20.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Takimet me presidentin Ibrahim Rugova

Sali Spahiu

Më 21 janar bëhen 15 vjet nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Ai u nda fizikisht, por vepra e tij monumentale për liri, pavarësi dhe demokraci do të jetojë përjetësisht, edhe për gjeneratat pas nesh.

Në vitin 1988 pata nderin të takohesha për së afërmi me të, kur ai ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Në atë kohë (1987) përfundoi së ndërtuari objekti i ri i “Kosovafilmit” në lagjen “Arbëria” (Dragodan). Unë isha autor-projektues i atij objekti ku sot ndodhet Komanda e KFOR-it për Kosovë.
Qeveria e Kosovës vendosi që objektin e vjetër të “Kosovafilmit”, (ku ndodhet sot Shtëpia e Pavarësisë) t’ia japë Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova, si kryetar i kësaj shoqate erdhi në zyrën time, në Entin për Urbanizëm dhe Projektime, ku, ndër tjera, më tha: “Sali, neve Qeveria e Kosovës vendosi të na japë objektin e vjetër të ‘Kosovafilmit’. Të lutem, nëse ke mundësi e shikon dhe na sugjeron çka duhet të bëjmë?”.

“Unë pajtohem”, i thashë dr. Rugovës. “Së bashku me kolegët e mi do ta shikojmë objektin detajisht, do t’ju sugjerojmë se çfarë duhet bërë, e pastaj do ta hartojmë dokumentacionin e nevojshëm teknik – natyrisht gratis”.

Në vitin 1989, kur dr. Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i LDK-së, bisedova me bacën Habit (Habit Krasniqi) – të cilin e njihja më herët e që asokohe kishte ndërmarrje ndërtimore – për t’i kryer punimet sipas projektit. Baca Habit pranoi dhe e kreu këtë punë falas.

Sa herë që jemi takuar e kam pyetur: “Si i kemi punët, zoti president”? Gjithmonë kam marrë përgjigjen e njëjtë: “Mirë do të bëhet”

Kështu, objekti u rinovua dhe shërbeu edhe për LDK-në, e më vonë edhe për parti të tjera politike. Objekti kishte sipërfaqe tejet të vogël – gjithsej 83.03 metra katrorë neto, pasi ishte projektuar dhe ndërtuar si atelie për piktorë.

Kur u zgjodh president i Kosovës pata nderin ta takoja edhe disa herë. Sa herë që jemi takuar e kam pyetur: “Si i kemi punët, zoti president”? Gjithmonë kam marrë përgjigjen e njëjtë: “Mirë do të bëhet”. Pra, ai ishte shumë i bindur për liri, pavarësi e demokraci, gjë që e ka përsëritur pandërprerë në çdo konferencë për shtyp e televizion.

Më 28 gusht të vitit 2000, pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur presidenti ishte kthyer në Prishtinë, përmes një punëtori të Presidencës më ftoi në takim në “rezidencën” (shtëpinë) e tij në lagjen “Velania”.

Image

Ky muze – “Shtëpia e Pavarësisë” – është dashur të jetë shumë më autentik sesa që është realizuar

Nuk isha i sigurt se cila do të ishte tema e bisedës për takimin tonë, megjithëse supozova që ka të bëjë me objektin ku vepronte LDK-ja para luftës. Supozimi im ishte i saktë. Takimi ynë pas luftës ishte shumë i ngrohtë dhe i sinqertë, si gjithmonë kur e kam takuar presidentin. Pasi shkëmbyem disa fjalë rasti, presidenti më tha: “Sali, ti e di se forcat serbe më 24 mars 1999 e kanë djegur objektin tonë, pas sulmit ajror të NATO-s në ish-Jugosllavi”. I thashë: “Po, zoti president”. Ai pastaj më tregoi për idenë që kishte për këtë objekt. Ideja e presidentit ishte që objekti i djegur të rinovohej dhe të mbindërtohej e zgjerohej. Ai sugjeroi që në përdhese të ishte me destinim muze, ndërsa në kat për pionierë dhe rini, pra për aktivitete kulturore të tyre. Natyrisht e dëgjova presidentin me shumë vëmendje derisa e përfundoi idenë e tij. Kur e kërkoi mendimin tim, i thashë: “Unë i vlerësoj qëllimin dhe idenë tuaj, por mendoj se objekti nuk duhet të zgjerohet dhe as të mbindërtohet. Ky objekt nuk duhet të humbasë identitetin e vet, që pikërisht është vlera e tij historike, ku në këtë objekt kaq të vogël me sipërfaqe (80 metra katrorë) është zhvilluar një aktivitet i dendur politik, diplomatik e gjithëpopullor i Kosovës në rezistencën e saj ndaj regjimit të egër serb, e që ishte një rrugë e vështirë e shumë gjeneratave tona në luftë për liri dhe pavarësi. Në këtë objekt janë bërë shumë takime të rëndësishme e historike si në planin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për historinë më të re të Kosovës”.

