Budallai i bukur

Nga Edison Ypi

 

Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur, me muhabete të thjeshta dhe të rrafshëta deri në neveri, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo si tulla të njëllojta që sapo kanë dalë nga fabrika.

Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet. Koha kur njerëzia thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku. Sot që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e karkalecave mbi fushën me grurë, duket çudi si ndodhi që kemi më tepër budallenj të bukur se budallenj të pabukur.

Me pamje të jashtëme të studiuar para pasqyrës, qasje nazelie ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë budallallëku.

Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.

Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende ekzotike të huaja.

Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë pothuaj të gjitha fërngjitë e politikës, zyrat e ndryshme, shoqërinë civile, mediat, ku budallenjtë tanë të bukur bëjnë hatanë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafundëm.

Budallai ynë i bukur është një tyç i azhornuar, një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.

Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.

Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën./ KultPlus.com

Më Shumë

Fundjava sjell fluks të madh, mbi 10 mijë kosovarë kalojnë në Shqipëri

Pika kufitare e Morinës përballet me fluks të lartë, ndërsa mijëra pushues nga Kosova i janë drejtuar bregdetit shqiptar. Fundjava ka sjellë një rritje të...

Malisheva dhe Ballkani mësojnë kundërshtarët në Ligën e Konferencës

Malisheva dhe Ballkani kanë mësuar kundërshtarët e tyre për rundin e parë kualifikues të UEFA Europa Conference League. Nënkampionia e Kosovës, Malisheva, do të përballet...

Lajmet e Fundit