I dëmtuari Vehb Miftari ka thënë se ndaj tij ishte bërë padrejtësi nga ish-rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, i cili po akuzohet se ia ka mohuar apo kufizuar atij të drejtën në punësim në kushte të njëjta.
Sipas procesverbalit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Miftari duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shahadin Destani ka thënë se që nga viti 2007 kishte qenë i punësuar në Universitetin e Prishtinës, por pas themelimit të Universitetit të Prizrenit, ai ka thënë se ishte pranuar në pozitën e mësimdhënësit të rregullt në drejtimin gjuhë dhe letërsi deri në vitin 2012.
Sipas tij, në vitin 2016 kishte aplikuar për dy pozita të mësimdhënësit në fakultetin filologjik të Universitetit të Prizrenit dhe se i kishte plotësuar të gjitha kushtet e parapara me konkursin e shpallur nga universiteti.
Sipas të dëmtuarit, në këtë konkurs ai kishte qenë i barabartë me kandidatët e tjerë dhe sipas tij, universiteti kishte formuar komision për dy pozitat, në të cilin ka deklaruar se kishte qenë i përfshirë edhe një profesor në pension i cili nuk kishte qenë kompetent dhe lëndët kishin qenë jashtë fushës së tij specializuese.
Po ashtu, sipas dëshmitarit pjesë e komisionit kishte qenë edhe një anëtare, e cila sipas tij kishte qenë jo kompetente sa i përket lëndëve mësimore për të cilat ishte hapur konkursi.
Ai ka thënë se ky komision kishte shtrembëruar të dhënat për botimet e kandidatëve, konferencat shkencore dhe përvojën akademike, duke ia fshehur atij të gjitha këto, përfshirë edhe monografinë e botuar në Gjermani.
Pas njoftimit të vendimit të këtij komisioni, i dëmtuari ka deklaruar se e kishte kundërshtuar, ngase kishte vlerësuar se përmban shkelje të dispozitave të statusit, kushteve të konkursit dhe normave ligjore.
Por sipas tij, edhe pse kishte parashtruar ankesë, komisioni i studimeve i kishte rekomanduar senatit që të miratoj raportin e komisionit të parë, pastaj ka thënë se senati në bazë të këtij rekomandimi i kishte pranuar në punë dy kundër kandidatët e tij.
Kjo sipas të dëmtuarit është bërë pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të senatit, të cilët ia kishin bërë të qartë të akuzuarit Vata se ishte duke bërë shkelje ligjore.
Ai ka deklaruar se kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit të senatit, edhe pse ai personalisht nuk ishte njoftuar me këtë vendim, por brenda afatit ligjor i ishte drejtuar inspektorateve të arsimit në Prizren, i cili sipas të dëmtuarit, kishte konstatuar shkelje të të drejtës së konkursit.
Por sipas tij, ky vendim i inspektoratit nuk ishte shqyrtuar asnjëherë dhe nuk ishte zbatuar nga senati dhe rektori.
Për këtë arsye, ai ka thënë se kishte paraqitur kallëzim penal në Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj rekotirut Vataj.
“Unë ndjej se në këtë rast me janë cenuar të drejtat e mia për punësim, duke më dëmtuar profesionalisht, moralisht në rrafshin personal dhe material”, ka deklaruar i dëmtuari.
Pas parashtrimit të kallëzimit penal, i dëmtuari ka thënë se kishte ushtruar edhe padi në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë, por sipas tij, pasi ky rast kishte kaluar në Prizren, kjo gjykatë e kishte hudhur padinë si të pasafatshme.
Në procesverbal bëhet e ditur se gjatë seancës ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Enver Mehmeti, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, ka thënë se nuk i kujtohet nëse kishte dhënë deklaratë lidhur me këtë rast dhe se nuk i kujtohet nëse në vitin 2016 kishte qenë profesor në Universitetin e Prizrenit dhe as nëse kishte konkurruar në konkursin e hapur në gusht 2016.
Ai ka thënë se kishte punuar si profesor në Universitetin e Prizrenit në atë të Gjakovës si dhe në atë të Tetovës, për të cilën ka deklaruar se kishte qenë edhe themelues.
Ai ka thënë se kishte punuar në komisione për pranim të kuadrit, pro se nuk i kujtohet nëse kishte qenë kryetar i komisionit për pranim në Universitetin e Prizrenit.
Prokurori Destani kishte kërkuar nga gjykata që dëshmitarit t’i tregohet deklarata e dhënë në polici, ku pas shikimit dëshmitari kishte pranuar se nënshkrimi në këtë deklaratë kishte qenë i tij, por ka thënë se nuk i kujtohet se çka kishte deklaruar.
Pasi prokurori ia ka lexuar këtë deklaratë, dëshmitari ka thënë se i kujtohej se kishte qenë kryetar i komisionit dhe ka pranuar se kjo deklaratë ishte e tij.
I dëmtuari Miftari e kishteë pyetur dëshmitarin nëse i kujtohet ai dhe se a kishte vendosur drejt si pjesë e komisionit, me rastin e pranimit në punë të kandidatëve, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet i dëmtuari, por sipas tij ai kishte vepruar drejtë.
Ndryshe në këtë seancë, prokurori Shahadin Destani në fjalën hyrëse kishte deklaruar se nga deklarata e të dëmtuarit Vehbi Miftari, të dëshmitarëve dhe provave të tjera që gjenden në aktakuzë, do të vërtetohet se i akuzuari Vataj ka kryer veprën penale.
Ndërsa i dëmtuari Vehbi Miftari kishte deklaruar se e ndien veten të dëmtuar si në aspektin moral, personal, material si dhe profesionale, dhe i njëjti kishte thënë se do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike.
Por mbrojtësi i të akuzuarit Vataj, avokati Labionot Vata kishte thënë se e kundërshton aktakuzën e prokurorisë, pasi sipas tij, prokuroria duke u vënë në lajthim apo duke vepruar me keqdashje, Vatajn e kishte akuzuar me qëllim që ti shkaktoj dëm në imazh.
Sipas avokatit, do të dëshmohet se i mbrojturi i tij nuk kishte kryer asnjë veprim apo me mosveprim nuk e kishte cenuar asnjë të drejtë palës së dëmtuar, pasi sipas tij, i dëmtuari Miftari kishte aplikuar në pozitën sipas dëshirës së tij dhe se komisioni kompetent e kishte shqyrtuar aplikacionin e tij dhe se të njëjtit i ishin shqyrtuar edhe ankesa, e se i ishte dhënë e drejta për ta kontestuar në gjykatën kompetente.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 2 korrik 20201, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur me 10.06.2020, Ramë Vataj akuzohet se nga 30 shtatori 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbaton vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 01.08.2016 me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri, me ç’rast të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs”, thuhej në njoftimin e prokurorisë, për ngritjen e aktakuzës në fjalë.
Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar se që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politik.
Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.
Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.
Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014 deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi