20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Nuk lirohen nga puna mësimdhënësit me sëmundje kronike

Janë bërë 5 muaj qëkur Ministria e Arsimit pati premtuar që gjatë pandemisë do të lirohen nga puna mësimdhënësit që vuajnë nga sëmundje të rënda kronike, por ky premtim nuk po gjen zbatim.

Mësimdhënësja e gjimnazit “Eqrem Qabej” në Prishtinë, Nurije Kastrati, e operuar nga kanceri i gjirit, tërë gjysmëvjetorin e parë ka punuar në shkollë. Ajo është e pakënaqur që nuk po respektohet vendimi i MASH-it.

“Me gjithë evidencën e ofruar nga ana ime për problemet shëndetësore që i kam pasur, edhe moshën, e di drejtori por nuk kanë marrë diçka me shkrim që unë ose rastet si unë të lirohen. Unë i kam dy rrugë, ose të lirohen ose t’i ekspozohem rrezikut apo ta lëshoj punën, e me lëshu s’kemi as qysh me jetu”, ka thënë ajo.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, po kërkon që në gjysmëvjetorin e dytë të zgjidhet kjo çështje.

“DKA-të nuk e kanë kryer detyrën e tyre dhe nuk e kanë realizuar vendimin e Qeverisë dhe marrëveshjen që ata e kanë me MASH-in ngase jo të gjithë mësimdhënësit e sëmurë rëndë janë ndier mirë, janë ndier komodë dhe janë liruar nga procesi mësimor. Këtë po e them ngase vazhdimisht kemi pasur vizita që janë ankuar se ata janë të sfiduar dhe nuk kanë vendime se këtë vit shkollor do të pushojnë”, ka thënë ai.

E kryesuesi i Kolegjiumit të drejtorëve komunalë të Arsimit, Besim Avdimetaj, ka thënë se faji nuk është te komunat, por që Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave duhet ta sqarojnë mirë se si do të realizohet kjo.

“Ministria veç fjalë ka, se mjete kanë ndarë po jo decidivisht për mësimdhënës, do të thotë duhet kod i posaçëm sepse kemi probleme me Ministrinë e Financave për me i vendosë në listat e pagave”, ka deklaruar ai.

E MASH-i, në një përgjigje me shkrim, ka theksuar se mjetet financiare të parapara me Master Plan për 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda e kronike janë aprovuar nga Qeveria dhe u janë ndarë komunave sipas kriterit të numrit të nxënësve. Sipas MASH-it, është përgjegjësi e drejtorive komunale të arsimit të gjejnë formën ligjore për t’i harmonizuar këto norma sipas nevojave në shkolla.

Ministria nuk ka ofruar statistika mirëpo, sipas të dhënave të SBASHK-ut, janë rreth 300 mësimdhënës që vuajnë nga sëmundje të rënda kronike.

Në muajin nëntor edhe Qeveria ka paraparë që personat me sëmundjet e rënda të lirohen nga paraqitja në punë.KOHA

Më Shumë

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e...

Sonte, spektakël i basketbollit pritet në Therandë

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë sonte mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po fitojnë 2:1...

Lajmet e Fundit