7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kristo Frasheri: Hoxha u distancua me Britaninë për çështjen e Vorio-Epirit

Kristo FrashëriGjatë viteve të luftës, Enver Hoxha nuk ngurroi të bashkëpunonte me Britaninë e Madhe. Siç dihet, Fronti Nacional Çlirimtar siguroi nga Londra, për nevojat e luftës kundër okupatorëve nazifashistë, ndihma në veshmbathje, në armatime e në të holla. Kur në përfundim të luftës Enver Hoxha nuk kishte më nevojë për ndihmat e Londrës, ai nuk hezitoi të distancohej prej saj. Nëse depërtojmë në thelbin e kësaj kthese, ajo u diktua jo nga motive ideologjike, por thjesht nacionaliste, meqenëse Britania e Madhe përkrahte lakmitë greke ndaj të ashtuquajturit Vorio-Epir.

Në vitet e para të Pasluftës, kur opinioni publik brenda dhe jashtë vendit ishte i bindur se Enver Hoxha ishte një gur shahu i mareshalit Tito dhe kur kundërshtarët e tij kujtonin se Shqipëria po shndërrohej dalëngadalë në republikën e shtatë të Federatës Jugosllave, ai sapo gjeti rastin, më 28 qershor 1948 i ndërpreu brenda një nate në mënyrë të befasishme marrëdhëniet me Partinë Komuniste Jugosllave. Më tej, me kalimin e tij në krahët e Moskës, kur paditej si një bolshevik i verbër, për t’u çliruar nga presioni i saj, ai i shkëputi në vitin 1961 në mënyrë spektakolare lidhjet me Moskën. Më vonë, kur Enver Hoxha akuzohej se po ndiqte mësimet e komunistëve ekstremistë kinezë të Mao Ce Dunit, ai i preu pa hezitim marrëdhëniet edhe me Kinën kur pa dëmin që i vinte prej tyre. Këto kthesa, shpeshherë tepër të guximshme, të cilat në jetën e përditshme të një qytetari mund të gjykohen të pamoralshme, në biografitë e burrave të shtetit duhen gjykuar të pamoralshme nëse ato dëmtojnë interesat e kombit.

Le të ecim më tutje. Ngjarjet e ndodhura në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore historikisht duhen analizuar nën prizmin e detyrave kryesore që shtroheshin para vendit. Ato qenë dy: çlirimi i Atdheut nga zgjedha e okupatorëve fashisto-nazistë italo-gjermanë dhe rimëkëmbja e Pavarësisë Kombëtare e Shqipërisë. Lufta e madhe antifashiste kundër agresorëve nazistë gjermanë, fashistë italianë, militaristë japonezë, ishte një ndërmarrje planetare. Për shkak të rrezikut të madh që ata sillnin me vete, udhëheqësit e kampit të madh antifashist kërkonin pjesëmarrjen në luftën kundër tyre jo vetëm të Fuqive të Mëdha, por edhe të shteteve të vogla, madje edhe të popujve të robëruar. Thirrjet e përditshme në gjuhën shqipe që vinin nëpërmjet valëve radiofonike nga Londra, Moska dhe Nju Jorku për të rrëmbyer armët kundër agresorëve nazifashistë tregojnë për rëndësinë që Treshja e madhe Antifashiste i kushtonte edhe pjesëmarrjes shqiptare në këtë betejë historike. Ato nuk qenë thirrje për festivale apo panaire, por për të dhënë jetën në fushën e betejës.

Disa orë përpara se Kryeministri i Italisë, Benitto Musolini të ndërmerrte më 7 prill 1939 okupacionin ushtarak të Shqipërisë, ai i drejtoi qeverisë së Tiranës një ultimatum të hartuar në stilin e gangsterëve: Kërkonte leje për të vendosur ushtritë italiane në disa pika strategjike të Shqipërisë, përndryshe do të ndërmerrte pushtimin ushtarak të mbarë vendit. Mbreti Zog nuk e pranoi ultimatumin. Refuzimi i ultimatumit qe një veprim i drejtë, por largimi i tij nga Shqipëria si kaçak, pa i shpallur Italisë gjendjen e luftës, ishte një qëndrim i gabuar, i cili rëndoi për keq, jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe për kurorën e tij mbretërore. Me largimin e tij nga Shqipëria pa shpallur gjendjen e luftës dhe me shpërndarjen e qeverisë mbretërore sapo kaloi Kapshticën, Zogu e humbi të drejtën të kishte një qeveri antifashiste shqiptare në mërgim. Këtë zbrazëti konstitucionale Musolini e shfrytëzoi duke shpallur më 12 prill 1939 se Shqipëria nuk e kishte humbur statusin e një shteti të pavarur dhe se në Shqipëri kishte ndodhur vetëm një ndryshim kurore mbretërore, nga ajo e mbretit Zog, në atë të mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të Tretë. Me këtë manipulim konstitucional, Shqipëria mbeti pa pasur një qeveri antifashiste në mërgim, siç kishin gjithë shtetet e tjera të pushtuara të Europës.

