Në Beograd është promovuar sot vepra me poezi të zgjedhura e poetit të njohur shqiptar Ali Podrimja, e përkthyer në gjuhën malazeze. Kjo ngjarje nga të pranishmit është vlerësuar si moment i rëndësishëm reflektimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
“Çelësi i humbur” i Ali Podrimjes, ka tentuar të hap një rrugë të re bashkëpunimi në mes të letërsisë nga Kosova dhe Serbia. Vepra me poezi të zgjedhura e autorit të mirënjohur nga Kosova, botim në gjuhën malazeze, është promovuar në Beograd nga Organizata e Malazezëve të Kosovës.
Kryeqyteti serb është zgjedhur për organizimin e kësaj ngjarjeje me qëllim të mbështetjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, kurse donator të promovimit janë Fondacioni për Shoqëri të hapur i Kosovës dhe Ministria e Kulturës e Kosovës.
Shkrimtarë, politikanë dhe zyrtarë kanë thënë se Podrimja, ishte i njohur në ish-Jugosllavi dhe se me kulturë ka nisur lufta dhe me atë duhet të vijë paqja.
Gjatë këtij promovimi shkrimtari, Filip David ka vlerësuar se dallimet që ekzistojnë mes dy popujve duhet të tejkalohen përmes bashkëpunimit ndërkulturor.
“Nëse me kulturën kanë nisur përçarjet në këto hapësira, dua të besoj se me të duhet të ndryshojë situata dhe Ali Podrimja është një emër i mirë për të filluar” ka thënë ai, transmeton Kultplus.
Ndërkohë zyrtari për ndërlidhje i Kosovës në Beograd Valdet Sadiku ka deklaruar se ndihet i lumtur për faktin që promovimi i kësaj vepre po bëhet në Beograd. Ai ka thënë se e ka të vështirë të flas për kolosin e poezisë shqipe pasi sipas tij vepra e tij flet vetë.
“Ai e ka ndarë fatin me popullin e tij si ne kohë të mira ashtu edhe në kohë që nuk kanë qenë edhe aq të mira. Promovimi i kësaj vepre jam i sigurt se do të ndikojë në tejkalimin e disa barrierave dhe thyerjen e paragjykimeve që ende ekzistojnë mes popujve të këtij rajoni” ka thënë Sadiku.
Kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Basri Çapriqi, ka vlerësuar se Podrimja ka qenë ndër shkrimtarët e Kosovës që ka luftuar me pendën e tij.
“Në luftërat e fundit ka pasur shumë shkrimtarë që kanë marrë pjesë në të ende pa filluar mirë të shtihet me pushkë. Libri me poezi i Podrimjes është nga librat e rrallë të përkthyer në dekadat e fundit në gjuhën që dikur quhej serbo-kroatisht”, ka thënë Çapriqi .
Organizator i promovimit është kryetari i Shoqatës së malazezëve të Kosovës, Sllobodan Vujiçiq njëherësh edhe botues i librit i cili u promovua para një muaji edhe në Prishtinë.