11 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Mësuesi i Prizenit që publikoi foton e nxënësëve në përkrahje të Erdoganit ua lë fajin fëmijëve

Një fotografi e publikuar nga një mësimdhënës me nxënësit e klasës së katërt të shkollës “Motrat Qiriazi” në Prizren ka ngjallur debat dhe reagime të shumta. Nxënësit në këtë fotografi shihen duke e bërë një gjest i cili simbolizon përshëndetjen e ushtrisë turke, e kjo gjë është parë si shfrytëzim dhe keqpërdorim i fëmijëve në dobi të Presidentit turk Erdogan që po lufton kundër kurdëve në Siri. Por, mësimdhënësi i komunitetit turk që tani po rrezikon të përjashtohet nga puna ua lë fajin atyre – thotë se fotografia ishte bërë me kërkesë të nxënësve, pas ndeshjes së futbollit Francë – Turqi, shkruan Gazeta Express.

Pesëmbëdhjetë nxënës, djem e vajza, me flamurin e Turqisë dhe me përshëndetje ushtarake është fotografia e cila ka ngjallur debat tash e dy ditë në Kosovë.

Nxënësit e klasës së katërt të shkollës “Motrat Qiriazi” në Prizren, janë fotografuar bashkë me mësimdhënësin e tyre Selver Shatin, ndërkaq fotografia është shpërndarë nëpër rrjete sociale.

Arsyeja e debatit rreth kësaj fotografie është lufta e cila është duke u zhvilluar nga forcat turke ndaj kurdëve në Siri.

Por, mësimdhënësi i cili është kritikuar nga të gjithë për fotografinë po thotë se ajo është bërë me kërkesë të nxënësve dhe se po keqinterpretohet.

“Unë profesori i Edukatës Fizike, Selver Shatin, pas ndeshjes së 11 tetorit Francë – Turqi, me datën 13 tetor jam fotografuar me nxënësit me kërkesën e nxënësve të mi, në orën e Edukatës Fizike. Unë e kam bërë këtë publikim për të ua bërë qejfin atyre dhe kjo fotografi është bërë vetëm me qëllim sportiv. Ky publikim në ditët në vazhdim është përdorur për qëllime të tjera në Kosovë. Kur e kam lexuar lajmin nëpër gazeta, kam menduar se jam keqkuptuar dhe për këtë arsye e kam larguar postimin. Dua të theksoj se më vjen shumë keq që ky postim ka shkaktuar keqkuptime”, thuhet në letrën e mësimdhënësit, të siguruar nga T7.

E drejtori i shkollës “Morat Qiriazi”, Sedat Shkurti ka thënë për Express se ka kërkuar ndihmë nga MASHT’i dhe DKA’ja.

“I kemi marrë masat ndaj mësimdhënësit, ende nuk dihet a do të përjashtohet apo të suspendohet. Unë kam kërkuar ndihmë nga MASHT’i dhe DKA’ja lidhur me këtë rast. Pas kërkesës që e kam bërë, sot në shkollë ka ardhë inspektorati i arsimit”, ka thënë Shkurti.

Ndërkaq drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi, thotë se ajo çfarë ka bërë mësimdhënësi nuk është gjest i mirë.

“Veprimi të cilin e ka bërë mësuesi është shume i keq, nuk e arsyetojmë”, ka thënë Thaçi.

Për fotografinë ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. MASHT thotë se shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët, kjo është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

“Prandaj, MAShT gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti, në mënyrë që të kenë informata të sakta për ta adresuar këtë rast dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.

Po ashtu ndaj fotografisë së publikuar, gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe Këshilli i Prindërve të cilët kanë bërë thirrje tek secili qytetar i cilësdo përkatësie etnike , që të mos manipulojnë me nxënësit për interesa çfarëdo qofshin ato.

“Nxënësit shkollën e kanë vend edukimi e arsimimi, asgjë më shumë. Prandaj Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masat që i parasheh ligji”, thuhet në reagimin e këtij Këshilli.

Të dielën për të njëjtën fotografi ka reaguar edhe zyrtari i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Gent Kryeziu. Ai ka bërë një postim në Facebook ku ka shkruar se shfrytëzimi i fëmijëve nga mësuesit e tyre, me përshëndetje ushtarake është lloji më i poshtër dhe më brutal i abuzimit me fëmijë.

“Shfrytëzimi i fëmijëve nëpër shkollat tona nga mësuesit e tyre me përshëndetje ushtarake në shenjë përkrahjeje të aksioneve vrastare mes ushtrisë turke dhe rezistencës guerile kurde është lloji më i poshtër dhe më brutal i abuzimit me fëmijë. Derisa shkolla “Motrat Qiriazi” në Prizren flirton me fëmijë në këtë mënyrë, kulmi i abuzimit të tillë kurorëzohet me heshtjen e autoriteteve kompetente”, ka shkruar Kryeziu.

Forcat turke e kanë nisur një sulm kundër kurdëve më 9 tetor në Siri, menjëherë pasi SHBA-ja i tërhoqi trupat ushtarake nga rajoni kufitar mes Sirisë dhe Turqisë. Të enjten e kaluar, palët u pajtuan për një armëpushim pesëditorë, pas kritikave të ashpra që Turqia i mori nga e gjithë bota.

Ndërkaq, kurdët janë pakica më e madhe etnike në Siri. Ata përbëjnë 5-10 për qind të popullsisë siriane, që në vitin 2011 numëronte 21 milionë banorë. Kurdët jetojnë kryesisht në veri të vendit, pranë kufirit me Turqinë, bashkë me arabët dhe grupimet e tjera etnike. Popullata të mëdha kurde jetojnë edhe në Turqi, Irak, Iran dhe Armeni. Në total në rajon jetojnë 25-30 milionë kurdë, të shpërndarë në 5 shtete, dhe pa asnjë shtet kombëtar.

Milicia është pjesë e një grupi gueriles kurd të njohur si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. PKK ka zhvilluar prej vitesh një luftë guerilase brenda Turqisë. Ankaraja e sheh kontrollin e një zone kaq pranë kufirit të saj nga kurdët, si një kërcënim i madh për sigurinë e saj. Ajo druhet se kjo zonë mund të shndërrohet në strehë të disidentëve që arratisen nga Turqia, apo në një “trampolinë” për rebelët që planifikojnë sulme në territorin turk./GazetaExpress

Më Shumë

Zyrtarët e Shërbimit Korrektues në Prizren dhuruan gjak për nder të festave të nëntorit

Në kuadër të festave të nëntorit, një grup zyrtarësh nga Qendra e Shërbimit Korrektues në Prizren dhuruan gjak vullnetarisht për nevojat e Qendrës së...

Peci: Gratë e Krushës i subvencionuam me mbi 1 milion e 900 mijë euro

Ministri i Bujqësisë Faton Peci, thotë se gjatë këtij mandati kanë mbështetur 30 gra të Krushës me 1 milion e 933 mijë e 327...

Lajmet e Fundit