Si vend i pushtuar nga Italia fashiste, vetëkuptohet se qeveria kolaboracioniste e Tiranës ishte e detyruar të ndiqte fatin e qeverisë së Romës. Si rrjedhim, në luftën që Italia fashiste i shpalli Greqisë më 28 tetor 1940, qeveria kolaboracioniste e Tiranës u detyrua, në bazë të një ligji mbretëror, të solidarizohej me Romën.

Me këtë rast u duk dëmi që pati Shqipëria nga mungesa e një qeverie antifashiste në mërgim. Qeveria greke e konsideroi pa të drejtë deklaratën e kolaboracionistëve të Tiranës sikur këtë luftë ia kishte shpallur Greqisë vetë Shqipëria. Në bazë të kësaj deklarate, qeveria greke u përgatit të kërkonte në fund të luftës nga Shqipëria si dëmshpërblim aneksimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir – dhjetë rrethet jugore që në atë kohë bënin pjesë në qarqet e Gjirokastrës e të Korçës.

Rreziku i gjymtimit territorial ishte një arsye më tepër që shqiptarët ta intensifikonin në shkallën më të lartë rezistencën e armatosur antifashiste, me qëllim që në mbarim të luftës Shqipëria të njihej si pjesëtare e koalicionit të madh antifashist. Në këto rrethana, pas dhjetorit të vitit 1942, nën udhëheqjen e kryesisë së Frontit Nacional Çlirimtar, lufta partizane mori përpjesëtime galopante. U kalua, nga çetat lokale, në batalione krahinore; më tej, në verën e vitit 1943, nga batalionet, në brigada sulmuese; më 1944, nga brigadat, në divizione, deri në korparmata. Përkundrazi, repartet e armatosura të Ballit Kombëtar, në vend të luftës kundër okupatorëve kaluan në bashkëpunim me ta. Bashkëpunimi shpuri në shpërbërjen e tyre, derisa mbeturinat balliste dhe legaliste mërguan së bashku me repartet hitleriane jashtë vendit.

Kontributi që ka dhënë ushtria nacionalçlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër okupatorëve u analizua nga Konferenca e Paqes, e cila u zhvillua në Paris në vitin 1946. Ndër 21 shtetet që morën pjesë në këtë konferencë, vetëm njëri prej tyre – Greqia – nuk e përfilli kontributin që dha Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë konferencës, kryeministri i saj, Kostandin Caldaris u ra përditë borive se, gjatë luftës Shqipëria ishte jo viktimë, por aleate e Italisë fashiste, mbasi ajo më 28 tetor 1940 i kishte shpallur luftë Greqisë. Asnjë nga pjesëtarët e tjerë të kampit antifashist nuk e miratoi tezën e Athinës. Caldaris vazhdoi deri në fund të ngulte këmbë për të mos e pranuar Shqipërinë në radhët e fitimtarëve. Duke u mbështetur në kontributin që dha ushtria nacionalçlirimtare shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe pavarësisht nga argumentet juridike që përdorën miqtë e Greqisë për të përkrahur Athinën, Konferenca e Paqes nuk e cilësoi Shqipërinë shtet agresor. Në fund të punimeve të saj, Konferenca e Paqes, pavarësisht nga antipatia që disa shtete kishin ndaj qeverisë së kryesuar nga E. Hoxha, u detyruan përballë faktit kokëfortë të Luftës Nacional Çlirimtare ta pranonin Shqipërinë si aleate të Kampit të madh Antifashist. Në Konferencën e Paqes doli dhe më tepër në dritë kontributi që dha Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare në mbrojtjen e pavarësisë dhe të integritetit tokësor të Shqipërisë.

Kur dëgjon argumentet e disa pseudoanalistëve se, Lufta Nacional Çlirimtare është zhvilluar më tepër në letër se në terren, ose se, Lufta Nacional Çlirimtare i shërbente më tepër Jugosllavisë se Shqipërisë, ose se, Lufta Nacional Çlirimtare i sillte më tepër dëm se dobi pavarësisë së Atdheut, – të duket sikur është ringjallur Din Caldaris dhe pëshpërit si sufler fjalimet tashmë të harruara që ai mbante orë e çast në Konferencën e Paqes në Paris.

Nëse e pranojmë gjykimin e historisë, e cila mbështetet në rezultatet e arritura dhe jo në llafollogji, nuk ka përse ta mohojmë rolin pozitiv që luajti Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare në rivendosjen e pavarësisë kombëtare të Shqipërisë dhe në shpëtimin e atdheut nga copëtimi territorial.

Më Shumë

Kryetari Xheladini dhe kryesuesja Skeraj reagojnë pas ndodhive në seancën e Kuvendit të Dragashit

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Arijeta Skeraj përmes një reagimi publik kanë dhënë sqarime lidhur me...

Neymari thotë se ai dhe Messi u trajtuan padrejtësisht nga fansat e PSG-së

Neymari ka folur së fundmi se si e kishin trajtuar fansat e Paris Saint-Germainit atë dhe Lionel Messin sa kishin qenë te ky klub. “Dy...

Lajmet e Fundit