Dita e sotme pritet të jetë shumë e zënë për LDK-në dhe VV-në, që e kanë afatin e fundit për të arritur marrëveshje për koalicion, para seancës së 3 shkurtit.
Në fakt, që nga mëngjesi i hershëm, ashtu siç konfirmuan edhe zyrtarët e të dy partive, këto dy subjekte pritet të jenë në kontakt të vazhdueshëm për bashkërendimin e veprimeve në drejtim të marrëveshjes.
Para arritjes së marrëveshjes, të dy partitë do të mbledhin Këshillet e Përgjithshme, aty ku do të prezantohet marrëveshja në parim, ndërkaq që ky organ pritet ta votojë formalisht atë.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do t’i paraprijë edhe takimit final, ku nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, pritet të nënshkruhet edhe përfundimisht marrëveshja mes dy partive.
Në fakt, ndër ngjarjet kryesore të ditës pritet të jetë edhe paralajmërimi për dorëheqje i Glauk Konjufcës, në kuadër të propozimit të LDK-së që të arrihet marrëveshja.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së pritet të fillojë në orën 13:00, ndërkaq që nuk dihet se kur do ta bëj Vetëvendosja këtë.
Në praktikë, marrëveshja hyn në fuqi të hënën kur edhe do të mbahet seanca për votimin e përbërjes së re të Qeverisë.
Bashkë me komunitetet pakicë, VV dhe LDK aktualisht e kanë shumicën parlamentare të nevojshme.
Gazeta Express ka raportuar se është hapur rruga për marrëveshje mes VV’së dhe LDK’së, gjatë takimit të fundit mes përfaqësuesve nga të dy partitë më të mëdha në vend.
Express po ashtu ka raportuar se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.
Raportimin e ka konfirmuar anëtari i VV’së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lëshojë postin që e mori vetëm një muaj më parë.
Ndërkohë, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili thuhet se po luan rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes VV-LDK, ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.
Gazeta Express, ndërkaq, ka mësuar nga burimet e saj detaje të marrëveshjes së koalicionit VV-LDK.
Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV’së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.
LDK’ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në Qeverinë Kurti, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend. /Express/