8.8 C
Prizren
E diel, 2 Shkurt, 2025

Krishtlindja – festë e bashkimit, fatit dhe forcës

Don Prend Kola, Toronto

Krishtlindje-a. Lat. Christi Natalis. Festë, e cila pas Pashkës ka rëndësinë më të madhe në rrjedhën e vitit kishtar që, në Kishën katolike, e ka ruajtur një javë festimi, përkëtisisht tetëditëshin; festë e fiksuar a e ngulitur në kalendarin liturgjik, që kremtohet gjithmonë palëvizshëm, më 25 dhjetor, kur të krishterët festojnë dhe kremtojnë lindjen e Krishtit; e kremte solemne, kur krishterimi mbarë, kremton lindjen e Shpëtimtarit, mishërimin e Vetës së dytë Hyjnore, të bërë njeri për shpëtimin e botës dhe, pandërmjetësueshëm, lidhet me truallin e Betlehemit, vendin ku u lind Jezusi; kohë liturgjike, që fillon sakaq të ketë filluar Ardhja dhe, në Kishën katolike, zgjat deri në festën e Pagëzimit të Zotërisë, në të dielën pas Dëftimit (6 janar); lindja e Jezusit, e quajtur shpesh dhe në popullin tonë Nata e Krishtit dhe,bashkë me popuj të tjerë, edhe Nata e Shenjtë, Nata e bekuar a e shuguruar; festë madhështore dhe e rëndësisë së veçantë në Kishat e krishtera që fillon me mbrëmësoren me shumë emërtime shtesë në Kishën katolike: Lindja e Krishtit, festa e Lindjes së Krishtit, Lindja e Zotit, festa e Krishtlindjes, ndërsa në Kishat që ushtrojnë ritin bizantin mbizotëron shprehja: Të mishëruarit e Zotit tonë, Hyjit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Krishtlindja nuk bën pjesë ndër festat më të vjetra të Kishës. Shën Ireneu († 202) dhe Tertuliani († 230) nuk e përmendin këtë festë në listën e festave të tyre. Është e njohur thënia e Origjenit († 254) që vetëm mëkatarët festojnë ditëlindjen, por jo shenjtërit. Fillimisht festohej, më 6 janar, vetëm festa e Dëftimit (Epifania), por nga shekulli IV filloi të kremtohej edhe Lindja e Jezusit më 25 dhjetor, kur, po në të njëjtën ditë, në Romën pagane, festohej festa shtetërore “I pamposhturi hyji i diellit”, përmes së cilës festohej solstici, diellqëndrimi a diellndalimi dimëror, dhe pikërisht kjo ditë u shndërrua në festë të krishterë; festë që nuk i përket krishterimit të menjëhershëm, por haset tek në kronografin e vitit 354 (Chronographus anni 354), kodikut më të hershëm me faqe ilustrimesh të plota, të shkruar nga Filocali sipas urdhërit të Valentinit, një artikrati të krishterë.

Në shekullin e V Ardhja filloi të jetë kohë e përgatitjes për festën e madhe të Kishës – Krishtlindjen – e trajtuar kështu nga të gjitha Kishat e krishtera. Në shekullin V dhe VI Krishtlindja qe festa e tretë e madhe e Kishës dhe fillimisht nuk ishte festë e dhuratave, sepse zakoni i shpërndarjes së dhuratave erdhi dhe u bë pjesë përbërëse e saj vetëm pas Reformacionit nën ndikimin e Martin Luterit. Në shekullin VI/VII, në Perëndim, filloi tradita që në Krishtlindje të kremtohen tri Meshë: Mesha e Natës nga 24 në 25 dhjetor në mesnatë, Mesha e agimit e quajtur “Mesha e barinjve” (Missa in aurora) dhe Mesha festive ose Mesha e ditës (Missa in die).

