2.8 C
Prizren
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

“Hardh Fest”, me rockerin anglez Robert Plant, synon ta sfidojë pandeminë

Kantautori anglez Robert Plant, i cili në vitin 2011 ishte radhitur si lideri më i mirë nga revista e amerikane “Rolling Stone”, ka mundësi të vijë në Kosovë. Por, nëse pandemia e pamundëson mbajtjen e aktiviteteve kulturore, vokalisti i grupit të njohur “Led Zeppelin” mund të mbajë koncert online. Të paktën kështu janë planet e organizatorëve të festivalit “Hardh Fest” për edicionin e tyre të gjashtë, që pritet të mbahet në shtator.

Drejtori i festivalit, Agron Sokoli, ka thënë për KOHËN se janë në diskutime që ylli kryesor i “Hardh Festit” sivjet të jetë Planti. Stafi i festivalit që mbahet në Rahovec po planifikon që t’i mbajë aktivitetet e shumta, përfshirë edhe garën për të rrëkëllyer gota me raki, e deri te përzgjedhja e “Mbretëreshës së rrushit”.

Janë optimistë që duke kufizuar numrin e pjesëmarrësve dhe duke respektuar masat që janë në fuqi për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, do t’u lejohet diçka e tillë. Mëdyshje më shumë kanë për mënyrën se si do të mbahen koncertet.

Janë duke menduar opsionin e formatit online, nëse u ndalohet organizimi i performancave skenike dhe tubimet e masave para binës për të përjetuar muzikën e legjendave të rockut, diçka që në edicionet e kaluara ka qenë fare normale.

Robert Anthony Plant u bë i njohur me grupin “Led Zeppelin”. Kur grupi anglez “The Yardbirds” u shpërbë në vitin 1968, kitaristi Jimmy Page dëshiroi të formojë një grup me këngëtarin me të mirë që mund ta gjente.

Si zgjedhje të parë e kishte pasur Terry Reidin, mirëpo mendoi se Robert Plant, atëherë vokalist në “Bend of Joy”, mund të ishte zgjedhje më e mirë. Qëlloi të ishte e saktë.

“Led Zeppelin” filloi të luante në fund të vitit 1968 dhe publiku sakaq u mahnit nga energjia dhe zëri i vokalistit. Për 12 vjet, Plant ishte vokalist, mirëpo grupi do të shpërbëhej kur vdiq bateristi John Bonham. Ata ishin bërë bashkë herë pas here, ku vlen të theksohet paraqitja e vitit 2007, kur luajtën në të njohurën “London’s 02 Arena”. Sidoqoftë, Plant ishte kokëfortë që të mos vazhdonte me grupin.

Filloi të fokusohej në karrierën e tij si solist, ku arriti kulmin në vitin 2009 kur fitoi çmimin “Grammy” për albumin e vitit me “Raising Sand”. Sukseset vazhduan tutje. Në vitin 2010 lansoi solo-albumin “Band of Joy”, të parin me bendin e tij të ri me të njëjtin emër. Kurse këtë vit ai pritet të publikojë antologjinë “Digging Deep: Subterranea”, që do të bëjë bashkë 30 këngë nga karriera solistike e Plantit, përfshirë edhe tri këngë të padëgjuara më parë.

“Hardh Fest”, që nisi si një festë pa mëtime ambicioze në vitin 2001 e me një traditë prej 19 vjetësh, njihet për faktin se solli disa legjenda të muzikës rock në Rahovec. Ronnie Romero, vokalisti ikonik i bendeve “Lords of Black”, “Rainbow” dhe “CoreLeoni”, bashkë me bendin nga Bullgaria “Eridan”, vjet ishin deserti kryesor i “Hardh Festit”. Më e mira deri më tani mbetet prurja e vitit 2017. Atë vit festivali solli ish-vokalistin e “Deep Purple” dhe “Rainbow”, Joe Lynn Turner. Synimet i kanë të mëdha edhe për këtë vit, ani pse bota po përballet me pandemi.

Më Shumë

Vullnetarët e Vetëvendosjes në kufirin e Morinës ftojnë bashkatdhetarët të regjistrohen për votim

Në kufirin e Morinës, ku qindra mërgimtarë po arrijnë çdo orë duke sjellë gjallëri dhe energji festive në prag të fundvitit, përveç pritësve familjarë...

Sekuestrohen armë dhe municion pas një rasti kanosjeje në Rahovec

Policia ka njoftuar se dje Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar një raportim lidhur me një rast të kanosjes.   Një person ka raportuar se pas...

Lajmet e Fundit