Vinjeta: Presidenti i ndjerë, dr. Ibrahim Rugova, për çështjen e Kosovës punoi dhe veproi në kushte e rrethana shumë të vështira. Zyra e tij ishte vetëm 11.45 metra katrorë, ndërsa salla për takime e konferenca 37.62 metra katrorë. Hapësirat e tjera kishin gjithsej 33.96 metra katrorë. I gjithë objekti ishte vetëm 83.03 metra katrorë neto

Në vazhdim të bisedës sonë ia thash presidentit edhe këtë: “Rikonstruimi, adaptimi dhe sanimi i objektit duhet të jetë i tillë që t’i ruajë të gjitha karakteristikat e mëparshme, si dhe shenjat e dhunës së regjimit serb me rastin e shkatërrimit dhe djegies së objektit. Në këtë objekt (shtëpi) shumë të vogël me sipërfaqe, por ‘shumë të madhe’ për nga rëndësia, janë marrë shumë vendime jetike në aspektin politik dhe shoqëror për të gjithë ne”.

Presidenti, pasi i dëgjoi mendimet dhe sugjerimet e mia, u pajtua plotësisht.

Sot ky objekt është shndërruar në muze dhe quhet “Shtëpia e Pavarësisë”.

Sipas bindjes dhe dijes sime, ky muze – “Shtëpia e Pavarësisë” është dashur të jetë shumë më autentik sesa që është realizuar. Kësaj here nuk do të bëj analizë në detaje për këtë çështje. Nuk e di kush ka marrë vendim për projekt dhe për këto punime, pasi jam shumë i bindur se në Kosovë ka ekspertë që kanë dije dhe përvojë profesionale për këto gjëra, e në këtë rast edhe për objektin në fjalë që është projekt dhe realizim shumë specifik.

Para se ta përfundoj këtë shkrim në shenjë kujtimi për presidentin, më duhet të them se presidentin e ndjerë dr. Ibrahim Rugova e kam njohur si shumë të njerëzishëm, shumë të ndershëm, shumë të mençur, shumë të sinqertë, shumë të guximshëm dhe trim, por edhe shumë modest. Ai për çështjen e Kosovës punoi dhe veproi në kushte e rrethana shumë të vështira.

Sa për ilustrim, po i jap edhe këto të dhëna, të cilat janë, sipas bindjes sime, shumë relevante: Zyra e tij ishte vetëm 11.45 metra katrorë, ndërsa salla për takime e konferenca 37.62 metra katrorë. Hapësirat e tjera kishin gjithsej 33.96 metra katrorë. I gjithë objekti, siç e përmenda, ishte vetëm 83.03 metra katrorë neto. Në këto kushte punoi dhe veproi presidenti ynë – presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova.

“Takimi i fundit” me të ishte kur bëra homazhe për nder të jetës dhe veprës së tij në Kuvendin e Kosovës, e pastaj mora pjesë edhe në tubimin komemorativ në palestrën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, më 26 janar 2006.

Prishtinë,

Janar 2021

Autori është arkitekt

Më Shumë

Dramë në kryeqytet, triumfon Trepça

Në një ndeshje dramatike, Trepça ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 85:86 (28:21, 20:19, 17:20, 20:26) dhe tani avancon në serinë gjysmëfinale 2:0. Për...

“Motoçikleta kishte shpejtësi të madhe”, dëshmitarët japin detaje tronditëse për aksidentin ku humbën jetën dy të rinj nga Prizreni

E diela ishte tragjike për dy të rinj nga Prizreni, njëri 21-vjeçar dhe tjetri 19-vjeçar, të cilët kanë humbur jetën në një aksident të...

Lajmet e Fundit