Gjykata Themelore në Prizren, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuari për dhënie të ryshfetit, Adem Curra.
Ai është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 500 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Raima Elezi, dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda 3 viteve.
Kurse në dënimin me gjobë, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 25 korrik ut e deri më 7 gusht 2020, ashtu që një ditë do të llogaritet 20 euro.
I pandehuri Curra obligohet që dënimin me gjobë ta paguajë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së vendimit.
Në rast të mos pagesës së gjobës, të akuzuarit dënimi në fjalë do t’i shndërrohet në dënim me burg, ku për një ditë burgim llogaritet shuma prej 20 euro.
I akuzuari Curra gjithashtu obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.
Aktgjykimi dënues ndaj tij është shpallur pasi i njëjti, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 6 gusht, e ka pranuar fajësinë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 29 korrik 2020, Adem Curra akuzohet se më 25 korrik 2020, rreth orës 03:55 minuta, në pikën kufitare të Vërmicës Shqipëri-Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron personit zyrtar përfitim pasuror.
Sipas aktit akuzues, gjatë kalimit të pikës doganore, me kërkesën e zyrtarit policor për kontrollimin e dokumentit, në dokumentin e udhëtimit – pasaportë, i akuzuari Curra ka futur shumën e të hollave prej 20 euro, të cilën më pas e ka vërejtur zyrtari policor dhe në pyetjen e tij se për “çka janë këto të holla?”, i njëjti i është përgjigjur me fjalët “për ju për të pirë kafe”, ku më pas i pandehuri është ndaluar.
Me këto veprime, i pandehuri Curra akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi