Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet N.P, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”, raporton Express.
Sipas aktakuzës, i pandehuri në janar të vitit 2001, në rrugën e “Saraçëve” në Prizren, bashkë me dy persona e kanë rrëmbyer një vajzë në Prizren dhe më pas i kanë kërkuar babait të saj 420 mijë marka gjermane për lirimin e të bijës.
Tutje në aktakuzë thuhet se të dyshuarit e kanë keqtrajtuar edhe seksualisht të dëmtuarën.
“Të njëjtit pas marrjes së parave të kërkuara për lirimin e viktimës, e lirojnë atë dhe arratisen nga Kosova. Me këto veprime, i akuzuari N.P., ka përmbushur elementet e veprës penale “Rrëmbimi” nga neni 191 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në komunikatën e gjykatës./Gazeta Express
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet N.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale “Rrëmbimi” nga neni 191 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.P., Me datë 07 Janar 2001 rreth orës 20:30 në rrugën e ‘’Saraçëve’’ në Prizren, në bashkëkryerje me të pandehurit A.H., O.Ç. dhe D.P. – të gjithë nga Prizreni, në marrëveshje paraprake kryejnë rrëmbimin e të dëmtuarës P.K. nga Prizreni.
Të njëjtit viktimën e dërgojnë në shtëpinë e të pandehurit A.H. dhe më pas kontaktojnë me familjen e të dëmtuarës dhe nga të njëjtit kërkojnë shumën e parave prej 420 mijë marka gjermane, për lirimin e bijës së tyre.
Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri së bashku me bashkëpunëtorët e mbajnë të dëmtuarën të ngujuar deri më 08 shkurt 2001, të cilën e keqtrajtojnë edhe seksualisht.
Të njëjtit pas marrjes së parave të kërkuara për lirimin e viktimës, e lirojnë atë dhe arratisen nga Kosova.
Me këto veprime, i akuzuari N.P., ka përmbushur elementet e veprës penale “Rrëmbimi” nga neni 191 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.