20.8 C
Prizren
E enjte, 19 Shtator, 2024

Fond që krijon rregull në shëndetësi

QKUK5-24Projektligji për Sigurime Shëndetësore, parasheh themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, i cili vlerësohet si një prej shtyllave të ardhshme të sistemit shëndetësor të vendit.

Sipas projektligjit Agjensioni i Financimit Shëndetësor është agjencion ekzekutiv nën autoritetin e Ministrisë së Shëndetësisë, para-ardhës i Fondit publik të Kosovës për sigurime shëndetësore, që në emër të shtetit realizon të drejtat, obligimet, përgjegjësitë, dhe autorizimet përkitazi me kontraktimin dhe blerjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga institucionet shëndetësore në të gjitha format e pronësisë, si edhe grumbullimin e të gjitha mjeteve financiare të Fondit për këtë qëllim, deri në themelimin e Fondit me këtë Ligj.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, paralajmëron se ky agjencion do të fuqizohet gjatë vitit 2014 me kuadro, me rregullativën e domosdoshme ligjore dhe me aktet normative të nevojshme për funksionimin të agjencionit.

“Do ta trajnojmë kuadrin së bashku me Bankën Botërore e cila e ka nda një fond prej 25.6 milion dollarëve për mbështetjen e Fondit për Sigurime shëndetësore në Kosovë, dhe të reformës së përgjithshme të shëndetësisë kosovare. Po ashtu, Qeveria Zvicerane ka ndarë 8 milion franga për këtë reformë, edhe për themelimin e këtij fondi, po ashtu edhe Qeveria e Luksenburgut 6 milion euro për katër vitet e fundit për sistemin e informimit shëndetësorë”, thotë ministri Agani, transmeton Kosovapress.

Detyrat e fondit, sipas projektligjit do të jenë zbatimi i politikave për përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe mbrojtjes nga rreziku financiar i popullatës, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë; të sigurojë zbatimin e të drejtave të siguruarve në pajtim me ligjin; të organizojë administratë profesionale që siguron zbatimin efikas dhe efektiv të të drejtave dhe obligimeve nga sigurimi shëndetësor i obligueshëm; të propozojë për miratim në Bordin Mbikëqyrës: premiumet, bashkë-pagesat, bashkë-sigurimin, pagesat shtesë, dhe mjetet e tjera financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm; të sigurojë grumbullimin efikas dhe transparent të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm, në pajtim me këtë Ligj; të përcaktojë kushtet e kontratës me institucionet shëndetësore për shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor përfshirë standardet e cilësisë që duhet të përmbushen; të negocioj ë dhe kontrakton shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor, përfshirë kushtet për ofrimin dhe kompensimin e shërbimeve cilësore shëndetësore që qojnë në produktivitet të shtuar dhe performancë më të lartë;

Procesit të formimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore do t’i ndihmojë edhe Banka Botërore më afërsisht 20 milion euro, përmes së cilës shefi i BB në Prishtinë, Jan Peter Olters, vlerëson se do të ndihmojë në zbatimin e ligjit në këtë fushë.

“Ne po diskutojmë me ministrinë për disa hapa për të përmirësuar situatën në sektorin e shëndetësisë. Kemi parashikuar një ndihmë afërsisht 20 milion euro në këtë fushë. Në këtë moment plani është që do të prezantojmë projektin në bord në maj të vitit 2014”, deklaron ai.

Kurse, Ibrahim Rexhepi, ekonomist, vlerëson se Fondi për Sigurime Shëndetësore është i domosdoshëm, dhe se çështja e krijimi të këtij fondi është i vonuar, përkundër implikimeve buxhetore që mund të ketë.

“Së pari iu mundëson njerëzve të kenë një tretman mjekësor me kosto shumë më të lirë por edhe përmes fondit për sigurime mund të insistohet për një rregull një rend më të madh në sektorin e mjekësisë. Atëherë domosdoshmërisht të gjitha institucionet shëndetësore qoftë të sektorit privat, qoftë të sektorit publik duhet të jenë të licencuara, duhet të jenë të evidentuara nëse donë që të përfitojnë nga ky fond”, shprehet Rexhepi.

Detyra tjera që parashihen me këtë projektligj për fondin janë mbështetja e institucioneve shëndetësore në ngritjen e kapaciteteve administrative të domosdoshme për zbatimin e kontratave; Zbatimi kompensimin efektiv dhe me kohë të shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor të ofruara nga institucionet e kujdesit shëndetësor, bazuar në kontrata; Shqyrtimi dhe propozimi për Bordin Mbikëqyrës, çmimoren e shërbimeve të kujdesit shëndetësor themelor; Mbikëqyrja e zbatimit e të gjitha kontratave të lidhura nga Fondi dhe raporton përkitazi me to; Organizimi dhe zbatimi i sistemit të informimit për sigurime të obligueshme shëndetësore në kuadër të sistemit unik të informimit shëndetësor; Kërkimi dhe shfrytëzimi i vlerësimit profesional të punës së institucioneve shëndetësore nga institucionet e autorizuara; Rregullimi i çështjeve tjera përkitazi me sigurimin shëndetësor në pajtim me aktet ligjore në fuqi; Kërkon auditim të jashtëm financiar të institucioneve shëndetësore që janë në marrëdhënie kontraktuale me Fondin.

Aktualisht në Kosovë sigurimi shëndetësor mundësohet vetëm përmes kompanive private të sigurimeve, dhe në uebsajtin zyrtarë të Agjensionit për Regjistrimit e Biznese në Kosovë, figurojnë 39 biznese që aktivitet kryesor kanë sigurimin e jetesës./KP/

Më Shumë

Dragashi ndërton impiantin për përpunimin e ujit: Fabrika do të furnizojë me ujë 15 fshatra

Komuna e Dragashit ka nisur punimet për ndërtimin e Impiantit të ri të përpunimit të ujit, i cili do të furnizojë me ujë të...

Vdes një 12-vjeçar nga Tërpeza e Poshtme e Malishevës

Një 12-vjeçar ka vdekur sot nga fshati Tërpezë e Poshtme, komuna e Malishevës. Lajmi është bërë i ditur në faqen në Facebook të fshatit Tërpezë...

Lajmet e Fundit