20.9 C
Prizren
E premte, 22 Gusht, 2025

Prizren/ Polici akuzohet se përvetësoi pesë eurot e personit të ndaluar, mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës ndaj tij

Zyrtari policor, Selman Ukzeza, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj tij, e cila e ngarkon atë për përvetësim në detyrë.

Një kërkesë të tillë, i akuzuari Ukzeza e ka paraqitur në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Avni Thaqit.

Zyrtari policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, Selman Ukzeza, akuzohet se në maj të vitit 2019, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, bën regjistrimin e gjësendeve të tij, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro që i posedonte i dëmtuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për hudhje të aktakuzës, avokati Avni Thaqi, e ka paraqitur në formë të shkruar, më 2 dhjetor të këtij viti, për të cilën gjyqtari Xheladin Osmani, ka deklaruar se do ta shqyrtojë dhe do të kthejë përgjigje në formë të shkruar.

Mirëpo, ketë kërkesë, në shqyrtimin e dytë e ka kundërshtuar prokurori i rastit, Metush Biraj, i cili ka thënë se pretendimet e mbrojtësit nuk qëndrojnë, pasi që ai ka prova dhe fakte në të cilat e ka mbështetur aktakuzën.

“Gjatë provave të cilat janë grumbulluar gjatë hetimit, prova këto të cilat kanë qenë të bashkëngjitura edhe në aktakuzë, ka dyshim të bazuar mirë se i pandehuri, ka kryer veprën penale që është objekt i kësaj aktakuze”, ka thënë prokurori Biraj, në kundërshtimin e tij.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Thaqi, ka kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet shefi i Qendrës së Ndalimit, Bahtiar Belloda, i cili sipas tij, do të jep informacione mbi personalitetin e të pandehurit.

Gjyqtari Osmani, pasi që ka aprovuar kërkesën e avokatit mbrojtës për dëgjimin e dëshmitarit, ka thënë se shqyrtimin kryesor për këtë rast do ta caktojë pas formimit të trupit gjykues.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, e akuzon Selman Ukzekën se më 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, aksesori, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro.

Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pyet të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formular të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

MKRS-ja pas aktakuzës ndaj zyrtarëve të Urbanizmit në Prizren: Asetet kulturore u shkatërruan qëllimshëm

Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, ka mbajtur sot një konferencë për media pas ngritjes së aktakuzës ndaj dy...

Zhduket një person në Prizren, familjarët kërkojnë ndihmë

Një femër kosovare ka raportuar në polici se vëllai i saj ka dalë nga shtëpia dhe prej asaj kohe nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti...

Lajmet e Fundit