1.7 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Shtyhet për dy muaj afati i pagesës, por jo edhe i deklarimit të tatimeve

Ministria e Financave dhe Transfereve ka marrë vendim që të zgjatë afatin e pagesës së tatimit edhe për dy muaj, saktësisht deri më 30 qershor, por jo edhe atë të deklarimit të tatimeve.

Në vendimin e kësaj ministrie thuhet se zgjatja e afatit të pagesës së tatimeve bëhet për pasqyra tremujore të tatimit dhe kontributeve për bizneset e mëdha individuale, për bizneset e vogla individuale, për pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për Korporatat e mëdha si dhe për pasqyra tremujore të pagesës paradhënie për korporatat e vogla.

Sipas vendimit, afati i deklarimit të tatimeve mbetet deri më 30 prill dhe bëhet në pajtim me legjislacionin tatimor në fuqi. Ky vendim do të zbatohet për të gjithë tatimpaguesit, të cilët në bazë të legjislacionit tatimor, janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë për këto lloje tatimesh.

“Tatimpaguesit të cilët janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë, munden që të bëjnë kërkesë për marrëveshje të pagesës me këste dhe bazuar në dëshmitë e prezantuara, Administrata Tatimore e Kosovës mund të mundësojë formën e tillë të pagesës për këto lloje të tatimit, duke i rezervuar vetes të drejtën që pas përfundimit të masave në fuqi edhe të bëjë verifikimin e secilit rast”, thuhet në vendim.

Për të gjitha llojet e tjera të tatimeve afati për deklarim dhe pagesë përfundon më datën 30 prill 2020, sipas Vendimit Nr. 26/2020 të datës 19.03.2020 të Ministrit të Financave dhe Transfereve.

Për shkak të pandemisë, ndër masat e marra nga Qeveria në detyrë ishte edhe mospagesa e detyrimeve tatimore. Në vendimin paraprak, Ministria e Financave dhe Transfereve, pagesën e këtyre detyrimeve e shtyu deri më 30 prill.

Oda Ekonomike Amerikane, për shkak të vazhdimit të situatës së krijuar nga koronavirusi, ka bërë kërkesë në këtë ministri që afati të shtyhet tutje. Sipas kryetarit të OEAK-ut, Arian Zeka, bizneset nuk janë të gatshme të paguajnë ende këto detyrime.

Ndërkohë, edhe Banka Qendrore e Kosovës, me kërkesë të bankave, ka shtyrë për tre muaj pagesat e këstit të kredive. Në një përgjigje të BQK-së thuhet se bankat kanë vlerësuar se vazhdimi i masave kufizuese ka ndikuar në vështirësi te huamarrësit të cilët kanë bërë kërkesë për shtyrje.

“Bankat, duke vlerësuar vazhdimin e masave kufizuese të vendosura dhe vështirësitë e raportuara nga huamarrësit, kanë bërë kërkesë për shtyrjen e pezullimit të pagesave të kësteve për kredi për një afat prej tre muajsh, gjë të cilën BQK-ja e ka aprovuar”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

BQK-ja paraprakisht kishte marrë vendim që për huamarrësit (biznese dhe individë), të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, t’u mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.

Më Shumë

Mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionistët, Murati: Pagesat do të ekzekutohen javën e ardhshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ketë mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionmarrësit. Murati ka bërë...

Suhareka hap dyert për mërgimtarët, siguron parkingje falas për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ai ka...

Lajmet e Fundit