas pritet fillimi i trajnimit të tyre.

Në anën tjetër llogaritet që përafërsisht rreth 560 persona nga subjekte të ndryshme shqiptare, boshnjake, turke, serbe dhe ato të komunitetit RAE janë futur në konkurrencë për të fituar një ulëse në organin më të lartë të Prizrenit, përbërja e të cilit do të ketë 41 vende, aq sa pati edhe në mandatin e mëparshëm.

Paralajmërohen masa të rrepta ndaj keqpërdoruesve të mundshëm të votës

Si në KKZ ashtu edhe në Prokurorinë Themelore (PTH) në Prizren për këto zgjedhje paralajmëruan masa shumë më rigoroze ndaj keqpërdoruesve të mundshëm të votës, shkruan Zëri.

Kryeprokurori i PTH-së Sylë Hoxha, konfirmoi se sivjet janë shumë më të përgatitur se herëve tjera për mbikëqyrjen e situatës, ndërsa ditën e zgjedhjeve në Prizren do të kujdestarojnë dy prokurorë, të angazhuar enkas ndaj rasteve të keqpërdoruesve të mundshëm të votës, ndërsa nga një do të jetë nëpër komunat më të vogla si në Suharekë, Rahovec, Sharr (ish Dragash) e Malishevë.

Xhevdet Elshani, njëri nga gjykatësit kujdestar ditën e zgjedhjeve, në kuadër të Gjykatës Themelore në Prizren, paralajmëroi personat e angazhuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të jenë të vëmendshëm dhe serioz duke ditur çfarë bëjnë e nënshkruajnë, në mënyrë që të mos përballën me drejtësinë.

Sipas tij, për të tilla veprime në Prizren tashmë janë dënuar gjashtë persona të angazhuar në zgjedhjet e fundit, katër prej të cilëve me burgim, përderisa dy të tjerëve u është shqiptuar masa e dënimit me kusht./zëri/

Më Shumë

Hipokrizia e Greqisë dhe heshtja ndaj çështjes Çame në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Lumni Lushaj Greqia vazhdon të kushtëzojë mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit grek...

KBF Bashkimi shpallet skuadra më e mirë e vitit 2024 në konkurrencën e femrave

Në ceremoninë Laureatët 2024, KBF Bashkimi u shpall skuadra më e mirë në konkurrencën e femrave për vitin 2024. Ky çmim nderon përkushtimin dhe...

Lajmet e Fundit