15.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Tjetri përmes letërsisë

Elementet përbërëse të një vepre letrare jo gjithmonë na njohin vetëm me temën e çfarëdo natyre qoftë ajo, me rrethanat historike në të cilat zhvillohet ngjarja, me pjesën e saj ndërtimore ose me mesazhin që lë në fund secila nga to, por, edhe me atë se si vepron një personazh brenda veprës dhe si shfaqet po i njëjti gjatë gjithë rrjedhës së saj, në ndërthurje edhe me elementet tjera.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë se ç’përfaqëson ky personazh (pavarësisht gjinisë, moshës a profesionit) dhe sa i njëjti bën për paraqitjen sa më të drejt të vetes, por, edhe me atë se sa nëpërmjet tij ne si lexues arrijmë ta njohim tjetrin, dhe sa mëtojmë për ndjekjen e vazhdueshme të tij. Ky i fundit, në rastet më të veçanta mund të jetë dikush të cilin e njohim e që fare rastësisht bëhet edhe pjesë e artit të letërsisë (kombëtare ose botërore). Por, mund të jetë edhe dikush për të cilin kemi dëgjuar se mëton të marrë frymë po brenda këtij arti, dhe se të njëjtën e realizon i ndihmuar edhe nga vetë nevoja e shkrimtarit për të sjellë diçka ndryshe e një njohje sa më të natyrshme të personazhit (veprës) si element i ndërmjetëm mes shkrimtarit dhe lexuesit.

Nëse në pamundësi për ta njohur secilin krijues/shkrimtar, ne si lexues pranojmë të rendim pas veprave të tyre letrare (pavarësisht zhanrit dhe formës), me shpresë se do të përmbushim kërkesën dhe dëshirën tonë, ndalojmë thellësisht në atë që na ofron letërsia, për të njëjtën nuk mund të mos e veçojmë frymën e veçantë të personazhit, për të cilin shfaqim edhe një interes të veçantë.

Ky i fundit shpesh bëhet edhe objekt yni për vëzhgim a studim, atëherë kur te i njëjti arrijmë ta harxhojmë gjithë kohën, të bindur se falë tij do arrijmë ta njohim rrënjësisht edhe tjetrin, e ky mund të jetë dikush që ne na ndjek në përditshmëri, por, që rrallë ndodh të shfaqet në suaza të vërteta letërsie, e të njihet nga të gjithë falë asaj paraqitjeje; ose ai të cilin e kemi në vazhdimësi motiv të shpirtit, por, pa guxuar ta bëjmë pjesë të realitetit të vazhdueshëm të kohës për gjithsecilin, dhe jo vetëm për njerëzit që jetojnë brenda e me frymë arti.

Andaj, jo rastësisht, falë mënyrës se si emërtohet një personazh (qoftë ai protagonist, i dorës së dytë a dorës së tretë) nga ana e shkrimtarit; se si del a jepet ai në raport me të tjerët, sa herë që këto/a e pengojnë ose e udhëzojnë në rrjedhë të jetës e të rrugës, ose se si del/jepet në raport me dëshirat, kërkesat dhe ëndrrat e vetes në një rreth a mentalitet (qoftë ai tipik shqiptar ose i huaj) të zakonshëm; se si arrin të përfaqësojnë një kohë ndryshe nga realja e për të njëjtën të bëjë pas vetes edhe shumë dishepuj; se si ndryshon bindjen dhe botëkuptimin personal, i ndikuar nga ajo që sheh e që i urdhërohet nga të tjerët, a nga vetë kërkesa e kohës, ne arrijmë ta njohim tjetrin e të bindemi për atë se secili nga to, i ardhur nga jeta e zakonshme e secilit, më vonë hynë në korniza letërsie dhe ndihmon në realizimin më të plotë edhe të veprës letrare.

Mënyra se si ky personazh na tërheqë kah vetja e për të nuk përtojmë të shfaqim një interes më të theksuar, atëherë kur e dimë se po nga i njëjti do të arrijmë ta njohim edhe tjetrin që për një kohë të caktuar jeton jashtë suazave të letërsisë, atëherë falë kësaj njohjeje ne si lexues ndalemi në pika të ndryshme, për ta paraqitur më vonë të tërësishmen.

Pika të tilla mund të jenë ato psikologjiket, falë së cilave ne mësojmë se si personazhi, që në rastin tonë përfaqëson edhe tjetrin, vuan, shfrytëzohet a gëzohet në raste të caktuara; ato sociologjiket, në raport me të cilat personazhi pajtohet ose kundërshton i udhëhequr edhe nga vetë botëkuptimi i tij; ato filozofike, të cilat është i detyruar t’i ndjekë nëse e pranon edhe vetë filozofinë e kohës, e që e njëjta trashëgohet dhe bartet nga koha në kohë, si dhe nga personazhi në personazh.

Në të gjitha këto raste, del se është personazhi ai që ndihmon në njohjen e tjetrit, por, duhet ditur se ky i fundit është ai që merret model në pika të veçanta ose të tërësishme nga përditshmëria dhe futet brenda letërsisë, ngase siç tashmë edhe dihet, burim i çdo lloj arti, e në veçanti i artit të letërsisë, është realja dhe jeta e përditshme, e cila merr nota dhe tis artistik pavarësisht periudhës, falë imagjinatës së shkrimtarit. E ky i fundit, e ka shumë të lehtë që personazhin ta ketë udhërrëfyes që lexuesi i çfarëdo kohe ta njohë tjetrin jashtë letërsisë.

Shkroi – Adelina Xhaferi

Më Shumë

Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavës

Prishtina dhe Ballkani kanë ndarë pikët duke luajtur baras 1-1, të dielën në ‘Fadil Vokrri’. Prishtinasit dhe kampionët në fuqi të Kosovës, u përballen në...

Moti sot: Me diell dhe vranësira të shpërndara, temperaturat deri në shtatë gradë Celsius

Sot mbi Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet...

Lajmet e Fundit