Kishtlindja ka parakushtin e vet antropologjik. Është lindja e një fëmije. Ky fëmijë lidhet me motive të Besëlidhjes së Vjetër: është i premtuar porsi Isaku, Samueli, Samsoni dhe Gjoni Pagëzues, është fëmijë i paralajmëruar nga engjëlli, bile ka dhe emrin e caktuar që në kraharorin e së ëmës dhe duhej të quhej Jezus (krh. Mt 1,19-22).

Në këtë festë liturgjia katolike në kremtime bën të ditur që me anën e misterit të Fjalës së mishëruar, që është vetë Krishti, është shfaqur në sytë e mendjes së njerëzve drita e re e shkëlqimit të Hyjit dhe është bërë e mundshme njohja e Hyjit në mënyrë të dukshme për t’u tërhequr nëpërmjet Krishtit kah dashuria e gjërave të padukshme (krh. Prefacioni i Krishtlindjes I).

Kisha katolike, në rendin e Meshës në Meshar, e përhimnon lindjen e Krishtit, që i lindur para çdo kohe, ka filluar të jetë në kohë dhe ka ngritur gjithçka lart, ka ripërtëritur plotësisht çdo gjë, ka marrë mbi vete dobësitë njerëzore dhe, përmes tij, vetë vdekatarët kanë fituar nder të përhershëm dhe janë bërë të amshueshëm (krh. Prefacioni i Krishtlindjes II dhe III); festë e kremtuar sipas kalendarit julian, jo më 24 dhe 25 dhjetor, por më 6 dhe 7 janar në shumë Kisha ortodokse.

Studime të shumta flasin për liturgjinë e Krishtlindjes në Kuran, e qujatur Nata e Përcaktimit ose Nata e Fatit (arb.laylat al-qadr). Sureja 97, e shkruar më herët se shumë të tjera, në periudhën e parë të veprimtarisë së Muhametit në Mekë, flet, që në strofën e parë, për një të dërguar, ose diçka të dërguar në natën e forcës, dhe bëhet pyetje, nëse di njeriu se çka është kjo natë? Dhe thuhet që është nata e forcës, më e fortë se një mijë muaj, kur zdirgjen engjëjt dhe shpirti në secilin; ajo natë është paqe derisa të zbardhë agimi.

Në këtë sure nuk flitet explicite se kush do të vijë. Teologët dhe shpjegimtarët islamë shfaqin mendimin të jetë fjala për Kuranin. Por përkundër kësaj, Jezusi, në Kuran, është “Fjala e Hyjit” (kalima min All?h), “Shpirt nga Hyji” (r?h min Allâh), njeri “i ndershëm” (s?lih) dhe “i bekuar” (mub?rak), i zgjedhur nga Perëndia si “profet” (nab?) dhe “I dërguari” (ras?l), që sjell me vete një shpallje.

Ai është besimtar shembull e shëmbullor (mathal) dhe “shërbëtor i Perëndisë” (abd All?h). Në Medinë, Jezusi do të emërohet me emrin e vërtetë, me emrin e vet (personal): Jezusi Krisht (Jezu Krishti ose Jezus Krishti). Përfundimisht në suretë mediniane, që kanë prejardhjen nga Medina, Kurani e quan Jezusin “Mesia” (al-mas?h), ndërsa në suretë: 3,45; 4,157.171; 5,17.72.75; 9.31, quhet tetë herë: “Mesia Jezus, Biri i Marisë” (al-mas?h ?s? ibn Marya).

Më Shumë

McKinnis i Bashkimit shkëlqen si MVP me dyshifror të dyfishtë

Bashkimi po vazhdon të tregojë formë të jashtëzakonshme në elitën e basketbollit kosovar, ku fitorja e fundit ndaj Golden Eagle Yllit e konfirmoi këtë....

Koalicioni për Familjen në Rahovec zotohen për mbështetje të familjes

Koalicioni për Familjen vazhdoi fushatën zgjedhore me një tubim elektoral në Rahovec, ku prezantoi programin dhe zotimet e tij për qytetarët. Liderët dhe kandidatët...

Lajmet e Fundit