Sot në Prizren është realizuar ecja e personave me nevoja të veçanta për identifikimin e pengesave fizike, duke filluar nga rrethrrotullimi në lagjen Bazhdarhane (afër memorialit të NATO-s) deri në sheshin Shadërvan. Pas identifikimit të këtyre pengesave, do të përgaditet harta e pegesave, e cila do t’i dërgohet qeverisë lokale të Prizrenit me kërkesën për veprime konkrete në eliminimin e këtyre pengesave.
“Pas shumë fokus grupeve, debateve, analizave të bëra me personat me nevoja të veçanta në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, EC Ma Ndryshe bashkë me këtë grup të komunitetit kanë identifikuar pengesat fizike me të cilat ballafaqohen këta qytetarë në përditshmërinë e tyre. Identifikimi dhe hartëzimi i pengesave udhëhiqet dhe mbikëqyret nga Znj. Rozafa Basha, arkitekte (ligjëruese në Fakultetin e Arkitekturës, UP), e cila gjatë ecjes së sotme është asistuar nga stafi i projektit dhe organizatës, studentë të Arkitekturës dhe shoqëruesit e personave me nevoja të veçanta”, theksoi Fjolla Gashi, koordinatore projekti në OJQ “EC Ma Ndryshe”.
Sipas saj, “EC Ma Ndryshe” së shpejti do të bëj publike hartën me pengesat fizike, e cila do t’i dërgohet qeverisë lokale të Prizrenit.
“Mbetemi me shpresë se autoritetet shtetërore dhe shoqëria do të dëshmojnë përkushtim në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat personat me nevoja të veçanta ballafaqohen në baza ditore”, theksoi Gashi./PrizrenPress.com/