Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim unik me shtatë muaj burgim efektiv dhe 200 euro gjobë, ndaj të akuzuarin për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor, S.K.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, gjykata ka shqiptuar dënim në burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, ndërsa për veprën penale “dhunë në familje”, dënim në kohëzgjatje prej tre muaj dhe 200 euro gjobë.
Ndërsa dënimi unik për këto dy vepra penale, sipas gjykatësit Shabani, do të jetë shtatë muaj burgim efektiv dhe 200 euro gjobë, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 17 marsi 2020 e deri më 16 qershor 2020.
I akuzuari është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të ekspertizës mjekoligjore shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro, si dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 30 euro.
Të dëmtuarat S.B dhe A.K, lidhur me kërkesën pasurore juridike, janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil.
Gjykatësi Shabani ka deklaruar se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të të njëjtit me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur dy aktakuza ndaj të akuzuarit S.K., një me 6 maj 2020 dhe një me 3 qershor 2020, për veprat penale “dhunë në familje” dhe “lëndimi i lehtë trupor”.
Sipas aktakuzës së parë, i pandehuri me 16 mars 2020, në fshatin Xërxë të Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tij, shkakton dhunë në familje, respektivisht duke përdorur forcën i shkakton lëndime trupore bashkëshortes së tij, të dëmtuarës S.B, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes vete, i pandehuri fillimisht kërkon që të largohet nga shtëpia dhe pastaj e godet të dëmtuarën me mjet të fortë (dru), me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.
Në aktakuzë thuhet po ashtu me 17 mars 2020, rreth orës 14:00, i pandehuri në shtëpinë e tij, i shkakton lëndime trupore bashkëshortes së tij, të dëmtuarës S.B, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes vete dhe derisa i pandehuri ishte në gjendje të dehur, e godet të dëmtuarën me grusht dhe me mjet të fortë (çelësa të veturës), deri në atë moment ndërhynë djali i tyre Ç.K., duke e larguar të pandehurin nga e dëmtuara, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.
Kurse sipas aktakuzës së dytë, i pandehuri, me 15 maj 2020, rreth orës 01:00, në fshatin Xërxë, pikërisht në shtëpinë e tij, me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit, cenimit të dinjitetit tek nusja (reja) e tij, e dëmtuara A.K, shkakton dhunë në familje dhe keqtrajtim fizik.
Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që, për shkak të raporteve jo të mira, i pandehuri, nën ndikim të alkoolit, duke u treguar agresiv ,natën kritike përdorur forcën ndaj të dëmtuarës, duke e kapur për krahu për ta larguar nga dhoma e saj për në oborr të shtëpisë, ku në ato momente e dëmtuara ishte së bashku me foshnjën e saj dhe më pas i dëbon nga shtëpia edhe bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, duke ju drejtuar me fjalët “do e kalli shtëpinë dhe se ju nuk mund të jetoni në shtëpinë time”
Ndërsa më pas të dëmtuarit, pasi që largohen nga shtëpia e lajmërojnë policinë dhe kërkojnë ndihmë nga ata, me ç’rast i pandehuri me veprimet e tij pos që ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarës A.K, ka shkaktuar dhimbje dhe shqetësim të madh emocional tek e njëjta. /BetimipërDrejtësi